‘Ekipit robotik të vajzave afgane’ iu ofruan bursa nga universitete të jashtëzakonshme – amerikania tregon se si i ndihmoi të shpëtonin nga talebanët

Një nënë 60-vjeçare nga Oklahoma, e cila ndihmoi disa anëtare të një “ekipi robotik” të vajzave të njohura ndërkombëtarisht nga Afganistani të iknin nga vendi, tha se po ndihen “aq mirënjohëse” që janë jashtë këtij vendi.

 

Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, të martën, 10 nga të ashtuquajturat “Ëndërruesit afganë”, të moshës 16 deri në 18 vjeçe, ishin në gjendje të largoheshin nga Kabuli me një fluturim komercial në Doha, Katar, pas disa përpjekjeve të dështuara për të ikur nga vendi.

Një nga njerëzit që i ndihmoi ato të dilnin ishte Allyson Reneau, një nënë e 11 fëmijëve nga Oklahoma, e cila së pari u takua me vajzat në samitin e “Njerëzve në Mars” në Uashington DC në maj të vitit 2019.

“Ato lanë gjithçka për të ndjekur ëndrrat e tyre dhe për të qenë të lira dhe të arsimuara”, ka thënë Reneau për Business Insider. “Tani ato duket se janë të sigurta, mirë dhe të lumtura”.

Reneau, e cila u diplomua në Harvard në vitin 2016, tha se ajo mbante kontakte me ekipin që kur i takoi në konferencë.

“Duke qenë nënë e nëntë vajzave biologjike, u ndjeva e tërhequr menjëherë prej tyre dhe mendoj se ishte e ndërsjellë”, tha ajo.

Sipas mediave, përcjell Telegrafi, 60-vjeçarja tha se për javë të tëra vajzat i shkruanin mesazhe për situatën në Afganistan dhe se një mëngjes herët në gusht, ajo u zgjua me një “ndjenjë dërrmuese të tmerrshme se diçka nuk ishte në rregull”.

“Unë disi ndjeva se ishin në rrezik të madh. Ishte aq e theksuar sa duhej të ndërmerrja veprime”.

Për ditë të tëra, Reneau po përpiqej të fliste me senatorin e saj dhe zyrtarë të tjerë lokalë për të gjetur një mënyrë për të nxjerrë ekipin jashtë.

Por pasi hasi në shumë pengesa, ajo vendosi t’i merrte gjërat në duart e saj dhe të udhëtonte vetë në Katar.

Pak para fluturimit të saj, ajo kontaktoi një shok dhome të vjetër që jetonte në Katar dhe punonte për ambasadën.

Ky mik ishte në gjendje të paraqiste të gjitha dokumentet, dhe me ndihmën e ambasadës, filloi procesin e nxjerrjes së vajzave nga Kabuli.

Vetë Reneau vendosi të qëndrojë dhe të ndihmojë nga larg.

Kur mori lajmin se disa nga vajzat dolën të sigurta në fillim të kësaj jave, Reneau tha se ajo “shpërtheu në lot”.

“Mora një mesazh nga njëra prej vajzave që tha: Ne ia dolëm”.

Reneau tha se vajzat tani po presin të kuptojnë se ku të shkojnë nga Katari, por që ato tashmë kanë pasur një “bollëk ofertash për bursa nga universitete të jashtëzakonshme” në SHBA.

“Për herë të parë në jetën e tyre, unë me të vërtetë besoj se ato kanë lirinë për të zgjedhur dhe për të qenë arkitektet e fatit të tyre dhe të ardhmes së tyre”, tha ajo.

Related posts

Anketimet e zgjedhjeve të 2020-së në SHBA më të pasaktat prej dekadash

D V

Arrestime në Iran për keqtrajtimet e dyshuara në burg

N E

Koreja e Jugut regjistron numrin më të lartë të infektuarve me Kovid-19 në 6 muaj

N E

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More