Fokus i palëkundur te Plani A, mesazhi strategjik i Presidentit të Këshillit Evropian për Shkupin!

nga I.A
Getting your Trinity Audio player ready...

Shkup, 16 maj – Vizita e Presidentit të Këshillit Evropian, Antonio Costa, në Shkup, në kuadër të turneut të tij në vendet e Ballkanit Perëndimor, përforcoi një qëndrim tashmë të konsoliduar të Bashkimit Evropian ndaj Maqedonisë së Veriut dhe rajonit në tërësi se nuk ka alternativë përveç integrimit evropian. Në një deklaratë të drejtpërdrejtë, Costa theksoi se vendi nuk ka nevojë për një “plan B”, por duhet të përqendrohet pa mëdyshje në “planin A” rrugën drejt anëtarësimit të plotë në Bashkimin Evropian, shkruan Zhurnal.

Integrimi evropian si prioritet gjeostrategjik

Deklarata se nuk duhet të ketë plan B, ndonëse e ngjashme në përmbajtje me qëndrime të mëparshme të zyrtarëve evropianë, mbart një domethënie të veçantë në kontekstin aktual politik dhe institucional të Maqedonisë së Veriut. Ajo vjen në një moment kur vendi ndodhet përballë një sfide kyçe për të ardhmen e tij evropiane, përmbushjen e detyrimeve që rrjedhin nga Marrëveshja e arritur në vitin 2022, përfshirë ndër të tjera ndryshimet kushtetuese që synojnë përfshirjen e komunitetit bullgar në Kushtetutën e vendit.

Presidenti Costa e cilësoi zgjerimin e Bashkimit Evropian si “investimin më të mirë gjeostrategjik në paqe dhe siguri”. Ky formulim nuk është thjesht deklarativ ai përcjell një sinjal të qartë se integrimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor nuk përbën vetëm një çështje të brendshme të këtyre vendeve, por është një domosdoshmëri për vetë stabilitetin dhe kohezionin e kontinentit evropian.

Në këtë kuadër, Maqedonia e Veriut shihet si një partner i rëndësishëm, i cili, sipas Costas, “ka bërë shumë punë” dhe meriton të ecë përpara në procesin e anëtarësimit. Megjithatë, përparimi nuk është automatik dhe nuk mund të ndodhë pa përmbushjen e reformave të nevojshme, veçanërisht në fushat e sundimit të ligjit, luftës kundër korrupsionit dhe respektimit të të drejtave të njeriut.

Nuk ka vend për alternativa politike –

Thirrja për të mos kërkuar “garanci të reja” dhe për të mos zhvilluar “plan B” për anëtarësimin, por për të fokusuar të gjitha energjitë në zbatimin e asaj që është rënë dakord, duhet të lexohet si një mesazh i qartë politik. Bashkimi Evropian pret vendosmëri, qëndrueshmëri dhe përmbushje të angazhimeve jo zvarritje apo relativizim të tyre për arsye politike të brendshme.

Në mënyrë të qartë, kjo deklaratë adreson edhe klimën aktuale politike në vend, ku polarizimi i skajshëm shpesh përdoret si justifikim për mosveprim. Në këtë prizëm, mungesa e konsensusit për ndryshimet kushtetuese nuk është më thjesht një çështje e brendshme politike, por një pengesë reale për përparimin evropian të vendit.

Për Maqedoninë e Veriut, rruga drejt Bashkimit Evropian nuk është më një projekt aspirativ, por një angazhim konkret që kërkon përkushtim të plotë institucional. Çdo devijim nga kjo rrugë, çdo përpjekje për të kërkuar “alternativa” ose për të relativizuar reformat e kërkuara, nuk do të çojë drejt një opsioni të dytë, por drejt izolimit politik dhe stagnimit zhvillimor.

Në vend të një retorike të pafundme mbi vështirësitë e procesit, nevojitet një narrativë e re ajo e përgjegjësisë, vendimmarrjes dhe përmbushjes. Siç tha vetë Presidenti Costa, integrimi nuk është sprint, por një maratonë që kërkon durim, vendosmëri dhe mbi të gjitha veprim konkret.

Deklaratat e Presidentit të Këshillit Evropian nuk duhet të interpretohen si një thirrje rutinë diplomatike, por si një udhërrëfyes për fazën kritike në të cilën ndodhet vendi. Zgjerimi i BE-së është një objektiv i përbashkët, por vetëm ata që tregojnë seriozitet dhe përmbushin angazhimet e marra mund të shpresojnë për një anëtarësim të suksesshëm.

Kujtojmë që, Maqedonia e Veriut është përfshirë në këtë proces prej vitesh tashmë është momenti që të përmbyllet me sukses ky kapitull, jo duke kërkuar rrugë të shkurtëra apo justifikime, por duke përqafuar me seriozitet planin A i cili parasheh anëtarësimin e plotë dhe të merituar në Bashkimin Evropian. /Zhurnal.mk

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More