Agjencia Zhurnal.mk

Franca nderon Blerta Zeqirin për origjinalitet në kinematografi

Për përpjekjet e saja të vazhdueshme për të mbrojtur ekzistencën e një kinemaje të pavarur, krijuese dhe të përkushtuar, regjisorja Blerta Zeqiri është dekoruar nga shteti francez si kalorëse e “Urdhrit të Arteve dhe Letrave”.

Filmat e saj, në ceremoninë në rezidencën e Ambasadës së Francës në Prishtinë, të martën mbrëma janë vlerësuar për zërin unik, origjinal dhe të fuqishëm. Zeqiri, e cila për një kohë kishte jetuar në Francë, ka thënë se atje ka kuptuar se nevoja e artistit për t’u shprehur është domosdoshmëri dhe jo luks.

“Urdhri i Arteve dhe Letrave” u themelua në vitin 1957 për të shpërblyer njerëzit që janë shquar nga krijimet e tyre në fushën artistike ose letrare, ose për kontributin që ata kanë dhënë në Francë, por edhe në mbarë botën. Jepet në tri grada. Ajo e kalorësit është e treta.

Ambasadorja e Francës në Kosovë, Marie-Christine Butel, gjatë dekorimit të regjisores, ka thënë se Zeqiri me përpjekjet e saj të vazhdueshme për të mbrojtur ekzistencën e një kinemaje të pavarur, krijuese dhe të përkushtuar, meriton që Republika Franceze ta dekorojë si kalorëse e “Urdhrit të Arteve dhe Letrave”.

“Karriera juaj si regjisore e filmit ju ka bërë që të shikoni më nga afër çështjet që ju interesojnë: homoseksualitetin, luftën, refugjatët, sistemin paralel të arsimit në Kosovë. Duke u mbështetur në historinë e fundit dhe të mundimshme të vendit tuaj për të goditur gjithmonë tabutë dhe kodet, ju reflektoni shqetësimet e një brezi të përbashkët midis dëshirës për të ruajtur traditat dhe atë të të qenit plotësisht moderne. Filmat e juaj janë zëri i kësaj gjenerate. Një zë unik, origjinal, i fuqishëm”, ka thënë ajo.

Në anën tjetër, me një frëngjishte të bukur, regjisorja Blerta Zeqiri e ka nisur fjalimin e saj duke kujtuar kohën kur si 19-vjeçare kishte hipur për herë të parë në aeroplan, pasi që e gjithë familja e saj si refugjatë po vendosej në Paris.

Blerta Zeqiri, e lindur më 6 qershor të vitit 1979, gjatë luftës në Kosovë ishte strehuar në Francë me prindërit e saj. Në vitin 2006, Zeqiri kishte marrë diplomën master në Studime Audiovizuale dhe Kinematografike në “Université Paris 8”. Në janar të vitit 2012, me filmin “Kthimi”, Zeqiri mori Çmimin e Jurisë për Filmin më të mirë të shkurtër në Festivalin e Filmit në Sundance, Çmimin e Audiencës “Jameson” për filmin më të mirë të shkurtër në Festivalin e Filmit “Go Short”, në mars të atij viti, e katër muaj më vonë mori edhe Çmimin për filmin më të mirë të shkurtër në Festivalin e Filmit në Sarajevë. Zeqiri vulosi famën e saj në vitin 2018 me filmin “Martesa”, i zgjedhur për të përfaqësuar Kosovën në “Oscars”.

E pranishme në ceremoninë e dekorimit të regjisores Blerta Zeqiri ishte edhe motra e saj, regjisorja Lendita Zeqiraj.

Me këtë urdhër pritet që të dekorohet edhe aktorja Arta Dobroshi. Ndërsa së fundi, më 17 tetor, me “Urdhrin e Palmave Akademike” ishte dekoruar profesoresha e Fakultetit të Filologjisë në Universitetin e Prishtinës, Nerimane Kamberi./koha.net

Marketing 2/1

Marketing 2/2

Marketing 2/1

Marketing 2/2

L E

Lajmet e fundit

Loading...