Paris, 18 nëntor – Zvogëlohet numri i hyrjeve të paligjshme në BE të emigrantëve përmes Mesdheut, theksohet në raportin e fundit për punën e agjencisë evropiane Fronteks, e cila e ndihmon Greqinë për t’i mbrojtur kufijtë e saj.
Në raport është shënuar rënie e arritjes së emigrantëve në vendet e Bashkimit Evropian përmes detit, ndërsa rritje e hyrjeve ilegale përmes tokës, theksohen në vlerësimin preliminar të Fronteks.
Për sa i përket rrugëve tokësore, agjencia në tetor zbuloi pothuajse 3.500 kalime nëpër Ballkanin Perëndimor, përkatësisht më shumë se një e treta më shumë se në shtator.
Në dhjetë muajt e parë të vitit 2020, shifrat paraprake tregojnë se janë zbuluar më shumë se 19.700 emigrantë, më shumë se dyfishi i numrit të regjistruar në të njëjtën periudhë në 2019.
Sipas Fronteks, më shumë se gjysma e tyre ishin sirianë, ndërsa një e katërta ishin afganë.
Sidoqoftë, arritjet totale në BE kanë rënë për 21 për qind krahasuar me vitin 2019 “kryesisht për shkak të rënies së arritjeve në lindje dhe perëndim të Mesdheut”, nënvizoi Fronteks.
Në Mesdheun perëndimor, agjencia i regjistroi 13.400 arritje gjatë dhjetë muajve të parë të vitit, që është rënie prej 37 për qind nga e njëjta periudhë në vitin 2019. Në Mesdheun lindor, arritjet ranë për 75 për qind në të njëjtën periudhë.
Kalimi midis Turqisë dhe Greqisë më parë ishte një nga rrugët kryesore të migrimit për në BE. Greqia tani po merr ndihmë nga Fronteksi në Detin Egje dhe në kufirin tokësor me Turqinë. Agjencia është akuzuar gjithashtu nga organizatat joqeveritare se është e përfshirë në dekurajimin e anijeve-emigrantë nga Greqia në Turqi.
Në raportin për aktivitetin e saj, agjencia gjithashtu publikoi se i ka shpëtuar 54.800 njerëz, se i ka dëbuar 15.800 të tjerë jashtë Evropës dhe i ka sekuestruar 125,5 tonë drogë.