Ylli i Paris Saint-Germain, Kylian Mbappe ka folur në zonën mikse pas fitores ndaj Barcelonës, duke bërë të qartë se tani mendja e tij është te PSG dhe të arrijë qëllimin e tij të madh, atë të fitimit të Ligës së Kampionëve.
PSG mori një fitore të madhe 4-1 në udhëtim te Barcelona në ndeshjen e dytë çerekfinale të Ligës së Kampionëve, duke siguruar një vend në gjysmëfinale.
Kjo fitore lumturoi kampin parisien, e në veçanti yllin e skuadrës, Mbappe, i cili ëndërron ta fitojë Ligën e Kampionëve, përpara se të paketojë valixhet në fund të muajit qershor.
“Jam krenar që jam këtu që nga dita e parë. Krenaria që kam luajtur për këtë klub, për të përfaqësuar klubin nga kryeqyteti i vendit tim, është diçka e veçantë për mua, që jam rritur këtu, të përjetosh një natë të tillë si parisian, kemi bërë një hap tjetër, por duhet të qëndrojmë të qetë”, ka thënë fillimisht Mbappe.
“Ëndrra ime është të fitoj Ligën e Kampionëve me PSG. Ne mundëm një ekip të madh dhe do të përpiqemi të arrijmë në Wembley”.
“Kemi luajtur një lojë të mrekullueshme si ekip, si kolektiv. Ne punuam gjatë gjashtë ditëve nga ndeshja e parë me idenë se do ta bënim atë, se do të fitonim këtu. Është një ditë e mrekullueshme për të gjithë në klub”, përfundoi ylli francez.