Fishekzjarret mbi qiell të kota derisa toka është e zhytur në baltë!

nga I.A

Shkup, 4 tetor – Në çdo fushatë apo tubim politik, është bërë thuajse ritual që partitë të ndezin qiellin me fishekzjarre. Spektakel ngjyrash e zhurmash, që zgjat disa sekonda dhe më pas shuhet duke mos lënë asgjë pas. Në pamje të parë duket festive, por në të vërtetë është një gjest i kotë e një shpenzim pa kuptim për qytetarët, shkruan Zhurnal.

Toka në baltë e fishekzjarret në qiell janë kontrast që nuk duhet të jetë praktikë –

Fishekzjarret nuk e ulin çmimin e bukës, nuk e përmirësojnë spitalin, nuk i japin siguri të rinjve për një punë nesër. Janë vetëm tym e shkëndija që ikin bashkë me natën. Një formë e vjetër e politikës sonë për të fshehur mungesën e përmbajtjes dhe për të krijuar ndjesi tek politikanët se janë të rëndësishëm. 

Në fakt, kjo sjellje dërgon një mesazh të gabuar se politika është shfaqje, një garë kush bën më shumë zhurmë, jo kush ofron zgjidhje. Dhe ky është gabimi i madh, demokracia nuk funksionon me spektakël piroteknik, por me programe të qarta, ide të matshme dhe përballje serioze me problemet e njerëzve.

Çdo euro e hedhur për fishekzjarrë është një euro e humbur që mund të investohej në diçka të dobishme një bursë për një student, një aktivitet kulturor, një diskutim publik për çështje konkrete. Kjo do të kishte më shumë vlerë se çdo shpërthim ngjyrash në qiell.

Qytetarët sot nuk kanë më nevojë për tym e shfaqje. Ata duan garanci, duan plane, duan të shohin se si partitë do ta përmirësojnë jetën e tyre të përditshme. Sepse faktori i vërtetë politik nuk matet me fishekzjarre por me vizion dhe përgjegjësi.

Kujtojmë që, fishekzjarret shuhet brenda pak sekondave por boshllëku që lënë pas mund të zgjasë shumë më gjatë. Madje, këto fishekzjarre ngjajnë shumë edhe me premtimet elektorale të cilat jehojnë e zhurmojnë gjatë fushatës por pas zgjedhjeve avullohen apo zhduken sikurse shkëndijat e fishekzjarreve. Prandaj, të jemi më të fokusuar tek nevojat tona, kërkesat tona, premtimet që dëgjojmë, t’i mbajmë për fjale për mos përmbushjen e premtimeve dhe jo tu shtrojmë tapet të kuq e t’i presim me qiell të skuqur. 

Derisa, ata nuk skuqen nga fjalët që nuk u kanë dalë zot nuk e meritojnë në asnjë formë një pritje të asaj natyre. Çdo veprim tjetër është pranim i nënshtrimit, është veprim i kotë, shpenzim jo racional. /Zhurnal.mk

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More