Agjencia Zhurnal.mk

Editorial: Shteti të ndërtojë strategji që mos të dëmtohet as ekonomia, as shëndetësia!

Editorial nga Agjencia e lajmeve “Zhurnal.mk”

Shkup, 2 prill – Aktualisht, e gjithë bota po përballet me një pandemi të shkaktuar nga virusi korona, i cili rrezikon seriozisht shëndetin dhe mirëqenien e njeriut. Parashikohet që situata e jashtëzakonshme e shkaktuar nga virusi në Evropë dhe në botë do të vazhdojë me siguri deri në mes të majit 2020. Padyshim që fundi i luftës kundër virusit nuk ka filluar ende. Mund të themi me siguri se, përveç përkeqësimit serioz të shëndetit, njerëzit do të duhet të përballen me krizën ekonomike që është shkaktuar nga kjo pandemi dhe pasojat e së cilës do të fillojnë të ndjehen në të ardhmen e afërt. Duke pasur parasysh që tashmë kemi një recesion në shumë vende, një gjë është e sigurt – kriza ekonomike botërore është e pashmangshme.

Ekonomia e Maqedonisë do të preket rëndë

Të ardhurat buxhetore për shkaak të gjendjes me virusin korona do të bien nga 20 deri në 40 për qind, gjë që do të shkaktojë një gap të madh në buxhet mes 700 milion dhe 1.3 miliardë euro, janë kalklulimet e para që vijnë nga ministrja e financave. Realizimi i të ardhurave këtë vit kishte filluar mirë dhe ka qenë në përputhje me planin, por periudha më e vështirë për ekonominë do të jetë tremujori i dytë, respektivisht muajt prill, maj dhe qershor, por nuk dihet as për dy tremujorët e tjerë pasi nuk dihet se kur do të fillojë rimëkëmbja.

Skenari i parë ose skenari i volitshëm, parashikohet rënie prej 20% shuma totale e të ardhurave të buxhetit të konsoliduar sa i përket planit. Kjo do të thotë ulje të të ardhurave për rreth 700 milionë euro, respektivisht për aq do të rritej deficiti dhe nevojat e financimit.

Te skenari i dytë – i pavolitshëm, rënia e të ardhurave buxhetore do të ishte rreth 30%, duke rritur kështu nevojat për rreth një miliardë euro. Dhe te skenari i tretë më i pavolitshmi nëse të ardhurat bien 40 për qind, nevojat shtesë do të ishin rreth 1.3 miliardë euro.

Shteti të reagojë me kohë

Është mjaft logjike që qeveria të reagojë me kohë dhe të përpiqen të zbusin një goditje të tillë, e cila do të ndikojë drejtpërdrejt në ekonominë private. Prioriteti i çdo shteti në rrethana të tilla është të përpiqet të mos ngadalësojë prodhimin, likuiditetin e pasurisë, lëvizjet e kapitalit dhe mos të ndalet shkëmbimi i mallrave dhe shërbimeve.

Shteti ekziston për të mbrojtur të drejtat dhe liritë natyrore të njeriut dhe në kohë krize, siç është kjo tani, është pikërisht kjo që duhet të bëjë ky shtet. Mundësimi i vazhdimësisë së bizneseve duhet të jetë në axhendën e qeverisë, pasi rimëkëmbja e ekonomisë do të vijë nga sektori privat.

Kriza ekonomike që fillon në vitin 2020 do të analizohet pas përfundimit të saj dhe notat më të mira do t’u jepen atyre shoqërive që arrijnë të menaxhojnë më mirë burimet më të paprekshme të shkaktuara nga kriza.

Ashtu siç është me rëndësi vendosja e masave shëndetësore në një kohë të pandemisë, po ashtu është i rëndësishëm edhe prezantimi i masave ekonomike që do të kenë një ndikim të madh në ekonomi.

Çfarë masa ekonomike duhet të marrë shteti!

Janë disa masa të rëndësishme ekonomike e tatimore të cilat duhet t’i marrë shteti të cilat sigurisht që do të ndihmonin në trajtimin e krizës dhe në trajtimin e deficitit buxhetor.

Ekziston gjithashtu edhe një nevojë për të planifikuar dhe vendosur masa të cilat do ta zvogëlonin marrjen e borxheve të mëdha, e cila është gjithashtu enjë rëndësie të madhe, pasi kur të përfundojë kriza ekonomike, borxhi i qeverisë do të paguhet nga qytetarët.

Shteti duhet menjëherë të paguaj borxhin e tij që e ka ndaj të gjitha kompanive. Kjo do t’iu mundësojë bizneseve të kenë më shumë fonde dhe kështu të përballen më mirë me krizën që pason.

Duhet të lirohen nga tatimi dhe nga të hyra të tjera publike dhe kontributet sociale për të gjithë punëtorët për një periudhë prej gjashtë muajsh, pra nga prilli deri në shtator 2020, edhe atë në tre sektorët më të prekur: turizmi, transporti dhe hotelieritë e restorantet.

Përjashtimi nga taksat nga detyrimet tjera për të gjithë kompanitë që kanë deri në dhjetë punëtorë.

Shfuqizimi i tarifave doganore për importin dhe eksportin e produkteve të nevojshme për luftën kundër koronavirusit (ilaçe, produkte higjienike, etj.)

Heqja e TVSH-së për të gjitha produktet dhe shërbimet e nevojshme për luftën kundër koronavirusit dhe produkte të tjera (ushqime themelore për të jetuar dhe pije joalkoolike). Për të gjitha produktet e tjera, TVSH-ja ekzistuese zvogëlohet me 50% për një vit.

Shtyrja e pagesës së kësteve për kredi për qytetarët dhe kompanitë, në marrëveshje me sektorin bankar, në gjashtë muajt e ardhshëm, pra nga prilli deri në shtator 2020.

Pezullimi i pagesës së subvencioneve për sindikatat, organizatat e biznesit, partitë politike dhe shoqatat e qytetarëve ose subjektet, veprimtaria e të cilave nuk është nga natyra tregtare dhe nuk lidhet drejtpërdrejt me promovimin e punësimit në vend, shëndetin, sigurinë e qytetarëve, ushqimin ose akomodimin e atyre që kanë më e nevojshme…

Shteti mos të bëjë politike ditore me masat ekonomike

Kompanitë private vlerësojnë se pakoja e dytë e masave është e pamjaftueshme dhe afatshkurtër. Nëse së shpejti nuk ka pako tjetër, e tërë barra e koronavirusit do të bie mbi sektorin privat. Kompnaitë kërkojnë që shteti të paguajë 100 përqind pagën neto në tre muajt e ardhshëm, të mbulohen tatimet dhe kontributet e pagës nga shteti dhe të lirohen nga pagesa e tatimeve.

Kompanitë kërkojnë masa sistemore për të gjitha ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme që janë të prekur nga kriza, pa marrë parasysh veprimtarinë e tyre. Në vend të kësaj, me këtë ndihmë të pjesshme nuk është arritur qëllimi final respektivisht të ruhet ekonomia dhe të mbahen punëtorët, sidomos për ata persona juridik që janë më të vegjël dhe të pambrojtur, të cilëve këto tronditje do t’ua shkatërrojë tërë veprimtarinë që t’i mirëmbajnë familjet e tyre.

Pothuajse të gjitha sindikatat në vend kanë mirëpritur vendimin e Qeverisë për të mos shkurtuar pagat e administratës. Kështu, rreth 130,000 punonjës nën ombrellën shtetërore do të qëndrojnë me paga të plota në muajt e ardhshëm. Në vend të administratës, vetëm zyrtarët do të kenë paga minimale minimum në dy muajt e ardhshëm, duke arkëtuar në buxhet rreth 4 milionë euro.

Në këtë kohë krize qeveria duhet mëpak të mendojë për politikat dheinteresat e saj të përditshme, por të krijojë strategji se si të mbrohet ekonomia nga kolapsi i mundshëm në të ardhmen.

Qeveria duhet të fillojë lehtësirat pas dy javëve të ardhshme, ndërsa të rrisë numrin e testeve të virusit korona duke mundësuar kështu zhbllokimin e qytetarëve e njëkohësisht edhe të kompanive.

Siguria shëndetësore dhe mirëmbajtja ekonomike duhet të funksionojnë në mënyrë paralele dhe jo të dëmtohet njëra palë në kurriz të palës tjetër.

https://www.facebook.com/zhurnal.mk/videos/212518136716254/

Marketing 2/1

Marketing 2/2

Marketing 2/1

Marketing 2/2

R ZH

Lajmet e fundit

Loading...