Agjencia Zhurnal.mk
Ekonomi Maqedoni

Fillon Forumi i Ekonomisë Delfi në Athinë, do të marrin pjesë Zaevi, Dimitrovi dhe Nuredini

Athinë, 10 maj – Zhurnal.mk – Me mbi 1.000 pjesëmarrës nga 42 vende, në mesin e të cilave edhe nga Maqedonia e Veriut, me 372 sesione në tema të ndryshme, prej sot deri më 15 maj në Athinë do të mbahet Forumi i gjashtë i Ekonomisë Dellfi, i cili këtë vit, për shkak të pandemisë, do të jetë në formë hibride, ndërsa vetëm një pjesë e vogël e pjesëmarrësve do të jenë me prani fizike, informon korrespondentja e MIA-s nga Athina.

Sipas agjendës zyrtare, në panel diskutime do të marrin pjesë kryetari i Qeverisë, Zoran Zaev, zëvendës-ministri i Qeverisë përgjegjës për Çështje Evropiane, Nikolla Dimitrov dhe ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Naser Nuredini.

Pjesëmarrja e kryeministrit është caktuar për të enjten kur do të diskutojë me redaktorin e “Katimerini”-t Atanasios Elis, ndërsa siç kumtuan dje nga Qeveria, Zaevi në Athinë do të arrijë bashkë me zëvendëskryeministrin për Çështje Ekonomike Fatmir Bytyqi, me zëvendëskryeministrin për Çështje Evropiane, Nikolla Dimitrov dhe me ministrin e Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi.

Kryetari i Qeverisë do të takohet me homologun e tij grek, Kirjakos Micotakis, ndërsa në margjinat e forumit do të ketë takime të ndara me liderin e SYRIZA-s, Aleksis Cipras, me ish-kryeministrin e Britanisë së Madhe, Toni Bler, si dhe me përfaqësues të tjerë politikë nga skena ndërkombëtare dhe me përfaqësues të kompanive dhe odave ekonomike.

Zëvendëskryeministri Nikolla Dimitrov, gjithashtu të enjten bashkë me shefin e diplomacisë qipriote, Nikos Hristodulidis, me ministrin alternativ të Punëve të Jashtme të Greqisë, Miltijadis Varviciotis dhe me profesorë universitarë do të diskutojnë për diplomacinë e shteteve të vogla, përderisa një ditë më vonë, të premten, Dimitrovi do të marrë pjesë në panel diskutimin bashkë me komisarin e BE-së për Zgjerim, Oliver Varheji në temën “BE-ja dhe Ballkani Perëndimor: përmbushje e premtimit të shumëpritur”.

Ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Naser Nuredini, nënkryetari ekzekutiv i KE-së Frans Timerman dhe ministri i Energjisë dhe Mjedisit Jetësor të Greqisë, Kostas Skrekas, në panel diskutim, nesër do të flasin për “Marrëveshjen e gjelbër evropiane”.

Në hapjen e sotme të forumit, fjalim do të ketë edhe presidentja e Greqisë, Katerina Sakellaropullu, bashkë me homologet e saja – presidentet e Estonisë dhe Sllovakisë, si dhe nënkryetari i KE-së dhe kreu i Kishës ortodokse greke.

Sot në Athinë është edhe kryeministri i Spanjës, Pedro Sançez, i cili do të marrë pjesë në diskutimin me kryeministrin grek, Kirjakos Micotakis, ndërsa do të realizojnë edhe takim bilateral.

Forumi i Ekonomisë është nën patronazhin e presidentes greke, tradicionalisht mbahet në qytetin Dellfi, por këtë vit për shkak të Kovid-19 do të jetë në pallatin “Zapio” në Athinë, ndërsa do të ndiqet onllajn.

Është paraparë pjesëmarrësit, në mbi 300 sesione të diskutojnë në dhjetë tema të ndryshme siç janë gjeopolitika dhe siguria ndërkombëtare, ekonomia botërore, e ardhmja e Evropës, shëndetësia, ndryshimet klimatike, shoqëria, arsimi, kultura, etj.

Këtë vit, një pjesë e madhe e forumit do t’i kushtohet jubileut prej 200 vjetëve nga revolucioni grek.

Forumi i Ekonomisë Dellfi është organizatë e pavarur dhe jofitimprurëse me karakter ndërkombëtar, ku çdo vit takohen personalitete prestigjioze nga ekonomia, politika dhe bashkësia akademike.

Qëllimi i Forumit është që të prezantohet kornizë reale e qëllimeve dhe aktiviteteve, të kërkohen politika për përballje me sfidat globale dhe të gjenden zgjidhje adekuate për çështjet e ndërlikuara dhe të lidhura mes vete me të cilat përballet Greqia, Evropa Juglindore dhe Mesdheu Lindor.

Në konferencë për media para 20 ditëve kur ishte prezantuar programi dhe ishin kumtuar hollësitë, kryetari i Forumit të Ekonomisë Dellfi, Simeon Comokos, zbuloi se është planifikuar që të organizojnë ngjarje në Shkup në fund të qershorit.

Postime të ngjashme

Punëtorët e ndërtimtarisë punojnë në temperatura mbi 40 gradë Celsius

D V

BESA themeloi nëndegën në Çellopek

D V

Qeveri: Sllavica Kotirova drejtoreshë e re e doganave

D V

Vetëm 35% e të punësuarve në Maqedoni marrin paga mbi mesataren

D V

Moti për ditët në vijim në Maqedoni

D V

Xhambaski: Nëse respektohen “vijat e kuqe”, komisioni maqedono-bullgar nuk do të mund të funksionojë

D V

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Akcepto Më tepër...