Shkup, 12 shkurt – Një nga temat që shpesh diskutohet në fushën e teknologjisë është inteligjenca artificiale, për të cilën shpesh ka debat dhe dyshime se do të dëmtojë tregun e punës dhe do të zëvendësojë punëtorë në shumë sektore. Megjithëse, zëvendësimi i punëtorëve në disa sektore nga inteligjenca artificiale mund të ndodhë, sërish AI nuk do të mund të zëvendësojë të gjithë.
Eksperti i AI, Ervin Shaqiri, i ftuar në emisionin Ftesë në Studio theksoi se nuk duhet ti frikësohemi inteligjencës artificiale, por duhet ta shfrytëzojmë për të lehtësuar punët. Sipas tij inteligjenca artificiale nuk do të shkatërrojë botën, përkundrazi do të krijojë mundësi të reja qoftë në biznes, qoftë në medicinë apo fusha të tjera.
“Ajo që gjithmonë e has në diskutim është se thonë njerzit çfarë bëni ju me inteligjencën artificiale, do ta shkatërroni botën, do bëhet keq, por jo, duhet ta kuptojnë që është matematikë, algjebër, që nuk është qenie mbinatyrore. Shembull chatgpt kur e përdorin janë të gjitha të dhënat të cilat janë në internet, atë që ka qasje, është një term që përdoret, i quajnë papagaj, që atë që e ka lexu online, ta jep, por ta jep sipas asaj që ti e kërkon.” – tha Ervin Shaqiri, ekspert i inteligjencës artificiale.
Shaqiri u shpreh se Maqedonia ende lë për të dëshiruar sa i përket integrimit të inteligjencës artificiale në sektore të ndryshme dhe se ne duhet ta integrojmë sa më shpejt këtë, në mëynrë që të merren të mirat që të jep inteligjenca artificiale.