Stamboll, 28 shkurt – Nënshkrimi i deklaratës politike për themelimin e Këshillit për bashkëpunim të nivelit të lartë ndërmjet Turqisë dhe Maqedonisë së Veriut është një hap shumë domethënës me të cilin mund t’i ngremë marrëdhëniet në një nivel edhe më të lartë ndërmjet dy vendeve tona në tregti dhe ekonomi. Shpresoj të marr pjesë në seancën e parë të Këshillit që do të mbahet në Skoje, theksoi presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan në një konferencë të përbashkët për shtyp me kryeministrin Hristijan Mickoski pas nënshkrimit të deklaratës.
Erdogani, duke shprehur ngrohtësisht kënaqësinë e tij që është nikoqir i kryeministrit Mickoski dhe delegacionit të tij në Stamboll, theksoi se qëllimi i dokumentit është që shkëmbimi tregtar, i cili vitin e kaluar arriti rreth një miliard euro, të jetë në të njëjtin raport mes dy vendeve.
“Vitin e kaluar ne kemi pasur rreth një miliardë dollarë shkëmbim tregtar dhe mendoj se në rastin e parë duhet ta sjellim në mënyrë të dyanshme. Ekziston një Marrëveshje për tregti të lirë midis dy vendeve që duhet të rishikohet përsëri. Sot iu referuam konkretisht marrëdhënieve që kemi në fushën ushtarake dhe në sferën e industrisë së mbrojtjes. Turqia është një nga vendet e para që ka njohur pavarësinë e Maqedonisë së Veriut. Si bashkëpunëtori ynë në NATO, ne jemi dy vende mike që ndikojnë drejtpërdrejt në ruajtjen e paqes në Ballkan. Marrëdhëniet tona mbi 30 vjet janë po aq të forta sa Ura e Gurit në Shkup,” tha Erdogan.
Ai gjithashtu theksoi rëndësinë e komunitetit turk në Maqedoninë e Veriut për ruajtjen e marrëdhënieve të ngushta mes dy vendeve.
“Ballkani nuk duhet parë si vend për konkurrencë mes kombeve. Përkundrazi, duhet të jetë një fushë për bashkëpunim dhe zhvillim të përbashkët. Gjëja më domethënëse që lidh dy vendet janë turqit që jetojnë dhe komuniteti i tyre në Maqedoninë e Veriut. Ata më parë migruan nga Anadolia dhe erdhën në Maqedoninë e veriut në atë gjeografi dhe formuan themelet e tyre kulturore që na lidhin”, tha Erdogan.
Ai tha se në bisedat e tyre i kishte përmendur kryeministrit se “kjo miqësi e jona është nën presionin e FETO-s dhe duhet të luftojmë bashkë kundër tyre”.
Të dy iu referuan dhe shkëmbyen mendime për çështjet gjeostrategjike rajonale dhe globale si konflikti në Ukrainë dhe Gazë.
Për Turqinë, siç tha Erdogani, është thelbësore që konflikti në Ukrainë të zgjidhet përmes bisedimeve. Lidhur me situatën në Palestinë, theksoi se të dy vendet ndajnë të njëjtin qëndrim, e ky është përmes formimit të dy shteteve.