Agjencia Zhurnal.mk

Editorial Të zhgënjyerit ecin më shpejt drejt BE-së sesa vet Maqedonia e Veriut

Shkup, 8 Maj, Zhurnal.mk – Ngërçi 28 vjetësh me Greqinë mori fund. Emri i vendit u ndërrua. Vetoja greke për hyrje në NATO dhe Bashkim Evropian u hoq.

Tash Maqedonia e Veriut në fund të këtij viti apo fillim të vitit të ardhshëm pritet që të bëhet anëtare e plotë e NATO-s.

Në qershor vendi pritet që të mësojë nëse do t’i hap bisedimet për anëtarësim në bllokun evropian në fund të vitit.

Tash nuk është pengesë Greqia, por vendet e tjera anëtare të BE-së për arsye të tjera, kryesisht të brendshme në bllokun evropian. Por edhe nëse në qershor nuk do të ketë vendim pozitiv, i njëjti vetëm se mund të shtyhet për disa muaj. Edhe hapja e bisedimeve për anëtarësim në BE do të ndodhë një ditë.

Hyrja në BE pastaj do të jetë një rrugë e gjatë, e cila së paku do të marrë tetë vite.

Këto ndryshime në vend dhe për vendin për hyrje në NATO dhe BE u bënë të mundura pasi që nga pushteti u largua VMRO-DPMNE.

Por cili është synimi i hyrjes në NATO dhe sidomos në BE ?

Ato për NATO-n dhe BE-në në rend të parë janë interes sigurie dhe stabiliteti në Ballkanin Perëndimor, për të zgjeruar kështu perimetrin e sigurisë nëpër kontinent për vetë BE-në.

Por çfarë do thotë kjo për qytetarët e Maqedonisë së Veriut dhe të rajonit ?

Në teori kjo ka të bëjë me rritjen graduale të cilësisë së jetës në Maqedoni të Veriut dhe vendet fqinje të rajonit.

Tingëllojnë bukur këto fjali kur dëgjohen shpesh nga politikanët vendorë, zyrtarët e institucioneve të BE-së dhe të vendeve anëtare të saj kur flasin për qytetarët e vendit dhe integrimet drejt këtyre dy organizatave me seli në Bruksel.

Por, gjendja në Maqedoni të Veriut dhe nëpër pjesën dërmuese të vendeve të rajonit flet krejt ndryshe. Ajo thotë se qytetarët janë lodhur duke pritur këtë cilësi të jetës së premtuar për çdo ditë tash e 20 vite nga klasa politike e tyre dhe njerëzit e BE-së.

Mjafton që të flisni me qytetarët e këtushëm për të mësuar se çfarë duan ata në rend të parë. Ata duan kushte më të mira jete dhe vende pune. Ata po presin qe 20 vite një cilësi më të mirë të jetës dhe rritje të fuqisë blerëse për ta dhe familjet e tyre.

Por, pritja ua ka ndërruar prioritetet e tyre të menjëhershme. Ata duan që të largohen nga vendi për të gjetur një vend pune nëpër BE.

Dërgimi i VMRO-DPMNE-në në opozitë, e zgjedhja e kryetarit të ri të vendit nuk do të hap vende pune në mënyrë automatike për qytetarët.

Kjo sidomos vlen për shqiptarët e vendit. Janë pikërisht shqiptarët ata të cilët me të madhe po tentojnë që të largohen nga vendi i tyre, në mënyrë ilegale apo legale duke tentuar që të gjejnë ndonjë punësim sezonal apo të përhershëm nëpër vendet e BE-së.

Shqiptarët e Maqedonisë së Veriut janë ngopur me premtime për një jetë më të mirë në atdheun e tyre.

Ata duan punësim. Ata duan jetë më të mirë, sepse janë pikërisht ata që janë prapa maqedonasve në fushën e punësimit dhe cilësisë së jetës në Maqedoninë e Veriut të cilës tash iu hapën dyert për NATO dhe BE.

Premtimet e vonuara për vende pune e jetë më të mirë po i detyrojnë qytetarët e Maqedonisë së Veriut që të bëjnë shumëçka në mënyrë ilegale dhe legale për të hyrë në NATO dhe BE para vendit.

Jeta nuk pret.

Marketing 2/1

Marketing 2/2

Marketing 2/1

Marketing 2/2

Z H

Lajmet e fundit

Loading...