Shkup, 15 korrik – Faza e portokalltë do të mbretërojë në vend edhe gjatë kësaj jave me temperatura jashtëzakonisht të larta, bëjnë të ditur nga Enti hidrometeorologjik. Në rajonet më të ngrohta qendrore dhe juglindore temperaturat kësaj jave pritet të arrijnë deri në rreth 45 gradë celsius.
Edhe përkundër rekomandimeve të Qeverisë që të mos punohet nga ora 11:00 deri në ora 17:00 në të hapur prapë se prapë pamja që detektoi objektivi i kamerës sonë është ndryshe në objektet ndërtimore, ku shumë shpesh mundet të vërehen punëtorë. Nga sindikata e ndërtimtarisë në LSM thuhet se në inspektoratin shtetëror paraqiten mbi dhjetë ankesa, me kërkesë që të ndryshohet ligji i sigurisë gjatë procesit të punës.
“Ne si sindikatë e ndërtimtarisë kemi mjaft kompani të cilat respektojnë dialogun social, të cilat nuk punojnë në këtë periudhë kohore, të mos them, por pjesa më e madhe e punëdhënësve, nuk i respektojnë masat, por ne si sindikatë nuk kemi çfarë të bëjmë përveç se të parashtrojmë ankesa deri te inspektorati shtetëror i tregut të punës dhe është ky institucion që duhet të veprojë në terren. Përderisa nuk ndryshohet ligji, për siguri gjatë punës që të ndalohet puna, gjatë kësaj periudhe deri atëherë do të na paraqiten të gjitha këto situata, çdo ditë parashtrohen diku dhjetëra padi. Gjithsej 90 parashtresa që i kemi dorëzuar janë në dobi të punëtorëve, por fillimisht parashtrohet vërejtje dhe derisa të parashtrohet dispozitë kundërvajtëse që të paguajnë dënim punëdhënësit kalon një periudhë tejet e gjatë kohore.”, – theksoi Ivan Peshevski nga Sindikata e ndërtimtarisë.
Punëdhënësit duhet t’i vlerësojnë punëtorët dhe kushtet në të cilat punojnë, konsideron kryetari i Shoqatës për mbrojtje gjatë punës, Millan Petkovski. Sipas tij, duhet të përshtatet koha në të cilën mund të punojnë punëtorët dhe ky është obligim ligjor që duhet të respektohet.
“Sipas informacioneve që i posedojmë deri më tani, edhe Inspektorati shtetëror i punës është në terren, nëse janë edhe ata punëtorë, duhet mbrojtur edhe ata, sepse janë të ekspozuar në të njëjtat kushte për punë, si ata që punojnë në ndërtimtari ose edhe të gjithë punëtorët tjerë që punojnë në kushte të tilla kur kemi temperaturë ekstreme.”, – u shpreh kryetari i Shoqatës për mbrojtje gjatë punës, Millan Petkovski.
Sipas të dhënave të Entit hidrometeorologjik, i nxehti ekstrem do të mbizotërojë deri të enjten, ndërsa të premten pritet rënie të temperaturave.