Interpol Tirana në bashkëpunim me autoritetet italiane kanë ekstraduar nga Italia një shtetas të dënuar në vitin 1998 për vrasje të dyfishtë.
“Operacioni policor ndërkombëtar i koduar “Verdikti”, i finalizuar në prill 2024, në Itali për kapjen e këtij shtetasi u zhvillua falë informacionit të siguruar nga Departamenti i Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit dhe të shkëmbyer nga Interpol Tirana me Interpol Romën, Policinë e Materas, Itali, me koordinimin e Zyrës së Interforcës Italiane, Zyrës së Ekspertëve Italianë të Sigurisë, në Shqipëri, dhe Shërbimit për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor – Divizioni i 2-të, Romë.
Si rezultat i koordinimit të punës ndërmjet specialistëve të Interpol Tiranës dhe homologëve të tyre në Romë, u finalizua procedura për ekstradimin në Shqipëri, të shtetasit Gjovalin Lesi, 56 vjeç, i lindur në Lezhë”, bëri me dije policia.
Në vitin 1997, shtetasi Gjovalin Lesi, pas një konflikti për motive të dobëta, në fshatin Rrasfik, Rubik, vrau me armë zjarri kallashnikov, motrën dhe bashkëshortin e saj.