Shkup, 21 janar – Regjistrimi mund të kryhet dhe të përfundojë në përputhje me të gjitha protokollet shëndetësore. Konsensusi në nivelin e Organizatës Botërore të Shëndetësisë është që asnjë proces dhe procedurë nuk duhet të ndalet, por duhet të zbatohet me protokolle që janë të pranuara në mënyrë të përgjithshme në të gjitha vendet, theksoi ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe.
Ai në një konferencë onlajn të organizuar nga ana e “Roma Intergacion Centrum”, theksoi se Ministria e Shëndetësisë dhe Komisioni për Sëmundje Infektive janë në dispozicion për edukim dhe miratim të protokolleve për kryerjen e këtij operacioni statistikor.
“Ministria e Shëndetësisë dhe Komisioni për Sëmundje Infektive janë në dispozicion të të gjithë faktorëve që do të përfshihen në procesin e zbatimit të regjistrimit. Do të japim indikacionet tona, nëse është e nevojshme mund të kemi edhe një mini edukim se si ai të organizohet nga institucionet që do ta udhëheqin atë proces”, tha Filipçe.
Si shembull pozitiv e theksoi procesin zgjedhor, i cili në pjesën e zbatimit të protokolleve shëndetësore kaloi pa ndonjë vërejtje.
“E gjithë kjo na jep të drejtën të themi dhe mund t’ju bindim se procesi i regjistrimit mund të kryhet dhe të përfundojë në përputhje me të gjitha protokollet shëndetësore”, tha Filipçe.
Kuvendi sot e miratoi Ligjin për regjistrim, i cili është planifikuar të zbatohet në javët e para të prillit të këtij viti.