Eksodi i Bllacës, golgota që as nuk harrohet, e as falet! As pas 25, e as pas 250 viteve!

nga I Z

Shkup, 8 prill – Në Qendrën përkujtimore “Bllaca 99”, sot u shënua 25-vjetori i Eksodit të Bllacës, ngjarjes së dhimbshme të historisë kombëtare të fundit të shekullit njëzet, ku mijëra shqiptarë të Kosovës me dhunë u detyruan të largohen nga vendi i tyre për shkak të gjenocidit masiv të ushtruar nga pushteti serb. Me këtë rast, kujtimin e sakrificës së bashkëkombësve tanë, krahas përfaqësuesve të ITSHKSH-së, e nderuan dhe e përkrahën përfaqësues të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Hanit të Elezit.
Në hapje të ngjarjes, drejtori Skender Asani tha se memoriali “Bllaca 99”, që u themelua para pesë vjetësh me iniciativë të ITSHKSH-së, shërben si thirrje që Bllaca të shndërrohet në një “vendpelegrinazh për të nderuar dhe kujtuar viktimat e gjenocideve ndaj shqiptarëve në të gjitha kohërat, ide me anë të së cilës ne u dalim borxh viktimave të luftërave dhe vuajtjeve, në formën e një proteste dinjitoze ndaj tendencave që e mohojnë gjenocidin në Kosovë”.

Bllaca 99 paraqet një golgotë që as falet, e as harrohet, por që kërkon drejtësi. Këtë e premtoi edhe Vigan Qorroli, zëvendësministri i Drejtësisë në Republikën e Kosovës, me këtë rast tha se ministria është e angazhuar në administrimin e shkeljeve kundër të drejtave njerëzore me një infrastrukturë gjithnjë e më të përgatitur ligjore, gjë e cila i ka munguar më parë dhe njëkohësisht shprehu një mirënjohje të thellë për solidarizimin e shqiptarëve të Maqedonisë në kohërat më të vështira për Kosovën..

Me të drejtë Jahja Lluka, ka shkruar se në kufirin e Bllacës, po gërshëtoheshin, dy epoka të ndryshme. Viti 1999, po përmbyllte një cikël ku ç’njerëzia kishte triumfuar me vellon e saj të zezë, e që po gëlltiste trupa të gjallë, pa moshë e përtej moshes. “Prapa këtyre trupave që ishin ç’njerëzuar, po mbeteshin tokat e stërgjyshërve, andrrat, kujtimet, lotët, lindjet, dashuritë dhe varret. Po mbesnin luftëtarët të cilët deri në frymën e fundit, patën vullnetin t’i kthenin pushkën njërës ndër ushtritë më të fuqishme në Evropë, por që kjo e fundit veç luftë burrash nuk bënte.
Ishin hiena që donin me çdo kusht zhdukjen nga kjo tokë të një populli të tërë vetëm pse ky popull ishte shqiptar”.

Atdhe Hetemi, Drejtori i Institutit për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë, tha se institucioni në fjalë, i cili rishtazi u vu sërish në funksion, punon në drejtim të dokumentimit të çdo dëshmie që tregon për krimet e luftës dhe pasojat e tyre të tmerrshme, duke ndihmuar kështu në sjelljen e drejtësisë për viktimat por edhe në edukimin brezave të ardhshëm, gjë të cilën e thkesoi edhe Teuta Shala-Peli, drejtoreshë e Institutit të historisë “Ali Hadri” në Prishtinë, duke thënë se “vetëm me fakte dhe argumente duhet dëshmuar sakrifica e popullit shqiptar për të drejtat themelore të lirisë dhe pavarësisë.” Në ngjarje mori fjalën dhe kryetari i Komunës së Hanit të Elezit, Mehmet Ballazhi me një thirrje të përhershme ndaj institucioneve që të mbështesin këtë projekt për të përkujtuar atë që konsiderohet si “Holkausti i shqiptarëve”.

Viti 1999 shënon një kthesë për shqiptarët, bota e kuptoi se ky popull asnjëhere nuk ushtroi gjenocid dhe dhunë ndaj askujt, veç se qe i detyruar me mish e shpirt të luftojë për ta mbrojtë pragun e shpisë, që të rrojë me dinjitet në trojet e veta, trashëgim dhe amanet nga të parët. Bllaca ishte vendi dhe momenti që preku ndërgjegjen ndërkombëtare, që alarmoi botën e qytetëruar dhe pjesë e mozaikut që bindi fuqitë më të mëdha demokratike se regjimi i Millosheviqit është një regjim që nuk njeh gjuhë tjetër, përpos asaj të ndërhyrjes ushtarake, gjë që u tregua me vend dhe e detyroi një regjim dhe shtet antinjerëzor të ngrit flamurin e bardhë.

Llogaritet se rreth 440 mijë refugjatë shqiptarë të dëbuar nga forcat serbe, pas nisjes së bombardimeve të NATO-s, kanë kaluar nëpër kampin e Bllacës. Mijëra shqiptarë po hypnin në tren në Fushë Kosovë ku ia msyn drejt kufirit me Maqedoninë e Veriut. Jo me dëshirë, por dhunshëm po dëboheshin nga okupatori serb, askush nuk e dinte se si do të përfundonte rruga larg shtëpive të tyre. Me ditë të tëra qëndruan në pikën kufitare me Maqedoninë në fshatin Bllacë. Binte shi dhe koha ishte e ftohtë. Fëmijët qanin nga uria, kërkonin qumësht, bukë, ujë… Nuk kishim ushqim të mjaftueshëm, ishim shumë të uritur dhe të frikësuar./Zhurnal

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More