Fetai takoi delegacionin malazes për interkulturalizëm

nga D. V.

Shkup, 24 prill – Zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut, i ngarkuar për politikat e qeverisjes së mirë, Arben Fetai, priti sot në takim pune, Ludmila Popoviq, drejtoreshë e Drejtorisë për Interkulturalizëm pranë Ministrisë për të Drejtat e Pakicave të Malit të Zi, së bashku me bashkëpunëtorët e saj, Arben Xhureta, drejtor i Drejtorisë për Mbrojtjen e Pakicave dhe Kristian Dukaj, këshilltar i pavarur për çështje të interkulturalizmit.

Në takim, siç kumtoi Kabineti i Fetait, u diskutua rëndësia e zhvillimit të mëtejshëm të konceptit të interkulturalizmit si bazë për mbrojtjen e vlerave kulturore të komuniteteve, garantimin e mirëqenies dhe ndërtimin e paqes së qëndrueshme në shoqëritë tona.

“Popoviq ndau përvojën e Malit të Zi në zhvillimin e politikave multikulturore, të cilat, siç theksoi ajo, kanë qenë themeli i pavarësisë dhe i orientimit evropian të vendit. Ajo theksoi nevojën për nisma të përbashkëta rajonale që promovojnë të drejtat dhe liritë e pakicave, të mbështetura në vlera universale dhe standarde demokratike”, thuhet në kumtesë.

Ndërkohë, drejtori Xhureta u përqëndrua në pozitën e shqiptarëve në Mal të Zi, duke theksuar se përfaqësimi i tyre në institucionet shtetërore është përmirësuar ndjeshëm, me pjesëmarrje me tri ministri dhe një pozitë të zëvendëskryeministrit.

Zëvendëskryeministri Fetai prezantoi prioritetet e kabinetit të tij, duke vënë theksin në luftën kundër krimit dhe konfiskimin e pasurisë së paligjshme, forcimin e transparencës institucionale dhe thellimin e bashkëpunimit me shoqërinë civile.

Siç thuhet në kumtesë, Fetai shprehu mbështetje për të gjitha nismat që promovojnë mirëkuptimin ndërmjet komuniteteve, veçanërisht në luftën kundër gjuhës së urrejtjes dhe promovimin e një diskursi gjithëpërfshirës publik.

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More