Deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, ka bërë këtë të martë një kërkesë zyrtare në Gjykatën e Lartë për pezullimin e dënimit të tij me burg.
Salianji u dënua me 1 vit burg për kallëzim të rremë në kuadër të çështjes së njohur si “Babale”.
Në kërkesën e tij, deputeti i PD kërkon që ekzekutimi i dënimit të pezullohet deri në përfundimin e shqyrtimit nga Gjykata e Lartë, duke argumentuar se procesi ka qenë i parregullt dhe se vendimi i marrë është i diskutueshëm.
“Në lidhje me cilësinë aktuale të deputetit, do i referohemi faktit që ende nuk ka një vendimmarrje të Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve në zbatim të nenit 164 të K.Zgjedhor1, çka do të thotë që pezullimi i ekzekutimit është i rëndësishëm përveçse për vuajtjen e dënimit me burgim, por edhe për ruajtjen e mandatit të deputetit si një mandat që i takon popullit”, thuhet në kërkesë.
Avokatët e Salianjit pretendojnë se dënimi është i motivuar politikisht dhe nuk bazohet në prova të mjaftueshme, duke theksuar se klienti i tyre nuk duhet të vuajë dënimin deri sa të përfundojë procedura gjyqësore në instancat më të larta.
Në lidhje me dënimin e Salianjit, opozita pritet të nis më 7 tetor nga Tirana mosbindjen civile, e cila sipas zyrtarëve të PD do të shtrihet në të gjithë Shqipërinë.