Franca ka një kontribut thelbësor në avancimin e Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian.
Presidenti i Republikës, Ilir Meta priti në një takim ambasadoren e Francës, Christina Vasak, me rastin e përfundimit të misionit në Shqipëri.
“Vlerësova rolin e saj aktiv për forcimin e marrëdhënieve dypalëshe, dhe për mbështetjen e sinqertë ndaj procesit të integrimit europian të vendit tonë”, tha Meta.
“Duke e falenderuar për kontributin thelbësor të Francës në avancimin e Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian, konfirmova se vendimi politik i Këshillit Evropian i marsit për çeljen e negociatave të anëtarësimit është një mundësi historike për vendin tonë”, u shpreh Meta.
“Theksova se, fatkeqësisht, Shqipëria është ende shumë larg përmbushjes së kushteve që kërkohen për zhvillimin e Konferencës së Parë Ndërqeveritare, me shkeljen brutale dhe të njëanshme nga ana e mazhorancës së Marrëveshjes konsensuale të 5 Qershorit”, shtoi Meta.
“Por unë do t’i jap edhe një mundësi të fundit Parlamentit njëpartiak për të respektuar Marrëveshjen pas kërkesës publike të Partisë Popullore Evropiane”, tha ai.
“Shpreha besimin se hyrja në fuqi e Marrëveshjes me Agjencinë Franceze të Zhvillimit (AFD), do t’i japë një shtysë të rëndësishme projekteve zhvillimore në Shqipëri, si dhe do të rrisë interesimin për prani më të madhe ekonomike të Francës në Shqipëri”, theksoi Meta.