Shkup, 16 prill – Me eksportin e sotëm të tre kontejnerëve të fundit me rreth 63 tonë dhe të kontaminuar me lindan nga deponia e vogël në ish fabrikën OHIS në Shkup finalizohet “LOT” 3 (Pjesa e tretë). Siç informojnë për MIA-n nga Inspektorati shtetëror i mjedisit jetësor (ISHMJ), destinacioni i fundit i tre kontejnerëve është kompania Indaver HIM Gmbh në Gjermani.
Njëherësh, sot do të eksportohen edhe gjashtë kontejnerët e parë me mbetje nga lindani në një sasi totale prej rreth 120 tonë nga “LOT” 4. Destinacioni i fundit i këtyre kontenjerëve është në firmën Tredi Sv. Vulbas në Francë.
“Për ‘LOT’ 4 janë siguruar mjete dhe janë pritur që në dy tre muajt e ardhshëm plotësisht të realizohen. Mbetet të sigurohen mjete për ‘LOT’ 5 me çka plotësisht do të pastrohet deponia e vogël me lindan në zonën e Ohisit. Problem më të madh do të paraqesë edhe pastrimi i deponisë së madhe me lindan e cila përfshin edhe një pjesë të Pelenicës për të cilën do të nevojiten shumë më tepër mjete që duhet të sigurohen”, theksojnë për MIA-n nga Inspektorati shtetëror për mjedis jetësor.
Ata theksojnë se gjatë ditës inspektori kryesor i mjedisit jetësor Hisni Thaçi do të bëjë inspektimin e deponisë së vogël në OHIS.