Shkup, 30 tetor, zhurnal.mk – Ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe i vizitoi studentët e vitit të gjashtë në mjekësi të përgjithshme, të cilët ndihmojnë në përpunimin e listave anketuese në Institutin për shëndet publik.
Rreth 40 studentë janë përfshirë në këtë projekt dhe përveç Institutit për shëndet publik, ata janë angazhuar edhe në Inspektoratin sanitar shtetëror dhe në Qendrën për shëndet publik në Shkup, kumtoi Ministria e Shëndetësisë.
Gjatë javëve të ardhshme, siç thuhet, në pajtim me nevojat, një numër shtesë i studentëve do të sistemohen edhe në qendrat për shëndet publik në vend. Të gjithë ata do të ndihmojnë në përpunimin dhe vendosjen e të dhënave nga listat anketuese të kontakteve të pacentëve pozitivë me kovid-19.
“Gjetja e kontakteve dhe izolimi i tyre është një nga sfidat më të mëdha, me të cilën pandërprerë ballafaqohemi. Dhe për këtë na duhet ndihmë. Pjesëmarrja e studentëve është kontribut tejet i madh tani dhe në periudhën që vijon.Nga ana tjetër, këto detyra pune do t’u ofrojnë studentëve përvojë të madhe në sferën e epidemiologjisë dhe shëndetin publik. Studentët janë përfshirë në këtë projekt pas takimit të ministrit me dekanen e Fakultetit të mjekësisë në Shkup, Sonja Topuzovska, ku është arritur marrëveshje që angazhmani të zgjat gjashtë muaj, ndërsa studentët, përveç se do të fitojnë përvojë, në këtë mënyrë do ta realizojnë edhe praktikën klinike në sferën e shëndetit publik dhe do t’u llogaritet stazhi”, qëndron në kumtesë.