Ermal Dredha rikthehet në diplomaci, Komisioni për Punët e Jashtme e miraton me konsensus si ambasador të Shqipërisë në Zvicër

nga L. M

Komisioni i Punëve të Jashtme ka miratuar me konsensus propozimin për emërimin e Ermal Dredhës si ambasador i ardhshëm i Shqipërisë në Konfederatën e Zvicrës, me rezidencë në Bernë, dhe në Principatën e Lihtenshtejnit, si jo rezident.

Ky zhvillim shënon rikthimin e Dredhës në shërbimin diplomatik pas një periudhe dyvjeçare në krye të Bashkisë së Vlorës.

Emri i tij u prezantua sot në Komisionin për Evropën dhe Punët e Jashtme, ku mori mbështetjen e plotë nga deputetët e mazhorancës dhe opozitës.

Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Armand Skapi, e cilësoi Dredhën si një diplomat me eksperiencë të gjerë, që ka shërbyer me profesionalizëm në poste të rëndësishme brenda dhe jashtë vendit.

Ai kujtoi se Dredha ka qenë Konsull i Përgjithshëm në Bari dhe ambasador në Emiratet e Bashkuara Arabe nga viti 2016 deri në 2023.

Gjatë seancës dëgjimore, Dredha prezantoi vizionin e tij për marrëdhëniet me Zvicrën, duke e cilësuar atë si një nga partnerët më të qëndrueshëm të Shqipërisë në tri dekadat e fundit.

Për sa i përket marrëdhënieve ekonomike. Dredha vlerësoi se Zvicra është një nga investitorët kryesorë në Shqipëri.

Gjithashtu ka kontribut të qenësishëm këto vitet e fundit për sa i përket pjesë së donacioneve apo granteve në shërbim të politikave zhvillimore. Shkëmbimet tregtare nuk janë në nivelin që ne duam por ky do të jetë prioritet i mandatit tim përmes lidhjeve të kontakteve dhe bizneseve dhe organizimit të forumeve ekonomike”, tha Dredha.

Ai u zotua të punojë për forcimin e dialogut politik dhe institucional, thellimin e bashkëpunimit në fushat e sigurisë, emigracionit, rendit publik dhe mbrojtjes civile, si dhe për rritjen e shkëmbimeve ekonomike dhe investimeve.

Zvicra ka qenë një mbështetëse e reformave institucionale dhe e qeverisjes demokratike në Shqipëri. Ky partneritet duhet të thellohet më tej,” tha Dredha, duke shtuar se do të angazhohet për diplomacinë parlamentare dhe për krijimin e urave të forta me diasporën shqiptare në Zvicër.

Me këtë emërim, Dredha rikthehet në shërbimin diplomatik, duke sjellë me vete një përvojë të pasur dhe një angazhim të qartë për forcimin e marrëdhënieve dypalëshe me një nga vendet më të rëndësishme për Shqipërinë në Evropë.

Pas një karriere 20-vjeçare në shërbimin e jashtëm dhe një periudhe dyvjeçare si kryetar i Bashkisë së Vlorës, Ermal Dredha i rikthehet diplomacisë si kandidat për ambasador të Shqipërisë në Konfederatën e Zvicrës.

https://www.facebook.com/share/p/1D1U68Pc2m

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More