Ambasada e Malit të Zi në bashkëpunim me DokuFest-in organizon në Prizren premierën kosovare të filmit të parë malazez pas rivendosjes së pavarësisë, “Fëmijët nga rruga e Marksit dhe Engelsit”, të shtunën, më 21 qershor, në ora 20:00, në DokuKino.
Sipas njoftimit, njëri nga aktorët kosovarë që shfaqet në film, Fatmir Spahiu, do të jetë i pranishëm në premierë, raporton Telegrafi.
Në përshkrimin e shkurtër të thuhet se filmi sjellë një rrëfim të fuqishëm dhe të papërpunuar, të vendosur në Ballkan, që ndjek dy vëllezërit gjatë së njëjtës natë vendimtare në jetën e tyre. “Njëri (30 vjeç) po përgatitet të vrasë një njeri për herë të parë. Tjetri (16 vjeç) është gati të përjetojë dashurinë për herë të parë. Ajo që duket e thjeshtë… nuk është aspak e tillë në Ballkan”.

Filmi me regji të Nikolla Vukçeviqit, sipas njoftimit, bashkon një rrjet të aktorëve nga rajoni, si Momçilo Otasheviq dhe Branka Staniq nga Mali i Zi, Emir Haxhihafizbegoviq dhe Goran Bogdan nga Bosnja e Hercegovina si dhe Fatmir Spahiun nga Kosova.
