Sipas studimit të vitit 2023 të Tendencave në Studimin Ndërkombëtar të Matematikës dhe Shkencës (TIMSS), Franca është renditur e fundit në Evropë për performancën e nxënësve në matematikë, raporton Anadolu.
Studimi i botuar dje theksoi çështje të rrënjosura thellë në sistemin arsimor të vendit, për të cilin kritikët thonë se është rrënuar nga pabarazia sociale dhe financimi i pamjaftueshëm.
Arthur Leduc, sekretar i përgjithshëm i sindikatës ‘CGT Educ’Action 06’, i përshkroi rezultatet si dëshmi të një dështimi strukturor të përkeqësuar nga vendimet e gabuara politike.
“Për vite me radhë, ne kemi parë një rënie të vazhdueshme të kushteve të të mësuarit, të përkeqësuar nga reformat e njëpasnjëshme që kanë bërë më shumë dëm sesa mirë”, tha Leduc për Anadolu.
Leduc kritikoi shkurtimet e gjera të vendeve të punës të mësuesve, të zbatuara gjatë presidencës së ish-presidentit Nicolas Sarkozy dhe vazhduan nën administratën pasuese.
“Çdo reformë vjen me një justifikim për të shkurtuar burimet, por kurrë nuk adreson nevojat aktuale të nxënësve dhe mësuesve”, tha Leduc.
Studimi TIMSS, i cili mat aftësitë matematikore dhe shkencore midis nxënësve në mbarë botën, nxënësit francezë të klasave të 4-ta dhe 8-ta i vendosi afër fundit të renditjes së Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD).
Sondazhi gjithashtu zbuloi një hendek të madh arritjesh, me nxënësit e privilegjuar që tejkalojnë bashkë-moshatarët e tyre në disavantazh me 81 pikë, ekuivalente me një shkollim 2-vjeçar.
“Këto ndryshime tregojnë se sistemi ynë arsimor nuk ka arritur të mbajë parimin e barazisë. Kjo është një tradhti ndaj vlerave themelore të Republikës sonë”, tha Leduc.
Për të adresuar krizën, Leduc bëri thirrje për investime të konsiderueshme në arsim, duke përfshirë punësimin e më shumë mësuesve, përmirësimin e kushteve të punës dhe ofrimin e mbështetjes më të madhe për studentët.
Ai gjithashtu kritikoi praktikën e grupimit të nxënësve sipas nivelit të aftësive, duke e përshkruar këtë si “radhitje sociale” që përkeqëson pabarazinë.
Performanca e dëshpëruar e Francës është në dallim të theksuar me vendet me performancën më të mirë si Singapori dhe Koreja e Jugut.
Studimi po ashtu theksoi trajnimin joadekuat të mësuesve si një faktor kryesor në shfaqjen e dobët të Francës, një problem që Leduc e quajti “fatkeqësi të planifikuar”.
Një grevë mbarëkombëtare e sektorit publik, e cila shënoi një pjesëmarrje të konsiderueshme nga edukatorët, synoi t’i sjellë këto çështje në plan të parë.
“Arsimi duhet të trajtohet si një prioritet kombëtar, jo si një mendim i mëvonshëm buxhetor”, tha Leduc.
Derisa Ministria e Arsimit ka theksuar një stabilizim të rezultateve që nga viti 2019, sindikatat dhe ekspertët argumentojnë se pretendime të tilla maskojnë një krizë më të thellë.
Pyetja kryesore mbetet “A do ndërmarrë qeveria franceze një veprim vendimtar për të ndryshuar rënien dhe për të rivendosur rolin e sistemit arsimor si një shkallë mundësish?”.