Agjencia Zhurnal.mk

Editorial: Virusi Korona vë në krizë politike edhe qeverisjen në Maqedoninë e Veriut

Editorial nga Agjencia e lajmeve “Zhurnal.mk”

Shkup, 17 mars – Kryetarët e partive politike në Maqedoninë e Veriut kanë vendosur të anulojnë zgjedhjet e parakohshme parlamentare të cilat ishin paraparë të mbahen më 12 prill, ndërsa për datën e re të zgjedhjeve do të vendoset pas normalizimit të gjendjes me Covid-19, sëmundja që shkaktohet nga koronavirusi i ri.

Zgjedhjet shtyhen në disa shtete në SHBA, por jo edhe në Korenë e Jugut

Ndryshe nga Maqedonia e Veriut, më 15 prill, qytetarët në Korenë e Jugut do të dalin në votime për të zgjedhur të 300 anëtarët e Paralmentit kombëtare të vendit. Por zgjedhjet paraqesin sfida unike këtë vit për shkak të epidemisë së koronavirusit, pasi vendi ka më shumë se 8 200 raste të konfirmuara dhe pothuajse mbi 20,000 njerëz nën karantinë.

Komisioni zgjedhor i Koresë së Jugut ka njoftuar se se njerëzit që janë shtruar në spital ose në karantinë, pasi dolën pozitivisht për Covid-19, do të lejohen të votojnë nga shtëpia ose vendi i trajtimit në zgjedhjet e 15 Prillit. Ligji ekzistues i zgjedhjeve publike të vendit tashmë lejon personat me aftësi të kufizuara ose ata që banojnë në spitale, shtëpi pleqsh dhe qendra paraburgimi të votojnë jashtë një vendvotimi. Tani, komisioni ka vendosur që ligji të shtrihet tek votuesit me Covid-19.

Koreja e Jugut është lavdëruar për reagimin e saj efektiv ndaj shpërthimit, duke ulur shkallët e infeksionit në mënyrë të qëndrueshme pa pasur nevojë të përdorë masat drakoniane të Kinës për të vendosur dhjetëra miliona nën mbyllje. Vendi ka aftësinë të kryejë më shumë se 15,000 teste pa pagesë. Gjithashtu janë ngritur stacione testimi përmes kontrollit në të gjithë vendin, me procedurën 10-minutëshe që prodhon rezultate brenda orëve. Testimi në masë do të thotë që autoritetet mund të identifikojnë pacientët herët, t’i karantinojnë ata dhe të ofrojnë trajtimin e nevojshëm.

Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) në disa shtete federale janë shtyrë zgjedhjet për garën presidenciale të vitit 2020. Xhorxhia, Kentucky, Luiziana, Maryland dhe Ohio i kanë shtyrë zgjedhjet ose po mendojnë të marrin vendim për shtyrjen e zgjedhjeve nga datat e deritanishme. Në Ohajo, zyrtarët kanë shpallur emergjencë shëndetësore publike vetëm disa orë para se votimet të nodhnin të martën.

Tre shtetet e tjera të planifikuar për të votuar të martën – Arizona, Florida dhe Illinois – i kanë zhvilluar zgjedhjet e tyre ashtu siç ishte planifikuar.

Në Nju Jork, zyrtarët po mendojnë nëse zgjedhjet presidenciale duhet të shtyhen nga data e planifikuar. Në Uoyoming po pezullohen grupet e personave dhe u kërkohet votuesve t’i nisin me postë votat e tyre. Shtetet e tjera po vlerësojnë mundësi të ngjashme ose shtojnë masa paraprake shtesë për votuesit.

Asnjë nga kandidatët presidencial aktualisht nuk ka planifikuar aktivitete në publik. Debati i natës të së dielës u mbajt pa një audiencë me qëllim që të shmanget përhapja e mundshme e virusit.

Në Francë, votuesit francezë qëndruan larg qendrave të votimit të dielën për zgjedhjet komunale pasi vendi hyri në bllokim të pjesshëm për të ndaluar përhapjen e koronavirusit. U vlerësua se shkalla e abstenimit mund të ketë arritur deri në 56% në fletëvotimet për të zgjedhur kryetarët e bashkive dhe këshilltarët lokalë – tradicionalisht më popullor se përfaqësuesit kombëtar.

Maqedonia e Veriut s’ka resurse nëse shpall gjendje të jashtëzakonshme

Këshilli i Sigurisë Kombëtare i Maqedonisë së Veriut ka diskutuar gjendjen lidhur me koronavirusin por ka konstatuar se për momentin nuk ka nevojë për shpallje të gjendjes së krizës apo gjendje të jashtëzakonshme në gjithë territorin e vendin. Presidenti Stevo Pendarovski ka thënë se në rast nevoje mund të shpallet gjendje krize në rajone të caktuar, siç është aktualisht në Dibër dhe Zhupë, por jo edhe në gjithë vendin.

Pas takimit të Këshillit, kreu i shtetit tha se institucionet janë duke bërë gjithçka për tu përballur me gjendjen ndërsa u bëri thirrje qytetarëve që të respektojnë të gjitha masat dhe të mos udhëtojnë pa nevojë. Ai gjithashtu u bëri thirrje atyre qytetarëve të Republikës së Maqedonisë që punojnë jashtë vendit që të mos kthehen në vendin e tyre pa ndonjë nevojë.

Presidenti Pendarovski gjithashtu ka deklaruar se Maqedonia e Veriut nuk ka burime të mjaftueshme për të shpallur situatën e krizave në të gjithë territorin me nivelin e kontrollit si në Dibër dhe Qendrën Zhupa.

Nëse Maqedonia e Veriut kalon në një situatë krize, ajo duhet të bëhet nga komuna në komunë dhe jo papritmas në të gjithë territorin, pasi s’ka kapacitet për tu ballafaquar në atë situatë.

Ekspertët juridik të japin sqarime se çfarë do të ndodhë me qeverinë dhe deputetët

Situata aktualisht është shumë serioze andaj edhe është kërkuar shpallja e gjendjes së jashtëzakonshme në vend, pasi vlerësohet se kjo do të ndihmojë në marrjen e masave adekuate për të mbrojtur jetën e qytetarëve, marrjen e masave ekonomike dhe të masave tjera në funksion të normalizimit të gjendjes.

Në këtë situatë shtrohet pyetja se a do të respektohet Kushtetuta, si në rastin e anulimit të zgjedhjeve por edhe për përballje me koronavirusin, gjegjësisht shpalljen e gjendjes së krizës.

Aktualisht kërkohet që ekipet e ekspertëve të takohen sa më shpejt dhe të dalin me qëndrime për të gjitha dilemat.

Pyetjet më të mëdha që shtrohen në opinion janë se si do të gjendet zgjidhja ligjore për t’u anuluar zgjedhjet, pasi në kushtetutë nuk parashikohet anulim i zgjedhjeve për shkak të epidemisë, nëse do të duhet që qeveria teknike të shfuqizohet dhe të kthehet qeveria normale si dhe nëse duhet të kthehen deputetët në Kuvend!

Partia opozitare maqedonase VMRO DPMNE ka njoftuar se në rast vendimi të shtyrjes së zgjedhjeve dhe rikthimit në funksion të Parlamentit deputetët e saj nuk do të rikthehen në Kuvend.

Edhe nëse vjen deri te kthimi i deputetëve në Kuvend, atëherë do të tduhet të vendosen masa të reja për mbrojtje të deputetëve pasi në sallën e Kuvendit ata nuk do të mund të qëndrojnë të gjithë së bashku. Në këtë situatë do të duhet të aplikohet veprim online i punës ngjashëm siç ka bërë parlamenti spanjoll në votimin e Protokollit për anëtarësim të Maqedonisë së Veriut në NATO.

Aktualisht do të vazhdojë të drejtojë shtetin qeveria e tanishme teknike në krye me Oliver Spasovskin, deri në mbajtjen e zgjedhjeve të reja. Nëse situata do të qetësohet, atëherë zgjedhjet mund të mbahen në muajin Qershor, ndërsa nëse kriza vazhdon për shkak të virusit, atëherë zgjedhjet mund të mbahen në Shtator ose në Tetor.

Nëse mbetet qeveria teknike deri në vjeshtë, kjo nënkupton edhe bllokim të komplet sistemit, pasi qeveria teknike nuk ka mandat të emërojë, shkarkojë ose vendosë për çështje të rëndësishme, pasi konsiderohet se kjo qeveri është formuar kryesisht për të mbajtur zgjedhjet parlamentare.

Kriza shëndetësore do të rrisë në ditët në vijim edhe krizën politike e ekonomike në vend, ndërsa presidenti i shtetit mbetet autoriteti i vetëm që mund të ndërmarrë vendime të rëndësishme për zhvillimin e mëtutjeshëm të shtetit.

Marketing 2/1

Marketing 2/2

Marketing 2/1

Marketing 2/2

R ZH

Lajmet e fundit

Loading...