Fatbardh Kadilli: PD mbetet shumë larg demokracisë së brendshme

Fatbardh Kadilli, një nga emrat që sfidoi Bashën në garën për kreun e PD, mendon se c’montimi i monopolit të Kryetarit mbi partinë është proces jetik për demokratizimin e partisë. Sipas Kadillit duhen gjetur rrugë për kufizimin e autoritetit të Kryetarit.

 

Ai, në një shkrim të gjatë të publikuar në faqen e tij në facebook, thotë se vota e anëtarit cmonton vulën e kryetarit.

Fatbardh kadilli shton se PD është sot larg demokracisë së brendshme.

Postimi i plotë i Kadillit:

Çmontimi i monopolit të Kryetarit mbi partinë dhe anëtarësinë është proçes jo thjeshtë i nevojshëm, por jetik për demokratizimin e partisë. Sa kohë të vazhdojmë të kemi këtë gjëndje në partitë tona, ku njëshi dominon i patrazuar, shancet për demokratizimin e partive dhe të vetë shoqërisë mbeten shumë të pakta.

Ndaj të gjithë duhet të jemi në kërkim dhe në mbështetje të çdo rruge që siguron kufizimin e autoritetit të Kryetarit në Parti. Kjo nuk i intereson vetëm anëtarëve të partisë. Kjo është çështje me ndikim të madh në shoqëri, sepse është e qartë dhe e provuar në çdo eksperiment që kemi bërë deri më sot me demokracinë tonë, që Kryetarët siç sillen kur drejtojnë partinë, ashtu do sillen dhe në pushtet.

Që partitë të jenë demokratike duhet të demostrojnë në rradhë të parë sjellje dhe praktikë të ngulitur demokratike në funksionimin e tyre. Si mund të jetë demokratike partia kur vendimet merren nga Kryetari dhe forumet gjithnjë e më shpesh i shohim si noterizues të vendimeve.

Edhe pse PD ka më shumë hapsirë dhe nerv demokratik në funksionimin e saj, përsëri mbetet shumë larg një demokracie të brendshme që të jetë ftuese, që të jetë garantiste dhe të sigurojë vlerësimin e kontributit dhe mos pengimin e karrierës.

Vendosja e primareve si rregull statutor për zgjedhjen e drejtuesve të çdo niveli dhe për zgjedhjen e kandidatëve për Parlament dhe për Bashki është një ndryshim rrënjësor. Dhe nuk është fjala vetëm për mënyrën e votimit, pra me aplikimin e parimit “një anëtar – një votë”. Ky është një standard që jep një mundësi. Por, që të funksionojë duhet që dhe kandidimi të jetë një e drejtë e garantuar për këdo. E drejta për të kandiduar nuk mund të pengohet, as nga vullneti i Kryetarit dhe as nga shoshitja e Forumeve.

Po të vendosim në PD rregullin e të drejtës së pakufizuar të kandidimit dhe votimin “një anëtar – një votë”, do të jemi të parët mes partive shqiptare që hedhim një hap të rëndësishëm demokratizues. Ky do jetë një ndryshim rrënjësor, jo vetëm për ne, por do të jetë një model që do na rikthejë në sytë e qytetarëve si forcë perëndimore, si forcë progresi. Kjo e bën Partinë vërtetë demokratike.

Këto dy parime janë themelore. Por, duhet së bashku me parimet e bukura dhe të shumëpëlqyera të shohim me kujdes edhe praktikën. Për këtë duhet që të ndajmë rolin e kryetarit si udhëheqës politik nga roli i drejtuesit administrativ të partisë. Kjo ndarje së pari kufizon rolin e Kryetarit vetëm si udhëheqës i një projekti politik të vetëm. E bën që gjithë energjitë e tij dhe të mbështetjes të kanalizohen tek një drejtim – ta bëjnë partinë forcë fituese, forcë qeverisëse. Por, fakti që ka mandat të udhëheq partinë deri në përballjen me kundërshtarin në një garë elektorale, nuk i jep të drejtën Kryetarit ta marrë peng partinë përgjithnjë.

Ndaj, drejtimi administrativ i partisë ndahet. Atë nuk mund ta bëjë më Kryetari, por një trupë tjetër. Këshilli i të urtëve është një mekanizëm që garanton partinë, garanton vazhdimësinë e partisë përtej një projekti të një kryetari të rradhës. Ky këshill duhet të përgjigjet për organizimin dhe regjistrimin e strukturave, për regjistrimin e anëtarësisë, për aspekte statutore, për organizimin e zgjedhjeve për drejtuesit partiak dhe për kandidatët që ne nxjerrim në garat elektorale, qendrore dhe lokale. Ky këshill duhet të garantojë dhe përdorimin e balancuar dhe proporcional të financave të partisë, mes qendrës dhe degëve.

Vetëm me këtë ndarje të rolit politik nga ai administrativ, parimi i zgjedhjeve me primare do të ishte real.

Këto ndryshime forcojnë votën e anëtarit dhe çmontojnë vulën e kryetarit. Këto na shërbejnë të kuptojmë se kryetarët janë të përkohshëm dhe strukturat partiake dhe anëtarësia janë të përhershme.

Related posts

Rama: Mosveprimi i policisë vjen nga korruptimi dhe bashkëpunimi në krim

N E

Rama uron pavarësinë e Amerikës, qytetarët i urojnë ditëlindjen

Z H

Rriten shifrat në vend/ Humbin jetën 10 persona nga COVID, infektohen 826 të tjerë në 24 orë

D V

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More