Që nga pandemia e Kovid-19 në vitin 2020 dhe invazioni rus në Ukrainë, inflacioni ka qenë një sfidë e vazhdueshme për ekonominë tonë. Problemet që nisën atëherë, me rritjen e shpejtë të çmimeve, ende vazhdojnë të jenë një barrë për qytetarët edhe sot, në vitin 2025.
Nga periudha 2021-2024 janë zbatuar nëntë vendime të masave të Qeverisë, për sa i përket uljes së çmimeve, mirëpo sa kanë dhënë rezultate këto masa të Qeverisë?
Qytetarët mendojnë se masat e Qeverisë nuk japin efektin e duhur. Ata theksojnë se Qeveria më shumë duhet të angazhohet për rritjen e pagave, që do të ndikonte në zbutjen e inflacionit.
“Asgjë. Ato vendime që i miraton Qeveria është “muhabet bosh”. Aspak nuk ka ndikuar.”, – tha një qytetar.
“Qeveria ka ndërmarrë masa, por ajo është kot, pasi që këtu kompanitë e mëdha i sjellin produktet prej jashtë, te ne asgjë nuk prodhohet. Të gjitha produktet që vijnë janë nga Gjermania, Belgjika. Ashtu që si të them, rrogat duhet t’u rriten qytetarëve.”, – tha një qytetar tjetër.
“Çmimet janë të larta. Të ardhurat i kemi të vogla. Megjithëse unë nuk jam ekspert i ekonomisë, por siç po e shoh nga xhepi, vështirë po jetohet.”, – u shpreh një qytetar.
Nga Instituti për hulumtime dhe politika ekonomike “Finance Think” për TVM2 vlerësojnë se masat për kufizimin e çmimeve të ushqimit kanë vetëm një efekt afatshkurtër.
“Masat për kufizimin e çmimeve të ushqimeve kanë pasur një efekt të butë agregat dhe një efekt të fortë të menjëhershëm. Inflacioni mesatar i ushqimeve në periudhat pa masa ishte 0.5%, nga muaji në muaj. Me masat, mesatarisht, inflacioni i ushqimeve ishte negativ, maksimumi deri në -1%, që do të thotë se masat ulën çmimet e ushqimeve. Prandaj, efekti i vlerësuar është relativisht i madh. Megjithatë, ky efekt zbehet pas muajit të parë të zbatimit të masës (kur ajo zgjati më shumë se një muaj). Analiza tregon se masat për kufizimin e çmimeve të ushqimeve vetëm e qetësojnë përkohësisht inflacionin, sepse me heqjen e masës, çmimet rriten sërish.”, – theksojnë nga “Finance Think”.
“Finance Think” rekomandon që masat për kufizimin e çmimeve të ushqimeve duhet të përdoren vetëm në rastet e inflacionit tejet të lartë, kurse në të gjitha rastet e tjera ato duhet të zëvendësohen me masa të bazuara në parimet e tregut.
“Të zbatohet në mënyrë konsistente dhe të paanshme ligji për praktika të padrejta tregtare, të forcohen kapacitetet dhe mjetet e komisionit për mbrojtjen e konkurrencës, të rishikohet sistemi i subvencionimit bujqësor për prodhim më të madh vendas dhe mbështetje buxhetore e synuar për segmentet më të cenueshme të popullsisë.”, theksojnë nga “Finance Think”.
Masa e fundit, konkretisht ulja e çmimit për gati 1.200 produkte nga e ashtuquajtura “Shporta e Vitit të Ri”, zgjat edhe 2 ditë të tjera. Të dhënat e fundit tregojnë se çmimet e ushqimeve dhe pijeve joalkoolike janë ulur me 0.3% në muajin dhjetor krahasuar me nëntorin. Një ulje e ngjashme çmimi do të ketë edhe në mars për Ramazan dhe në prill për Pashkë. Një ulje më drastike e inflacionit pritet këtë vit, deri në 2.2%.