Agjencia Zhurnal.mk

Editorial: Stop dhunës ndaj mjekëve!

Editorial nga Agjencia e lajmeve “Zhurnal.mk”

Shkup, 22 shtator –  Në Klinikën e Shkupit ka ndodhur edhe një sulm ndaj mjekëve dhe kjo praktikë duket që nuk po merr fund. Edhe pse policia njoftoi se e ka arrestuar personin në fjalë, megjithatë kjo dukuri tregon se në çfarë niveli të ulët është kujdesi ndaj mjekëve. Nevojiten masa edhe më të rrepta për të ndaluar dhunën ndaj mjekëve dhe duhet njëherë e përgjithmonë të ndërpritet kjo dukuri e turpshme.

Sulmohet një mjek në Shkup

Personi që sulmoi mjekun kujdestar në Klinikën e Toksikologjisë në Shkup është arrestuar. Siç informojnë nga Ministria e Brendshme, ky është një 32-vjeçar, kundër të cilit do të ngrihet akuza.

“Personi me inicialet S.I. e ka sulmuar mjekun, duke i shkaktuar prerje dhe hematomë, pasi mjeku i tha që fëmija i tij i mitur, me të cilin babai ishte në Klinikën e Toksikologjisë, duhej dërguar në pediatri”, informoi Ministria e Brendshme. Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe dënoi incidentin, duke thënë se nuk ka asnjë justifikim për dhunë.

“Fatkeqësisht, ky nuk është incidenti i parë i tillë. Mjekët shpesh janë të ekspozuar ndaj sulmeve verbale dhe fizike. Mos të harrojmë se këta njerëz kujdesen për të dashurit tanë dhe shpëtojnë jetë njerëzish. Dhuna nuk është dhe nuk duhet të jetë zgjidhja. U bëj thirrje institucioneve të hetojnë plotësisht çështjen dhe të sanksionojnë në përputhje me rrethanat”, tha Filipçe.

75% e mjekëve janë ballafaquar me dhunë

Statistikat tregojnë se gati 75% e mjekëve në Maqedoninë e Veriut janë ballafaquar me format ë ndryshme të dhunës nga ana e pacientëve. Tre nga katër mjekë kanë pasur një lloj sulmi nga ana e pacintëve, kurse numri më i madh i tyre kanë thënë se arsyet e dhunës janë për shkak të pakënaqësive në sistemin e shëndetësisë në tërësi.

Dhuna ndaj mjekëve nuk është problem vetëm në Maqedonië e Veriut. Fatkeqësisht ajo shihet si shqetësim në rritje kudo në botë. Vitet e fundit ajo është trajtuar me vëmendje edhe nga organizma të rëndësishëm profesional ndërkombëtar (CEOM 2016,2017ç EFMA 2017ç ËMA disa herëç ZEVA 2017 etj).

Organizata Botërore e Shëndetësisë ka njoftuar se varësisht prej vendeve të ndryshme, nga 8%-38% e mjekëve nëpër botë ballafaqohen me dhunë, ndërsa organizata e mjekësore evropiane sivjet kishte reaguar për shkak të dhunës ndaj mjekëve që ësht ënë rritje. Më 12 mars 2020, për herë të parë në Evropë është shënuar Dita e Parë Evropiane e Ndërgjegjësimit mbi Dhunën ndaj Mjekëve dhe Profesionistëve të tjerë të Shëndetit.

Organizatat Mjekësore Evropiane u bëjnë thirrje qeverive dhe të gjithë aktorëve të interesuar të veprojnë sipas nevojës urgjente për të mbrojtur personelin mjekësor në kryerjen e misioneve të tyre. Si përparësi duhet të përmirësohet zbatimi i ligjeve ekzistuese për të luftuar dhunën ndaj mjekëve dhe profesionistëve shëndetësorë në vendin e punës. Në mbështetje të kësaj, ne kërkojmë krijimin e mekanizmave kombëtarë të raportimit në të gjithë Evropën. Për më tepër, OME bën thirrje për zbatimin efektiv të programeve të parandalimit të dhunës dhe ndihmën për viktimat. Kërkohet veprim të vendosur për të siguruar qasje në kujdes cilësor për të gjithë pacientët duke mbrojtur lirinë dhe sigurinë e personelit mjekësor dhe institucioneve të kujdesit shëndetësor.

Në botë gjatë brenda vitit 2015 – 287 punonjës shëndetësie kishin qenë pjesë e sulmeve dhe viktimave ndaj tyre, më saktësisht (109 ishin vrarë, 110 të plagosur, 68 të rrëmbyer), në 148 incidente të ndodhur në 25 vende të botës.

Dhuna shfaqet në forma të ndryshme

Një fenomen shqetësues, i cili po shihet gjithnjë e më shpesh dekadat e fundit, është edhe dhuna ndaj mjekëve. Ajo shpërthen për arsye të ndryshme dhe shfaqet në forma të larmishme, nga dhuna verbale në atë fizike. Sigurisht pasojat janë të shumta jo vetëm për mjekët por edhe për vetë të sëmurët, cilësinë e shërbimit, mbrojtjen e shëndetit të popullatës, marrëdhëniet mjek–pacient dhe për mbarë shoqërinë.

Në përgjigje të disa akteve të bujshme të dhunës ndaj mjekëve, vetë mjekët kanë reaguar duke shprehur indinjatën, shqetësimin dhe protestën nëpërmjet prononcimeve, deklaratave e deri në greva të personelit të strukturave shëndetësore ku dhuna është ushtruar dhe hera herës edhe në gjithë vendin, duke demonstruar solidaritetin profesional.

Nëpërmjet këtyre formave është kërkuar mbrojtja e bluzave të bardha dhe rivendosja e dinjitetit të mjekëve dhe të personelit mjekësor. Madje është kërkuar edhe dhënia e një statusi të veçantë që siguron paprekshmërinë e bluzave të bardha. Vazhdimësia e fenomenit në ritmet dhe përmasat e sotme dëshmon se nevojitet një vlerësim më serioz, dhe një angazhim më i madh e më shumë gjithëpërfshirës nga e gjithë shoqëria jonë, për të kuptuar më mirë, për ta menaxhuar dhe zgjidhur si duhet atë.

Rëndom mjekët për t’i dhënë sa më shpejt shërbimin e kërkuar pacientëve, shkelin detyrimin etik “të shpjegimit dhe sqarimit thjesht e qartë të procedurave dhe praktikave diagnostikuese dhe mjekuese, pritshmërinë e përfundimeve të tyre që çojnë në keqkuptime me pacientët dhe familjarët, apo raportimin dhe mos zgjidhjen e gabimeve mjekësore”, të cilat etiketohen shpesh si neglizhencë dhe sjellin dhunë mbi personelin mjekësor e deri arrestim të tyre pa vend.

Të gjitha këto kanë bërë që nga viti në vit dhuna ndaj mjekëve të shihet thuajse në të gjithë rajonet e vendit, në spitale e qendra shëndetësore, ambiente familjare, apo ambiente të tjera ku ofrohet shërbimi shëndetësor.

Dënime më burg për ata që sulmojnë mjekët

Institucionet përgjegjëse kanë vendosur që përmes angazhimit të agjencive profesionale të sigurimit si dhe patrullimeve të shpeshta të policisë të bëjnë parandalimin e incidenteve nëpër Spitale, ku kryesisht sulmohen mjekët dhe personeli mjekësor.

Parashihen edhe dënime me burg varësisht nga rëndësia e veprave të kryera gjatë sulmit. Vend kritik ka qenë çdo herë Spitali i vjetër i qytetit, këtu ndodhin numër i madh i rasteve, para së gjithash disa incidente gjatë natës poashtu që kanë të bëjnë edhe me qytetarë të dehur, ndeshje si dhe rrahje, po ashtu kritike është edhe Qendra Urgjente, Klinika e Kardiologjisë si dhe Klinika e Toksikologjisë.

Stop dhunës ndaj mjekëve!

Cilido që ofendon apo godet mjekun duhet të jetë i qartë se ka përpara personin që ka shpëtuar dhjetëra jetë njerëzish, që ka kaluar netë të tëra pa gjumë, ka prishur me qindra herë jo vetëm qetësinë e tij por edhe të familjes së tij, për kryerjen e detyrës së shenjtë ‘në shërbim të jetës dhe shëndetit të njerëzve’.

Mjekët nuk janë gjithmonë 100% të suksesshëm. Nuk mund të ketë mjek në botë që gjatë karrierës së tij profesionale, në luftë mes jetës dhe vdekjes të humbasë, të gabojë, ashtu siç mund ti ndodh kujtdo në një profesion tjetër (por gabimet në mjekësi janë më të dhimbshme, më të rëndat, më të pafalshmet, shpesh të pakorrigjueshme, por ndonjëherë edhe të paevitueshme). Arsyet duhen kërkuar tej punës së mjekut si individ, shpesh mund të gjenden në vetë sistemin shëndetësor, organizimin dhe funksionimin e tij.

Studimet dhe kërkimet në botë kanë vërtetuar se thuajse të gjitha incidentet që lidhen me sigurinë e pacientit janë rezultat i përpjekjeve të pamjaftueshme për të zbuluar rrethanat që i mundësojnë ato dhe i masave për të parandaluar e minimizuar eventin, për ta bërë sistemin shëndetësor më të sigurtë për pacientin dhe vetë personelin. Shtimi i përpjekjeve është detyrim për profesionistët e shëndetit dhe për të gjithë faktorët dhe aktorët që veprojnë brenda sistemit shëndetësor.

Prandaj, njëherë e përgjithmonë duhet t’i themi stop dhunës ndaj mjekëve dhe ndërgjegjësim maksimal ndaj respektit ndaj mjekëve.

Marketing 2/1

Marketing 2/2

Marketing 2/1

Marketing 2/2

R ZH

Lajmet e fundit

Loading...