Agjencia Zhurnal.mk
Editorial Maqedoni TOP LAJM

Editorial/U mbyll gjysmëvjetori më i vështirë në histori – a mësuam se çfarë duhet të përmirësojmë!

Shkup, 30 dhjetor – Arsimi në të gjithë botën por edhe në Maqedoninë e Veriut është ballafaquar me sfida të mëdha në vitin që po e lëmë pas. Për të gjithë ishte një test që medoemos duhej të tejkalohet. Çdo shtet kishte specifikat e veta. Maqedonia e Veriut edhe përkundër strategjisë së përdorur, nuk kishte lënë gjurmë në menaxhimin e mirëfilltë. Mësimi online  e gjeti vendin të papërgatitur. Në skenë dolën probleme të thella, sië ishte mungesa e pajisjeve për mësim, mungesë e platformës nacionale për mësim në distancë, probleme me hapësirat e shkollave, numër të stërmbushur të nxënësve dhe miliona probleme tjera… Prandaj arsimit i nevojiten reforma thelbësore, jo vetëm në materialet e mësimit, eliminimin e gjuhës së urrejtjes, programeve mësimore, por edhe krijimin e kushteve bazike për mësim.

Mësim online deri në fund të vitit

Nesër fillon pushimi dimëror për nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme, të cilët mësimeve do t’i kthehen në 21 janar. Zyrtarisht, dikasteri i Arsimit nuk ka një vendim përfundimtar nëse gjysmëvjetori i dytë do të vazhdojë online ose me prezencë fizike. Edhe pse nuk ka një vendim final, mësimi mund të vazhdojë online duke pasur parasysh se deri më tani nuk ka pasur ndonjë problem të madh.

Nëse fillon vaksinimi i popullatës së shpejti, atëherë nxënësit do të kthehen në objektet shkollore varësisht nga situata me Covid 19. Nëse krijohen kushte nxënësit do të kthehen në shkollë, por autoritetet shëndetësore në koordinim me Ministrinë e Arsimit do të vendosin për vendimin final. Qëllimi i vetëm do të duhet të jetë mbrojtja e shëndetit të mësuesve, nxënësve dhe të gjithë popullsisë.

Probleme të mëdha me mësimin online

Sipas të dhënave të Byrosë së Statistikave të Bashkimit Evropian, Eurostat, 64 për qind e të rinjve nga mosha 16 deri në 24 vjeç në Maqedoninë e Veriut, disponojnë aftësi digjitale. Kroacia është shteti në rajon, të rinjtë e së cilës, kanë përqindjen më të madhe të aftësive digjitale, përkatësisht 97 për qind.

Këto të dhëna për ekspertët e teknologjisë informative, paraqesin alarm, pasi sipas tyre, të rinjtë në Maqedoninë e Veriut nuk po iu përgjigjen sfidave të kohës, kur aftësitë digjitale janë të rëndësishme në ngritjen personale. Megjithatë, ata theksojnë se pandemia e koronavirusit ka nxjerrë në pah rëndësinë e përdorimit të teknologjisë, sa i përket procesit edukativo-arsimor, në mesin e të rinjve.

Ka nevojë për reforma të thella në sistemin arsimor, në mënyrë që përqindja e të rinjve që disponojnë shkathtësi, përkatësisht aftësi të ndryshme digjitale të rritet, në mënyrë që të arrijë nivelin e mesatares së vendeve evropiane ku 80 për qind e të rinjve kanë aftësi digjitale. Kjo është e nevojshme që mos ndodh sërish, që pjesa më e madhe e të rinjve pasi të kryejnë vitin shkollor, të shprehen se kanë mbetur të pakënaqur nga mësimi online.

Arsimit i nevojiten reforma të thella!

Derisa nxënësit do të jenë me pushime, stafi mësimdhënës dhe të gjithë të interesuarit do të kenë mundësinë të dërgojnë ide dhe sugjerime për “Draft-Konceptin për Arsimin Fillor”. Draft-dokumenti me 48 faqe është postuar në faqen e internetit të Ministrisë së Arsimit në pesë gjuhë, atë maqedonase, shqipe, turke, boshnjake dhe serbe. Për të përmirësuar përmbajtjen e dokumentit, sugjerimet dhe propozimet duhet të dërgohen deri më 20 janar.

Reformat në sistemin arsimor kanë shkaktuar reagime të shumta, në veçanti ato që kanë të bëjnë me bashkimin e disa lëndëve mësimore. Me konceptin e ri në arsimin fillor, lëndët e Biologjisë, Kimisë, Fizikës dhe Gjeografisë do të bashkohen në një lëndë – Shkencat natyrore, kurse Historia, Edukimi qytetar dhe një pjesë e Gjeografisë do të shkrihen në lëndën e re- Shkencat shoqërore. Muzika dhe Arti do të shkrihen në lëndën Edukimi artistik.

Koncepti i ri duhet të jetë në përputhje me vendet e zhvilluara ku ka integrim të shkencave natyrore dhe shoqërore dhe se ideja është që të formohen të rinj, qytetarë, që mund ta çojnë vendin drejt zhvillimit ekonomik dhe shoqëror.

Por, me konceptin e ri duhet të kemi kujdes që asnjë mësimdhënës të mos mbetet pa punë. Ka shumë paqartësi me faktin kur thuhet se do të bashkohen katër lëndë në një, ndërsa nuk dihet se si do të ligjërohet ajo, si do të ndahet ajo mes katër mësimdhënësve.

Reforma duhet të ketë, por jo të dëmtohen të punësuarit, ndërsa reagimet që dalin në opinion kundër reformave në arsim janë si pasojë e moskonsultimit të faktorëve relevantë, dhe marrjes së vendimeve nga një grup i vogël njerëzish, që më tepër nisen nga kriteret politike se sa ato profesionale gjatë miratimit të reformave në fusha të caktuara.

Situata e krijuar pas shpërthimit të pandemisë, paraqet kambanë alarmi për institucionet, që sa më parë të veprojnë në drejtim të ngritjes së kapaciteteve në sistemin e arsimit për sa i përket aftësive digjitale, duke filluar nga shkollat fillore, ato të mesme, e deri në arsimimin universitar.

Një ndër mundësitë e reja duhet të jetë edhe ndjekja e procesit arsimor përmes programeve të shkurtuara arsimore, zvogëlim të numrit të nxënësve nëpër klasa, ndjekja e mësimit me turne dhe investime në krijimin e kushteve të mirëfillta hapësinore për mësim.

Postime të ngjashme

Arian Hakiki u zgjodh kryetar i Alternativës në degën e Tearcës

R Zh

Rexhepi: Gazifikimi i amvisërive në pjesën më të madhe të komunave do bëhet realitet në fillim të vitit të ardhshëm

R Zh

Ali Ahmeti: Diaspora, pjesë e pandarë e jona

R Zh

Ademi: ASH-AA manipulojnë me numrin e qytetarëve që nuk kanë nënshtetës

R Zh

Makraduli: Dokumentet personale do t’ju vijnë në adresë shtëpie

T E

Selami: Qytetarët të jenë të qetë, të gjithë do të regjistrohen

R Zh

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Akcepto Më tepër...