Agjencia Zhurnal.mk

Editorial: Zaev bëri vetëvrasje politike!

Editorial nga Agjencia e lajmeve “Zhurnal.mk”

Shkup, 23 mars – Njoftimi nga ana e kryetarit të LSDM-së se për shkak të krizës së virusit COVID19 që ka përfshirë Maqedoninë e Veriut dhe gjithë globin, qeveria duhet të ndërmarrë masa radikale, e ndër ato t’iu shkurtohet rroga edhe administratës publike, mund të konsiderohet vetvrasje politike e ish-kryeminsitrit Zoran Zaev.

Çfarë masash kërkoi Zaev!

Lideri i LSDM-së Zoran Zaev deri të qeveria propozon një pako me 15 masa konkrete ekonomike. Ai tha se Pasojat ekonomike nga Virusi Korona do të jenë të mëdha jo vetëm në vendin tonë por në gjithë botën. Sipas tij sfida e qytetarëve dhe kompanive ndaj kësaj gjendje do të jetë tejet e vështirë, andaj tha se këto masa i kushtohen qytetarëve, me çka garantohen harxhimet elementare.

Zaev propozoi që paga minimale për prill dhe maj, të sigurohet nga shteti, për çdo të punësuar në kompanitë private të prekura nga kriza. Të ndahen paga mujore edhe për qytetarët që janë larguar nga puna për shkak të krizës, në lartësi prej 50% nga rroga mesatare e të punësuarit, të gjithë funksionarë dhe udhëheqësit të marrin rrogë minimale, si dhe të gjithë të punësuarit në sektorin publik të marrin rrogë minimale prej 14500 denarë (250 euro)…

Zaev  ka kërkuar që nga 7 mijë denarë të marrin personat pa angazhim pune ose persona që ishin pjesë e ekonomisë joformale, ndërsa të ndalet ligji për përmbaruesit deri në fund të qershorit dhe të shtyhet pagesa ekrediteve.

Në sektorin e ekonomisë kryetari i LSDM-së ka kërkuar që të ndahen kredi shtesë pa normë interesi për kompanitë me 6 milionë euro,  50 milionë euro të reja kredi të lira përmes bankave komerciale, me dispozitë ligjore do të ndalohet që kompanitë të shkojnë në falimentim gjatë krizës si dhe ndihmë për punonjësit mediatik dhe shtëpitë mediatike, etj.

Reagime!

VMRO-DPMNE ka reaguar ndaj masave të propozuara nga kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev, duke e akuzuar këtë të fundit se po godet të ardhurat e të punësuarve për të fshehur paaftësinë dhe tenderet kriminale. Nga partia më e madhe në opozitë thonë se Zaev promovoi masa të cilat janë për kolaps të sipërmarësisë dhe me shkurtimet e pagave më së shumti do të goditen ata me paga më të ulëta.

Edhe Bashkimi Demokratik për Integrim nëpërmes një kumtese ka deklaruar se si parti qeverisëse dhe bartëse e përgjegjësisë, janë në krye të detyrës për t’i dal në ndihmë qytetarëve, shëndetit publik, por edhe shtetit. BDI vlerëson që të gjitha masat për menaxhim të krizës, përfshirë edhe solidarizimin dhe bartjen kolektive të përgjegjësisë duhet ta bërë me konsensus midis të gjitha palëve dhe në të mirën e qytetarëve. BDI do të vijon të kujdeset për shtetin, shëndetin publik, administratën, sektorin privat dhe të gjithë qytetarët.

Aleanca për Shqiptarët ka kundërshtuar propozimin e kryetarit tl LSDM-së, Zoran Zaev për shkurtimin e pagës për administratën, si masë ekonomike në kohë krize. Nga ASH thonë se nuk ka arritur situata deri në atë pikë sa të shkurtohet rroga e të punësuarve nga sektori publik, sepse kjo masë shkel në mënyrë të drejtpërdrejt të drejtat e punëtorëve. Nga partia e Selës theksojnë se në vend se të shkurtohen rrogat e punëtorëve që përkrah rrezikut nga virusi vazhdojnë të punojnë, duhet të shkurtohen lukset e funksionarëve që me vite kanë shterur buxhetin shtetëror.

Nga Alternativa kanë theksuar se këto janë ditë të vështira për të gjithë dhe ato kërkojnë maturi e konsultim, por nuk durojnë protagonizëm, proteksionizëm ose bajraktarizëm. Ata gjykojnë se asnjë masë financiare nuk guxon të prodhojë qytetarë të dëmtuar dhe të pakënaqur, prandaj ata nuk do të mbështesin asnjë masë që është në dëm të qytetarëve.

Përveç partive politike nëpër rrjetet sociale kanë shprehur pakënaqësitë e tyre edhe shumë qytetarë  dhe figura publike. Mjeku Ilir Hasani ka shrkuar se në një moment, kur qeveritë e shteteve të tjera mundohen me çdo kusht të lehtësojnë jetën e qytetarëve të tyre, zvoglimi i rrogave të administratës publike do të ishte një barrë e rëndë që kjo shoqëri në këtë moment nuk mund ta mbaj. “Një gjë e tillë nuk do të ishte vetëm demotivuese për një shoqëri të izoluar në karantinë, por do të kishte pasoja te paparashikueshme. Na duhet motivim dhe ndjenja e sigurisë dhe kujdesit nga shteti. Jo demotivim”, ka shkruar Hasani.

Ndërkaq shumë funskionarë nëpër rrjetet sociale kanë filluar fushatën, “po shkurtim të rrogës për funskionarë, por jo edhe për administratën”.

Zaev po shkon drejt greminës!

Nëse analizohen me kujdes të gjitha masat që i ka propozuar partia që aktualisht është në qeveri del në skenë se ata kërkojnë një moratorium të të gjithë aktiviteteve në shtet për dy muaj, dhe propozohet që qytetarët të mbijetojën këta dy muaj vetëm me pagë minimale.

Por vetëm paga minimale nuk mund t’i plotësojë as shpenzimet elementare të qytetarëve, qoftë faturat fikse të çdo familje, e pa folur për shpenzimet e tjera për ushqim dhe furnizime të tjera.

Nëse Zaev vërtet dëshironte të dilte me masa efikase, ideja që t’iu shkurtohen të ardhurat funksionarëve shtetërorë në këtë kohë, kur shumica prej tyre i kanë ndërprerë edhe aktivitete mund të konsiderohej nga qytetarët, duke pasur parasysh se në opinion është krijuar perceptimi se janë funksionarët dhe shtresa elite ajo që e zhvatën shtetin me vite të tëra. Sidomos nëse ritkhejmë në kujtesë vjedhjet e shumta nga qeveritë e deritansihme dhe mosndëshmin e tyre.

Zemërim më të madh ka shkaktuar njoftimi se do t’iu shkurtohen paga administartës publike dhe asaj shtetërore, e që i bie që mësuesit, edukatorët, administara shtetërore dhe shumë institucione të tjera për çdo nga dy muajt e ardhshëm do të marrin gati 60 për qind më pak të ardhura.

Zaev duke dashur të ndihmojë sektorin privat ka dëmtuar atë shtetëror. Por ekonomistët e mirë gjejnë metoda si të ndihmojnë sektorin privat pa e dëmtuar atë shtetëror, që është vazhdimisht në krye të detyrës.

Në raste të tilla shteti duhet të marrë masa që kompanitë e mëdha që kanë të ardhura të larta të paguajnë tatimin për vitin në vijim para kohe, por sigurisht duke ua zvogëluar normën e tatimit.  Ose në raste të tilla të ndërpriten investimet kapitale dhe paratë të ndahen për nevojat e ekonomisë.

Nëse Zaev mendon se do të përfitojë pikë politike duke e ndihmuar sektorin privat, sërish gabohet, pasi në këtë formë nuk do të ndihmojë mjaftueshëm as sektorin privat me paga minimale, që do të thotë se të gjithë do të jenë të pakënaqur, edhe ata në sektorin privat edhe ata në sektorin shtetëror.

Në rrafshin politik nëse kalon ky propozim i LSDM-së dhe bëhet vendim i qeverisë kjo do të thotë vetvrasje politike për partinë e Zaevit, duke pasur parasysh se shumica e votuesve në Maqedoninë e Veriut janë administratë publike.

Zgjedhjet e 12 prillit që janë shtyrë në afat të pacaktuar, sigurisht që deri në vjeshtë do të duhet të organizohen sërish, dhe pikërisht qytetarët janë ata që do të ndëshkojnë gjithsecilin që do të marrë vendim t’ua shkurtojë të ardhurat në këtë kohë të vështirë ekonomike, kur dihet qartë se shporta konsumatore është dyfish më e lartë se paga minimale.

Marketing 2/1

Marketing 2/2

Marketing 2/1

Marketing 2/2

R ZH

Lajmet e fundit

Loading...