Maqedoni Temë

Ekspertët: Maqedonia e Veriut të rrisë nivelin e sigurisë pas sulmeve të fundit terroriste, në Francë e Austri

Zhurnal Ads

Shkup, 3 nëntor, zhurnal.mk – Maqedonia e Veriut duhet të vendosë të rrisë nivelin e sigurisë pas sulmeve të fundit terroriste, në Francë dy sulme me tre të vdekur dhe disa të plagosur pas publikimit të karikaturave të profetit Muhamed, dhe një në Vjenë i ndodhur mbrëmjen e djeshme, me 4 viktima. Kështu shprehen ekspertët e sigurisë për Zhurnal pas sulmeve terroriste që ndodhën gjatë ditëve të fundit në kryeqendrat europiane.

Sipas tyre asnjë shtet nuk është i përjashtuar nga këto rreziqe, andaj edhe shteti jonë duhet ta rrisë nivelin e sigurisë.

“Vet termi Terrorizëm buron nga fjala franceze “terore” që do të thotë pasiguri, frikë. “Normal që nga momenti që rrezikohet e drejta publike ose siguria publike në nivel shtetërorë menjëherë shteti është i detyruar që të ndërmerr veprime duke e ditur se një nga elementet bazë dhe dilemat që po ndodhin aktualisht edhe në nivel mbarëkombëtar, asnjë shtet nuk është i përjashtuar nga këto rreziqe. Një pjesë e këtyre rreziqeve si duket ose janë të orkestruara nga vet shtetet për arsye se terrorizmi nuk funksionon vetëm si grupe njerëzish, por ka një hierarki e cila në rrethana të caktuara di të veprojë me forma të ndryshme varësisht nga vendi, shteti, ambienti e kështu me rradhë. Unë besojë se e gjithë burimi i kësaj pikërisht vjen nga Franca dhe si duket Franca është ajo e cila aktualisht ka indikacionet që mendojmë ne se është involmim, fatkeqësisht që imponohet”, ka deklaruar për Zhurnal, Bashkim Selmani, profesor universitar.

Sipas tij, këto sulme mund të organizojnë pjestarë nga gjitha komunitetet apo fetë të ndryshme, por Selmani thotë se terrorizmi nuk ka fe as komb.

“Mund të jenë edhe komuniteti ortodoks apo tjerat që mund ti organizojnë këto rrethana, prandaj kur bëjmë fjalë për terrorizmin nuk ka këtu as fe as komb asnjë gjë, por jam qëllime të grupacioneve të caktuara të cilat fatkeqësisht mund të jenë edhe shtetet të involvuara që i dirigjojnë gjitha këto”, ka deklaruar, Bashkim Selmani, Profesor Universitar.

Nga ana tjetër, Hasim Murtezani, ekspert i sigurisë, për Zhurnal ka theksuar se asnjë shtet në botë nuk është imun ndaj sulmeve terroriste dhe kjo nënkupton se vigjilenca e organeve të sigurisë dhe inteligjencës duhet të jenë gjithmonë aktive dhe në hetim të rasteve që mund sipas informacioneve që i posedojnë të paraqesin rrezik për sigurinë e qytetarëve dhe vet shtetit në fjalë.

Sipas tij terrorizmi në fakt për shekullin 21 është sfidë botërore sepse aktet terroriste në shumë raste janë të paparashikueshme dhe shumë shpesh një hap para organeve të inteligjencës dhe sigurisë.

“Sot individë që vijnë nga konfensione të ndryshme fetare po përdorin metoda befasuese që defakto për organet e sigurisë paraqesin huti dhe në fakt pamundësi preventive në parandalimin e akteve të këtilla terroriste. Metoda më e mire është preventiva bashkëpunimi intensiv i organeve të sigurisë shtetërore me të gjithë faktorët qofshin ata dhe me qytetarë të cilët kanë dyshime dhe indicje se në një vend apo lokacion të caktuar po përgatitet dhe ndodhin lëvizje të rrezikshme paraprake. Mendoj se asnjë shtet nuk e gëzon komoditetin që të ndjehet i sigurtë se nuk mund të atakohet nga sulmet terroriste por që informacionet flasin se target i shumë sulmeve të këtilla janë kryesishtë shtetet europiane, skandinave dhe ato të SHBA-së nga fakti i implikimit të shumë shteteve ndaj luftës kundër terrorizmit! Siguria ju takon vetëm atyre shteteve të cilat masat preventive do ti kenë maximum të angazhuara në detektimin paraprak të individëve dhe sulmeve të këtilla ndaj qytetarëve të pafajshëm të cilët ngelin viktima fal agjendave të ndryshme dhe motiveve patologjike që kanë njerëz apo organizata të ndryshme!”, ka deklaruar për Zhurnal, Hasim Murtezani, ekspert i sigurisë.

Ndryshe, policia austriake po kërkon për të paktën një të dyshuar pas një sulmi të shumëfishtë me armë në kryeqytetin, Vjenë, që la katër persona të vrarë.

Shtatëmbëdhjetë njerëz të tjerë janë plagosur – disa rëndë – pasi persona të armatosur hapën zjarr në gjashtë vende të ndryshme, në qendër të qytetit të hënën në mbrëmje.

Një sulmues u qëllua për vdekje nga policia, thanë zyrtarët, dhe një u arrestua, transmeton BBC.

Një nga sulmuesit siç është konfirmuar edhe nga MPB-ja austriake, është edhe një 20 vjeçar nga Maqedonia e Veriut.

Ministri i Brendshëm, Karl Nehammer, e përshkroi sulmuesin e vrarë nga policia si një “terrorist islamik”.

Viktimat janë dy gra dhe dy burra. Njëra nga gratë thuhet se ishte kameriere. Gruaja e dytë vdiq nga plagët e saj në spital, thanë raportet.

Viktimat ishin në një zonë të qendrës së qytetit të mbushur me njerëz në bare dhe restorante, afër sinagogës qendrore të Vjenës, por nuk është ende e qartë nëse ajo ishte shënjestra e sulmit.

Shtatë nga të plagosurit kanë plagë të rrezikshme për jetën, raportojnë mediat austriake.

Kancelari austriak Sebastian Kurz e quajti atë një “sulm të neveritshëm terrorist”.

Shumë shtete mbrëmë e kanë dënuar terrorizmin në të gjitha format dhe manifestimet e veta, duke theksuar se asnjë rrethanë dhe asnjë motiv nuk mund ta justifikojë terrorizmin. Njëkohësisht, shtetet kanë theksuar se lufta kundër terrorizmit gjithmonë duhet të zhvillohet në përputhje me parimin e sundimit të shtetit ligjor, me jurisprudencën ndërkombëtare për të drejtat e njeriut.

Postime të ngjashme

Zaev, Vuçiç dhe Rama nënshkruajnë nesër marrëveshje bashkëpunimi për luftën kundër Covid 19

T E

Mbështetje financiare për 48 kompani që vendosën të investojnë në kohë të krizës

admin

Pas ankesave të qytetarëve, fillon sanimi i problemit me ujërat e zeza në Fushë Tophanë

Z H
duke ngarkuar....

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read more...