Agjencia Zhurnal.mk

Editorial: Votimi i Prokurorisë Publike është i domosdoshëm

Editorial nga Agjencia e Lajmeve “Zhurnal.mk”

Shkup, 20 janar – Pas mesazheve të Komisionerit të BE-së, Oliver Varhelyi se përbërja e tanishme parlamentare do t’i japë prioritet ligjit të Prokurorisë Publike, në Maqedoni nuk ndalen reagimet mbi atë nëse ligji mund të miratohet përpara se parlamenti të shpërndahet. LSDM është e gatshme të diskutojë dhe të bëjë thirrje për përgjegjësi të të gjitha subjekteve politike, ndërsa VMRO DPMNE thotë se në ditët në vijim ata do të dalin me një qëndrim për tekstin e propozuar ligjor të dërguar atyre.

LSDM e gatshme të bisedojë me opozitën

Kreu i LSDM-së Zoran Zaev tha se nëse është e nevojshme është i gatshëm të bisedojë me liderin e VMRO-DPMNE-së Hristijan Mickoski në mënyrë që të miratojë këtë ligj thelbësor. Ai shprehu besim se ligji mund të miratohet në tre javët e ardhshme pasi është një zgjidhje sistemike që miratohet nga shumica prej dy të tretave dhe të gjithë duhet të marrim përgjegjësi dhe të ndërmarrim hapa për ta miratuar këtë ligj.

Nga LSDM pohojnë se nëse Ligji nuk sillet para zgjedhjeve, sërish do të duhet ta miratohet pas zgjedhjeve.

Zaev është i gatshëm të diskutojë ligjin me të gjitha subjektet politike dhe, siç tha ai, mund të gjendet një zgjidhje për të gjitha ato sugjerimet e parashtruara nga palët, por jo për të kapërcyer linjat e kuqe.

Kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev shprehet optimist se më 12 prill dhe para shpërndarjes së Kuvendit, do të miratohet Ligji për Prokurori Publike.

Zaev i bëri thirrje kryetarit të VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoskit të gjejnë zgjidhje. Miratimi i ligjit, thotë Zaev, është obligim për të gjithë. Ai më së shumti shpreson në grupin kuvendar të deputetëve të pavarur.  Ai tha se me këtë Propozim ligj, nuk ka Prokurori Speciale Publike, pasi ajo është me lëndë të garantuara. Lëndët janë në kompetencë të prokurorit publik shtetëror dhe në procedurë gjyqësore. Të relaksuar nga kjo, duhet të ulemi dhe të gjejmë zgjidhje ligjore.

Përgjegjësi dhe bashkëpunim të subjekteve politike për ligjin për prokurorinë publike kërkoi edhe kryeministri në Qeverinë teknike, Oliver Spasovski. Ai u  bëri thirrje partive të jenë në nivel të detyrës sepse bëhet fjalë për çështje të interesit të lartë shtetëror.

Nga LSDM janë të mendimit se ka mundësi të sillet ligji deri në shpërndarjen e Parlamentit, ndërsa nëse nevojitet edhe të mbahet takim liderësh.

VMRO DPMNE s’pranon takim liderësh

Nga VMRO-DPMNE-ja thonë se së pari nevojitet harmonizim të qëndrimeve të grupeve të punës e më pas nevojitet takim i liderëve.

Lideri i partisë më të madhe opozitare Mickoski mendon se kjo që është propozuar nga LSDM është ligj që duhet në të ardhmen t’i mbrojë strukturat kriminele të LSDM-së që pas 12 prillit do të jenë në opozitë. Kështu që nëse duhet të mbahet takim vetëm sa për t’u mbajtur, nuk kam ndër mend të humbë kohë. Ai kërkon që të takohen grupet e punës në javën që vjen dhe nëse ato i afrojnë qëndrimet atëherë mund të flitet për mbajtje të takimit të liderëve.

Ligji, pengesë e partive maqedonase

Ligji për prokurorinë publike mbeti pengesë mes pushtetit dhe opozitës. Tashmë një periudhë më të gjatë kohore nuk ekziston harmonizim mes LSDM-së dhe VMRO-DPMNE-së. Grupet e punës nga të dy partitë disa herë tentuan t’i afrojnë qëndrimet, por pa sukses. Pas ardhjes së eurokomisarit Oliveer Varhej javën e kaluar dhe bindjes së tij se përbërja e tanishme parlamentare do t’i japë prioritet këtij ligji, sërish u aktualizua kjo çështje.

Në fund të ditës nuk duhet të pyeten vetëm Zaev dhe Mickoski, por edhe partitë e tjera politike, grupi i pavarur i deputetëve në mënyrë që të gjithë të mund të japin sugjerimet e veta për një çështje të këtillë thelbësore e strukturore.

Partitë politike shqiptare janë për sjelljen e Ligjit në mënyrë sa më të shpejtë pasi ai është i domosdoshëm për integrimin drejt BE-së dhe progresin e vendit drejt pastrimit të kriminelëve.

Si do që të jetë situata në zgjedhje ligji duhet të votohet. Ky është obligimi i ndërsjellë i të gjitha partive dhe duhet të kalojë me dy të tret të votave. Ligji duhet të miratohet tani derisa Kuvendi është duke funksionuar për të dhënë një argument plus për Komisionerin e BE-së dhe vendet anëtare të BE-së dhe për të siguruar që vendimi i Këshillit Evropian të jetë përfundimisht pozitiv. Edhe pse nuk është një kërkesë nga BE-ja dhe nuk është pjesë e raportit për Maqedoninë e Veriut, sërish ky është një argument plus se vendi është i gatshëm të futet në BE.

Marketing 2/1

Marketing 2/2

Marketing 2/1

Marketing 2/2

R ZH

Lajmet e fundit

Loading...