Agjencia Zhurnal.mk

Editorial: Sulmet tinzare ndaj BFI-së mund të ndikojnë në votat shqiptare për Pendarovskin e fitoren e Siljanovskës ?!

Shkup, 25 Prill, Zhurnal.mk – Dy përplasje ndodhën këtë muaj në publik në të cilat objekt debati e zhurme u bë Bashkësia Fetare Islame (BFI) dhe Sulejman Rexhepi, kreu i këtij institucione fetar në Maqedoni të Veriut.

Mediat maqedonase ditë më parë nxorën një fjalim të para disa muajve në të cilën Rexhepi vë në pikëpyetje identitetin e kombit maqedonas.

Ky riciklim i një pjese të fjalimit të kreut të BDI-së ndodhi pikërisht përgjatë fushatës zgjedhore për kryetar të vendit për rrethin e parë të 21 prillit.

Reagimet e mediave dhe politikanëve maqedonas natyrisht se nuk munguan ndaj deklaratave të Rexhepit.

E kësaj jave, i njëjti ishte objekt debati e zhurme pikërisht me ngjarjet aty brenda objekteve të BFI-së, të cilat në publik paraqiten si kinse betejë për pushtet për këtë institucion.

BFI është një adresë e mundshme e mirë për vota por edhe për bllokimin e tyre, përkatësisht një pjese e anëtarëve shqiptarë dhe përkrahësve të saj do të mund të humbasin motivimin për t’i dhënë votën Pendarovskit të përkrahur nga partitë shqiptare në pushtet (BDI, PDSH, Alternativa dhe RDK).

Pas tërë kësaj zhurme e tensionesh lidhur me BFI, e sidomos incidentit të fundit, e të cilat nuk duken që të jenë të rastësishme sidomos për kohën se kur po ndodhin, çuditërisht sipas njerëzve të VMRO-DPMNE ndodhen kryeministri Zoran Zaev dhe nënkryetari shqiptar i LSDM-së Muhamet Zekiri (‘Muki’).

Ata që në mënyrë tinzare filluan që të merren me kreun e BFI-së, para disa dite dhe kësaj jave, janë të vetëdijshëm se përplasja publike e këtij institucioni fetar – të udhëhequr nga shqiptarët – me Zaevin dhe anëtarët shqiptar të LSDM-së mund të rezultojë me humbje të ndonjë vote shqiptare për kandidatin e qeverisë për kryetar vendi, Stevo Pendarovski.

Deputeti i i VMRO-DPMNE-së Vladimir Gjorçev dje ( të mërkurën) e akuzoi Zaevin dhe Zekirin për tensionet e kësaj jave në BFI .

Njeriu i VMRO-DPMNE ishte i pari ai i cili nisi me fajësime. Ai në një deklaratë në FB tha se kryetari dhe nën-kryetari i LSDM-së qenkan ideatorët e tensioneve.

Sipas tij krerët e LSDM-së qenkan ata që e paskan dërguar Skender Buzakun në objektin e BFI-së për të përmbysur Rexhepin dhe kryesinë e saj nga froni.

Zaevi pak orë më vonë i mohoi këto akuza. Ai tha se qeveria nuk përzihet e as që do të përzihet në punët e BFI-së.

E nënkryetari i LSDM-së, Muhamet Zekiri, i cili akuzohet nga VMRO-DPMNE se bashkë me Zaevin janë ideatorët e tensioneve të reja në BFI, tha se jo ai nuk është fajtor, por sipas tij fajtor qenka BDI-ja, e cila është partnere qeveritare me vet partinë e Zekirit.

Zekiri madje i quajti « rezil » udhëheqësit e BFI-së, duke aluduar në Sulejman Rexhepin, ndërsa njerëzit e BDI-së dhe ata të BFI-së i quajti « kriminelë ».

Zekiri është i njohur për përplasje me Rexhepin edhe më herët. Ai është i njohur edhe me përplasje publike dhe me BDI-në për çështje të tjera, e çuditërisht ai është edhe partner qeveritar pikërisht me ata që i akuzon shpesh.

BDI reagoi ndaj tentimeve për përmbysjen e Sulejman Rexhepit përmes Bujar Osmanit.

Osmani, nuk bëri asnjë akuzë në adresë të asnjë pale politike, por bëri thirrje për mbrojtje të autonomisë së BFI-së dhe e dënoi sulmin ndaj kreut të saj që ndodhi dje dhe tentimet për përmbysje.

Kjo është kronologjia e ngjarjeve lidhur me BFI-në e Sulejman Rexhepin në Prillin e tensioneve të zgjedhjeve për kryetar të vendit.

Dikush e nisi, të tjerët e ekzekutuan këtë situatë, të tjerët reaguan me maturi e disa pa maturi.

E në këtë situatë pezmatimi dhe frustrimi Sulejman Rexhepi tha se BFI nuk do të angazhohet me vota për askënd.

I emocionuar në konferencën e djeshme për shtyp Rexhepi shihet të jetë viktima e dukshme e dëshiruar nga ideatorët e tensioneve lidhur me dhe në BFI-në. E pasojat në vota mbeten edhe që të shihen me 5 maj.

Se si do të përfundojnë këto tensione që po përsëriten me BFI-në, kjo vështirë se të dihet. Me gjasë me përmbyllen e zgjedhjeve për kryetar të vendit do të ketë një shtendosje të përkohshme.

Por, në të njëjtën kohë e deri më 5 maj, një pjesë e qytetarëve anëtarë dhe përkrahës të BFI-së do të jenë ata që do të ndikohen në vendimet e tyre se kujt do t’ia japin votën, ose kujt nuk do t’ia japin votën, sepse dikush ua ka sulmuar BFI-në dhe kreun e saj Sulejman Rexhepin.

Se kush ua planifikoi dhe ua nxiti këtë sulm, do të vendosin vet qytetarët votues e përkrahës të BFI-së. Vet ata do t’i marrin vendimet e tyre nëse do ta ndëshkojnë Pendarovskin apo Siljanovkën me votën e tyre me 5 maj apo do të mbesin në shtëpi e të mos votojnë fare.

Vota është me rëndësi primare për politikanët që e synojnë pushtetin me çdo kusht. E rrugës deri tek vota viktimat shkelen pa mëshirë prej tyre.

Kësaj here BFI dhe Rexhepi ishin viktimë e këtyre skenarëve në betejën e paskrupullt për vota apo bojkot të tyre.

Marketing 2/1

Marketing 2/2

Marketing 2/1

Marketing 2/2

Z H

Lajmet e fundit

Loading...