Shkup, 14 nëntor – Në lidhje me konstatimet e Komisionit Evropian se gjyqësori përballet me mungesë të kuadrit dhe me pavarësi të pamjaftueshme financiare, ministri i Drejtësisë, Igor Filkov, tha se këto janë probleme reale, të cilat nuk zgjidhen me një vendim të thjeshtë administrativ, por kërkojnë qasje sistemike, strategji afatgjatë dhe koordinim ndërinstitucional.
Sipas tij, mungojnë gjyqtarë, prokurorë, staf gjyqësor, staf të Prokurorisë Publike, procesverbalmbajtës, IT-specialistë. Mungon gjithashtu pajisja adekuate, infrastruktura e përshtatshme dhe mjetet e nevojshme për procesin e digjitalizimit. Ministria e Drejtësisë është e vetëdijshme për këto probleme dhe për këtë arsye tashmë janë përgatitur dhe janë dorëzuar në procedurë qeveritare zgjidhjet ligjore për shërbimin gjyqësor dhe atë të Prokurorisë Publike. Paralelisht po punohet edhe në Ligjin për Gjykatat, Ligjin për Buxhetin e Gjyqësorit dhe Ligjin për Akademinë për Gjyqtarë dhe Prokurorë Publikë, me qëllim krijimin e një kuadri të plotë juridik që do të tejkalojë mungesën e gjyqtarëve, prokurorëve dhe stafit të tyre profesional.
“Por duhet të themi edhe diçka që shpesh anashkalohet: pavarësia financiare nuk do të thotë pa kufi financiar. Ajo duhet të shkojë paralelisht me përgjegjësi, transparencë dhe shpenzim racional. Çdo denar i shpenzuar në gjyqësor duhet të justifikohet me rezultate – procedura më të shpejta, besim më të madh dhe cilësi më të lartë të vendimeve gjyqësore”, thekson ministri Filkov në një intervistë për Agjencinë Informative të Maqedonisë.
Duke komentuar Raportin e Progresit të shtetit në fushën e gjyqësorit dhe të drejtave themelore, Filkov tha se ky raport është vetëm një nxitje për Ministrinë e Drejtësisë që të vazhdojë të punojë në përmbushjen e standardeve evropiane dhe në zbatimin e reformave. Ai shton se po bëhen ndryshime të thella dhe strukturore, të cilat nuk mund të maten vetëm me indikatorë sasiorë ose me perceptime.
