Opinion

Flirti me terrorizmin

Zhurnal Ads

Autor: Xhelal Neziri

Askush nuk kishte menduar se i riu Kujtim Fejzullai një ditë do të trondit Vjenën, qytetin e tij të lindjes, duke ndërmarrë një akt të paparë terrorist. Brenda një nate vrau dy burra dhe dy gra, kurse plagosi 22 të tjerë. Policia e qëlloi për vdekje në një shkëmbim dramatik zjarri, që filloi në mbrëmjen e së hënës. Lajmi se autori i aktit terrorist është një shqiptar etnik nga Maqedonia e Veriut shkaktoi zemërim në opinionin publik. Shqiptarët etnik shquhen për nga harmonia unike ndërfetare, andaj ky lajm shkaktoi reagime të shumta.

Kujtimi vjen nga një familje e fisme nga një fshat i Tetovës, e cila nuk ka asnjë lidhje me politikat dhe sektet radikale antiperëndimore. Kjo familje gjeti streh dhe atdhe të dytë në Austri, një shtet i cili i siguroi punë, mirëqenie, liri dhe dinjitet njerëzor. Kujtimi kishte lindur në Vjenë më 24 qershor të vitit 2000. Përveç shtetësisë së Maqedonisë së Veriut kishte edhe atë të Austrisë. Ishte një adoleshent si krejt tjerët, të cilit i pëlqente muzika dhe jeta. Por, jeta i mori një kahje krejt tjetër kur moshatarë të tij e ftuan të vizitojë një faltore të improvizuar Vjenës, e drejtuar nga një sekt i ekstremit të dhunshëm. Përveç shqiptarëve etnikë, aty takon edhe shtetas turq, çeçenë, pakistanezë dhe nga Lindja e Mesme, të gjithë të indoktrinuar në ideologjitë e dhunshme nga ana e “imamëve” mirë të specializuar për këto qëllime. Propaganda e fuqishme me kamuflazh fetar shpejt lëshoi rrënjë në zemrën e të riut shqiptar. Nga ky moment Kujtimi nuk identifikohej më as me etninë, e as me islamin paqësor të prindërve të tij. Identiteti i parë dhe kryesor i tij ishte sekti i dhunshëm ku bënte pjesë, kurse çdokush tjetër për të ishte jobesimtar. Madje edhe familja e tij, nga e cila ishte larguar që nga mosha 16-vjeçare. Për dy vite me radhë asnjëri nga të afërmit nuk kishin asnjë lajm për vendndodhjen e tij. Nuk dihet nëse brenda kësaj kohe ai ka qëndruar në Siri apo Irak duke luftuar përkrah ndonjë organizate terroriste. Andaj, familja e paraqet si të zhdukur në polici.

Në vitin 2018 Kujtimi gjendet nga policia në mesin e një grupi të sektit radikal, anëtarët e të cilit ishin bërë familja e tij e re dhe e besuar. Ai kapet në tentim për të formuar një grup të armatosur që do të kryente sulme terroriste në Austri dhe Europë. Pas disa muajve vuajtje burgu në Vjenë, Kujtimi lëshohet i lirë për shkak të moshës se re dhe shpresës se do të mund t’i rikthehet jetës normale. Por, ai sërish i kthehet grupit të njëjtë të sektit radikal.

Në mes të korrikut të këtij viti, kur opinioni evropian kishte shqetësimin e virusit të ri korona, Kujtimi bashkë me mikun e tij nga Kosova A.F. udhëton në Sllovaki për të blerë armën AK47, të njohur më shumë si Kallashnikov. Vetura ka qenë në emër të nënës së A.F., ndërkohë që policia austriake është duke hetuar nëse edhe ai është pjesë e organizimit të sulmit të së hënës mbrëma.

Atë natë Kujtimi kishte kallashnikovin, një pistoletë dhe një hanxhare me vete. Policia nuk e kishte survejuar sa duhet pas lirimit nga burgu pasi nuk e kishte vlerësuar si të rrezikshëm për sigurinë. Në rrugët e Vjenës kishte shumë policë shkaku i operacionit për mbylljen e qytetit si mbrojtje nga përhapja e mëtejshme e virusit korona. Tani policia ka një listë të gjatë të të dyshuarve, ku prijnë një grup i imamëve radikal. Ata kishin qenë fajtorë për rekrutimin e adoleshentëve si luftëtarë të ISIS, siç ishte rasti i dy boshnjakeve të mitura Sabina Selimoviq (15) dhe Samra Kesinoviq (17), të cilat në vitin 2015 ikën nga shtëpitë e tyre në Vjenë dhe udhëtuan për në Siri.

Sidoqoftë, sulmi i së hënës mbrëma hap shumë dilema në mesin e etnisë shqiptare në shtetet e tyre në Ballkan apo në diasporë. Si është e mundur që, nga afër një mijë shqiptarët që iu bashkuan ISIS dhe Al-Nusra në Irak dhe Siri, pjesa më e madhe ishin nga diaspora? Çfarë bëjnë shtetet me të kthyerit nga fushëbetejat e Lindjes së Mesme? Kush mban llogari për veprimtarinë e imamëve që nxisin akte të dhunës me diskursin e tyre propagandistik? Çfarë bëjnë bashkësitë fetare islame të Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut në drejtim të parandalimit të indoktrinimit apo radikalizimit të të rinjëve brenda shtetit apo në diasporë? Cili është roli i shkollave, universiteteve dhe mediave në krijimin e aftësisë mbrojtëse të shoqërisë ndaj të gjitha këtyre indoktrinimeve që prodhojnë akte të dhunës? Këto tema duhet hapur dhe trajtuar seriozisht në shtetet dhe shoqëritë tona me qëllim të çrrënjosjes së kësaj dukurie të rrezikshme për sigurinë publike. Ky është një problem i krijuar gradualisht nga flirtimi i prijësve fetarë, shoqërorë por edhe politik me këto grupacione me një background të fuqishëm financiar. Përgjigjja ndaj këtij rreziku duhet të jetë gjithëpërfshirëse dhe e menduar mirë. Çdo veprim që stereotipizon apo gjeneralizon të gjithë besimtarët myslimanë është një kurth i përgatitur nga sektet radikale.

Postime të ngjashme

Zbardhen faktet e reja shkencore që dokumentojnë se Helmimi i Navalny u realizua nga agjenti nervor kimik i llojit “novichok”

admin

Koment / Kali Shemës dhe Pistolxhiu i dasmave, mos harroni se “qiri i gënjeshtarit bënë dritë vetëm deri në jaci”

R ZH

Premtimi që kërkon “takat” dhe seriozitet!

admin
duke ngarkuar....

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read more...