Agjencia Zhurnal.mk
Editorial Maqedoni Rekomanduar TOP LAJM

Editorial / Si të dilet nga kriza politike!

Editorial, Agjencia e Lajmeve Zhurnal.mk

Shkup, 29 mars – Qeveria e Maqedonisë së Veriut është futur në krizë të re. Kuvendi i saj nuk arrin kurrsesi që të funksionojë për shkak së opozita ka vendosur të bllokojë punën e saj.  Opozita shqiptare ka paraqitur 7 mijë amendamente të reja duke bllokuar në tërësi punën e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, si kundërpërgjigje ndaj shumicës parlamentare e cila refuzon miratimin e një propozim-ligji për shtetësinë, që synon zgjidhjen e problemit të mijëra qytetarëve, kryesisht shqiptarë, që ende janë pa shtetësi. Opozita deri tani ka dorëzuar mbi 30 mijë amendamentet për 20 propozim-ligje në sfera të ndryshme.

Shumica parlamentare përbëhet nga 62 deputetë, por tre prej tyre janë të diagnostikuar me COVID-19, që e bënë të pamundur kuorumin për mbajtjen e seancës, por edhe për faktin se opozita ka dorëzuar qindra amendamente edhe për pakon ekonomike.

Nuk ka pasur asnjë seancë normale të kuvendit për muaj me radhë dhe një sërë ligjesh presin të diskutohen dhe miratohen në parlament.

Për të dalur nga kjo krizë udhëheqësit e LSDM-së dhe VMRO DPMNE-së, Zoran Zaev dhe Hristijan Mickoski, do të takohen sot në Klubin e Deputetëve. Takimi vjen me ftesë të Mickoskit, për të diskutuar të gjitha çështjet e hapura, të tilla si kriza pandemike, puna e Parlamentit, regjistrimi, ekonomia, integrimi evropian, zgjedhjet.

Zaev ka thënë se ai beson se pas takimit me Mickoskin ata do të njoftojnë se është gjetur një zgjidhje midis subjekteve kryesore politike për Kodin Zgjedhor dhe futjen e gjurmëve të gishtave në zgjedhjet e ardhshme dhe njoftoi një marrëveshje të mundshme për të vaksinuar regjistruesit.

Përveç me kryetarin e opozitës, Zaev ka njoftuar se do të kërkojë takim edhe me liderët e opozitës shqiptare, Zijadin Sela e Afrim Gashi. Ngjashëm sikur me opozitën maqedonase, temë e diskutimit me shqiptarët do të jetë ligji i nënshtetësisë, pandemia, zhbllokimi i Kuvendit dhe regjistrimi i popullatës.

Kjo shumicë e vakët parlamentare vazhdimisht është duke hasur në probleme gjë që e bën të pamundur funksionimin e Kuvendit, miratimin e ligjeve dhe zhvillimin e reformave. Edhe ligjet elementare që janë pjesë e ndihmës ekonomike për kompanitë nuk mund të aprovohen, e lëre më reforma më të mëdha siç janë ato në gjyqësi apo në ndonjë sektor tjetër të rëndësishëm. Kjo situatë kërkon zgjidhje urgjente, prandaj është e nevojshme që bisedimet me opozitën të jenë në drejtim të daljes nga kriza.

Por çfarë do t’i ofrojë pushteti partive opozitare!

Problemi kryesor që e tangon VMRO DPMNE-në është regjistrimi i popullatës. Kjo parti opozitare ka bërë apel që mos të regjistrohet popullata maqedonase, ndërsa LSDM që është në opozitë nuk është duke bërë aspak fushatë që të regjistrohet popullata maqedonase. Kjo situatë është shumë simptomatike sepse Zaev bashkë me Mickoskin duan që ta prolongojnë këtë proces të rëndësishëm.

Faktori ndërkombëtar dhe partitë politike shqiptare kërkojnë që ky proces të vazhdojë, sepse nëse nuk bëhet tani, mund të duhen edhe dhjetë vite të tjera që të rifillojë ky proces. Maqedonasve iu konvenon mjegulla rreth regjistrimit për shkak se numrat aktual janë në favor të tyre, ndërsa me numrat e rinj nuk do të dihet fati i tyre. Në këtë pikë, partitë shqiptare duhet të jenë unike, sepse çdo prolongim i regjistrimit do të humbë vullnetin dhe dëshirën e popullatës shqiptare, sidomos atyre në diasporë që të regjistrohen në të ardhmen.

Të gjitha partitë shqiptare duhet gjithashtu të insistojnë që të gjendet zgjidhje njëherë e përgjithmonë me çështjen e nënshtetësive. Ky është një problem i vjetër i shqiptarëve, pasi nëna dhe baballarë që kanë lindir e janë plakur në këtë vend ende nuk mund të marrin nënshtetësi. Në këtë pikë, duhet të kihet parasysh edhe vështirësitë që u shkaktohen çifteve të martuara me shtetas jashtë Maqedonisë së Veriut, e sidomos me ata të Kosovës ose Shqipërisë. Në këtë pikë duhet të ketë lehtësime dhe të respektohet në mënyrë të barabartë ligji ngjashëm sikur për maqedonasit që martohen me shtetas të tjerë.

Sa i përket Kodit zgjedhor, partitë politike duhet të kërkojnë që sa më shpejtë të aprovohet sistem i sofistikuar që do ta bëjë këtë proces sa më transparent dhe më të sigurt. Shqiptarët nuk kanë se përse t’i druhen sistemit të verifikimit të votave me gishtërinjë, sepse vjedhjet dhe manipulimet në zgjedhje kanë ndodhur në pjesën lindore të vendit ku shqiptarët nuk kanë pasur asnjëherë vëzhgues të tyre. Partitë shqiptare duhet të gjejnë metoda që të ketë vëzhgues shqiptarë në të gjitha vendvotimet, qoftë edhe atje ku nuk ka asnjë votues shqiptarë.

Është shumë e rëndësishme që të gjitha partitë, në pushtet edhe ata në opozitë të ulen e të gjejnë gjuhë të përbashkët që të tejkalohet kriza politike duke i plotësuar kërkesat e lartëpërmendura. Shkuarja në zgjedhje të parakohshme parlamentare bashkë me ato lokale është një opsion për të kërkuar legjitimitet për qeverisjen e ardhshme. Por, duhet të kihet parasysh se qytetarët janë të zhgënjyer nga zgjedhjet e parakohshme parlamentare dhe nuk dihet se si do të reflektojë ky proces.

Një qeveri e zgjeruar do të ishte një nga zgjidhjet e pranueshme, por shtrohet çështja se cila parti mund të bëhet pjesë e qeverisë. Nëse vendoset që në qeveri të hyjnë edhe parti opozitare maqedonase edhe shqiptare, që i bie një qeveri e zgjeruar, atëherë kjo qeveri do të zgjaste deri në organizimin e zgjedhjeve të reja. Nëse vetëm partitë shqiptare opozitare hyjnë në qeveri, atëherë shqiptarët do të mbeteshin pa opozitë dhe në një farë forme do të shkrihej i gjithë aktiviteti i tyre.

Opsioni më i mirë është që qeveria të pranojë disa nga ofertat e opozitës, e që janë në dobi të gjithë qytetarëve, siç është ligji për nënshtetësi, ndërsa opozita të pranojë ligjet nga qeveria që janë në interes të ndihmës ekonomike ndaj kompanive. Duhet të vazhdojë procesi i regjistrimit, ndërsa zgjedhjet lokale të jenë testi i forcës politike të çdo partie.

Postime të ngjashme

Shkupjani privohet nga liria për kontrabandim të emigrantëve

R Zh

Regjistrimi në Diasporë dukshëm më i ulët se sa ai para vendimit për shtyrje, kush i dëshpëroi!

R Zh

Mungesa e vaksinave ndërpret edhe fushatën e ndërgjegjësimit për vaksinim

R Zh

Tridhjetë ditë paraburgim për gjashtë të arrestuarit për tregti të paligjshme me 200 kilogram marijuhanë

R Zh

Sot 46 viktima dhe 687 raste të reja me COVID-19 në Maqedoni

R Zh

Qeveria demanton Milloshoskin: Zaevi dhe Spasovski nuk u kanë dhënë pasaporta pjesëtarëve të ISIS-it

R Zh

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Akcepto Më tepër...