Forumi i 3-të për Bashkëpunimin Ndërkombëtar “Një brez, një rrugë” pritet të japë rezultate të frytshme, duke përfshirë dokumente bashkëpunimi, nisma, mekanizma, fonde dhe masa, që parashikohet se do t’i kalojnë arritjet e dy forumeve të mëparshme të marra bashkërisht, deklaroi të premten zv.ministri i Jashtëm kinez Ma Zhaoxu.
Ai i tha këto gjatë një interviste për Agjencinë e Lajmeve “Xinhua” dhe Grupin Mediatik të Kinës, gjatë të cilës paraqiti përgatitjet për forumin, arritjet e nismës “Një brez, një rrugë” gjatë 10 vjetëve të fundit dhe rëndësinë e saj për zhvillimin e ekonomisë botërore.
Forumi i këtij viti, i cili do të mbahet në Pekin nga 17 deri më 18 tetor, është veprimtaria më e rëndësishme diplomatike që Kina organizon këtë vit, dhe veprimtaria më e madhe për të përkujtuar dhjetëvjetorin e nismës “Një brez, një rrugë”, tha Ma.
Sipas tij, forumi do të publikojë një dokument që përmbledh konsensusin e arritur nga palët pjesëmarrëse dhe identifikon drejtimin dhe fushat kryesore të bashkëpunimit për fazën tjetër, si edhe një listë të dokumenteve dhe të projekteve konkrete të bashkëpunimit.
Pjesëmarrjen në forum e kanë konfirmuar përfaqësuesit nga më shumë se 140 vende e 30 organizata ndërkombëtare, duke përfshirë udhëheqës shtetesh, drejtues të organizatave ndërkombëtare, zyrtarë në nivel ministror dhe përfaqësues nga qarqet e biznesit dhe ato akademike, bëri të ditur numri dy i diplomacisë kineze.