Agjencia Zhurnal.mk
Maqedoni

Filloi faza e parë e krijimit të Strategjisë nacionale zhvillimore

Shkup, 11 shkurt – Zëvendëskryeministri përgjegjës për çështje ekonomike, koordinim me resorët ekonomikë dhe investimet, Fatmir Bytyqi, së bashku me ambasadoren e Mbretërisë së Bashkuar, Rejçëll Gallovej, koordinatoren e përhershme në OKB, Rosana Duxhak dhe përfaqësuesen e përhershme të UNDP-së Narine Sahakjan, sot realizuan takim me kryetarin e Parlamentit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, të cilin e informuan për fillimin e fazës së parë të projektit Strategjia kombëtare e zhvillimit 2021-2041.

Siç kumtoi Kabineti i zëvendëskryeministrit Bytyqi, faza e parë e krijimit të këtij dokumenti strategjik do të financohet nga Ambasada Britanike në Shkup, me mbështetje teknike nga Kombet e Bashkuara përmes UNDP, kurse do të rezultojë me metodologji dhe strukturë operacionale e cila do të zbatohet gjatë zhvillimit të strategjisë, që do të paraqes fazën e dytë të projektit.

Metodologjia do të ketë inspirim nga modelet bashkëkohore dhe inovative të zhvillimit, të përshtatura në kontekstin e brendshëm dhe të bazuar në konsultime të gjera dhe domethënëse me të gjithë palët e prekura.

“Me këtë do të mundësohet që Strategjia kombëtare e zhvillimit të pasqyrojë konsensusin midis gjeneratave, atë gjinor, ndëretnik, ndërpartiak dhe afatgjatë për prioritetet e vendit, me qëllim që të sigurohet një zhvillim gjithëpërfshirës, të gjelbër dhe të qëndrueshëm për të gjithë, e në veçanti për kategoritë më të dobëta të njerëzve”, shtohet në kumtesë.

Me këtë projekt gjithashtu do të identifikohen dhe forcohen lidhjet midis të gjitha proceseve të tjera të rëndësishme strategjike që zhvillohen në vend, kryesisht integrimi në BE dhe në Agjendën 2030 për zhvillim të qëndrueshëm, kurse do të zhvillohet një strategji komunikimi dhe platformë elektronike, për të përfshirë mendimet e sa më shumë faktorëve kyç në proces”, theksohet në kumtesë.

“Për këtë udhëtim të përbashkët, ka ardhur koha për të filluar me fluturimin. Për ne, konsensusi dhe gjithpërfshirja në krijimin e strategjisë janë kyçe. Kjo Strategji kombëtare e zhvillimit duhet të vazhdojë të jetojë pavarësisht se kush është në pushtet. Ky do të jetë udhërrëfyesi ynë për atë se ku dhe si do të zhvillohet vendi në 20 vitet e ardhshme, prandaj është e rëndësishme që të arrijmë një konsensus, kjo ka rëndësi dhe dobi për shtetin dhe të gjithë bashkëqytetarët tanë”, deklaroi Bytyqi pas takimit

Ambasadorja Gallovej theksoi përfitimet nga krijimi i një strategjie të tillë afatgjate.

“Të gjitha vendet që i kanë hyrë një procesi të tillë tashmë janë duke i parë përfitimet nga krijimi i një plani zhvillimor që mundëson konsensusin në vendimmarrje dhe ligje në drejtim të mbështetjes së një strategjie afatgjate,” tha Gallovej.

Përfaqësuesja e përhershme e OKB Rosana Duxhak theksoi përpjekjen e mbarë familjes së OKB në vend për të siguruar mbështetje teknike dhe ekspertizë për procesin, aty ku ka nevojë. Përfaqësuesja e përhershme e zyrës së UNDP-së Narine Sahakjan theksoi kompleksitetin e vetë procesit, i cili për të qenë i qëndrueshëm, duhet të bazohet në dy parime të rëndësishme – të miratohet me konsensus, të jetë inovativ dhe fleksibil, në mënyrë që të përshtatet me sfidat dhe ndryshimet që sjell koha e re.

Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi e mbështeti iniciativën, duke konfirmuar rëndësinë e saj për mirëqenien afatgjate të vendit. Ai u zotua për përfshirje aktive të Kuvendit në proces dhe miratimin e strategjisë, duke shtuar:

“Ky do të jetë një udhëtim i qartë, mbi baza të qarta dhe precize me përfshirje të gjerë. Të gjithë duhet të angazhohemi që kjo strategji afatgjatë e zhvillimit të përfshijë të gjitha karakteristikat dhe nevojat e vendit.”, përfundoi Xhaferi.

Në Këshillin drejtues të trupit që do të zbatojë procesin, marrin pjesë katër zëvendëskryeministrat e Qeverisë, me çka shprehet përkushtimi i Qeverisë për këtë proces të rëndësishëm, si dhe përfaqësuesit e OKB dhe Ambasadës Britanike, kurse përbërja do të zgjerohet për të përfshirë edhe faktorë të tjerë të në vendin tonë.

“Në frymën e gjithpërfshirjes dhe konsultimit, që duhet të jetë virtyti kryesor i kësaj metodologjie, në periudhën e ardhshme të gjithë faktorët relevantë do të ftohen të jenë pjesë dhe të kyçen në proces, kurse platforma dixhitale që do të vendoset së shpejti, do të mundësojë pjesëmarrje të gjerë dhe mundësi që edhe qytetarët të kontribuojnë me idetë e tyre.

Ky është takimi i parë i punës në lidhje me procesin e informimit të faktorëve kryesorë politikë, institucioneve dhe organizatave, të cilat duhet të përfshihen në procesin e krijimit të Strategjisë kombëtare afatgjate të zhvillimit, dhe në një periudhë të shkurtër kohore planifikohet të mbahen takime me Presidentin e shteti, Stevo Pendarovski, me Kryetarin e Presidentin e ASHAM, Lupço Kocarev, si dhe me një numër faktorësh të tjerë sikurse pushteti lokal, partitë, odat ekonomike, sindikatat, asociacionet profesionale, organizatat e civile etj.

Postime të ngjashme

Sela takim me diasporën e Strugës

D V

Vetëm 35% e të punësuarve në Maqedoni marrin paga mbi mesataren

D V

Moti për ditët në vijim në Maqedoni

D V

Xhambaski: Nëse respektohen “vijat e kuqe”, komisioni maqedono-bullgar nuk do të mund të funksionojë

D V

OBRM-PDUKM: Mini-Shengeni nuk është një alternativë e BE -së

D V

Priten variante të ndryshme të Covid-19! Mund të rekomandohet marrja e dozës së tretë e vaksinës

D V

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Akcepto Më tepër...