Agjencia Zhurnal.mk
Kuzhina

Frutat më të shëndetshme të qershorit – Cilat janë dhe si t’i zgjedhni

Secila sezonë ka shijen e veçantë të frutave.

Qershori është muaji i parë zyrtar i verës. Dhe zakonisht kur mendojmë për verën, mendja na shkon menjëherë tek ngjyrat, jo vetëm në garderobë, por edhe tek ngjyrat që servirim në pjatë.

Më poshtë, do të gjeni cilat janë frutat që duhet të mbushin shportën tuaj në këtë muaj dhe disa këshilla nga AgroWeb.org për mirëmbajtjen dhe zgjedhjen e tyre.

Pjepri

Nëse ka një frut, që përfaqëson më së miri ëmbëlsinë e verës, ai është pjepri.

Shija dhe ndjesia e freskisë dhe ëmbëlsisë e bën pjeprin frutin mbret të verës.

Sipas të dhënave të AgroWeb.org, zona që ka prurjet më të të mëdha të pjeprit, si edhe shalqirit është Divjaka.

Pjepri i vendit sjell raportin më të mirë mes cilësisë dhe vlerës në blerje.

Si ta zgjidhni?

Tek pjepri treguesi më i mirë është ngjyra. Pjesa e poshtme e frutit duhet të jetë në ngjyrë të artë dhe jo jeshile. Pjepri duhet të ketë një aromë shumë të mirë.

Si ta ruani?

Pjepri është jetëgjatë edhe pasi është vjelur, me kusht që të ruhet në temperaturën e ambjentit.

Nëse ju pëlqejnë të ftohtë, mbajini në frigorifer gjatë natës, por nëse i mbani më gjatë do të fillojnë të zbuten dhe kalben.

Këshilla shtesë. Pjepri është shumë i ëmbël, ndaj dhe mund ta kombinoni me përbërës të tjerë më të kripur për të balancuar shijen si me proshutë ose djathë.

Pjeshkët, nektarinat

Pjeshkët dhe nektarinat janë mbretëreshat e sezonit të verës. Ndryshimi i vetëm është se pjeshkët janë më të forta dhe me push dhe nektarinat janë me lëkurë më të lëmuar.

Më të apasionuarit e këtyre frutave mund të argumentojnë se shija e pjeshkës është shumë më e fortë, ndërsa ajo e nektarinave, kajsive ka nuanca të shijes së agrumeve.

Vendin e parë në vend për prodhimin e pjeshkëve dhe kajsive e mban qyteti i Elbasanit.

Si t’i zgjidhni?

Mënyra më e mirë për të zgjedhur pjeshkët dhe kajsitë më të mirë qëndron tek ngjyra e tyre.

Sa më portokalli të jenë, aq më të ëmbla dhe të mira janë. Por mbi të gjitha, këshilla e AgroWeb.org është se asaj që duhet t’i besoni më shumë është nuhatja.

Pjeshkët dhe nektarinat më të mira kanë një aromë të parezistueshme.

Si t’i ruani?

Pjeshkët dhe kajsitë ideale vazhdojnë të piqen edhe pasi janë vjelur, kështu që mos u shqetësoni shumë nëse fruti në fillim është pak i fortë.

Por mos i fusni në frigorifer para se të jenë zbutur dhe të kenë marrë më shumë aromë.

Këshilla shtesë: Për një komposto apo reçel më të mirë, duhet t’ia hiqni lëkurën pjeshkëve, ndërkohë që me kajsitë nuk është e nevojshme.

Qershitë

Qershori është padiskutim muaji i qershive. Edhe pse tashmë kanë dalë në treg, piku i pjekjes së tyre arrin pikërisht në këtë muaj me qershitë e Beratit, Peshkopisë dhe të Korçës.

Fundi i muajit shënon dhe ardhjen në treg të vishnjeve, që dallohen për ngjyrën e errët dhe shijen pak më të athët.

Si t’i zgjidhni qershitë?

Shikoni për qershi me lëkurë të lëmuar dhe me shkëlqim. Sa më e errët të jetë ngjyra e kuqe, aq më e mirë është qershia, pasi tregon se ajo është plotësisht e pjekur.

Me qershitë e bardha shihni të jenë sa më transparente dhe me ngjyrë të artë.

Gjithashtu kontrolloni dhe bishtat; ato duhet të jenë jeshile dhe me fleksibilitet, ndërkohë që në momentin që ruhen, marrin një ngjyrë si vishnje në të kafenjtë.

Si t’i ruajmë qershitë?

Futini në frigorifer të izoluara mirë. Ato mund të rrojnë deri në disa javë në këtë mënyrë, ose të paktën në teori, pasi ka shumë gjasa që t’i keni ngrënë deri në atë kohë. 

Postime të ngjashme

Krap i pjekur sipas recetës së lashtë shqiptare

Dafina Vidishiqi

Biskotat e thjeshta me kos – Përgatiten brenda 30 minutave!

Dafina Vidishiqi

Ja se si të përgatisni biftek viçi për ta bërë atë të butë dhe të shijshëm

Lea Muslija

Truk për gatimin e simiteve të shijshme: Si t’ia arrini ta bymeni përherë brumin

Dafina Vidishiqi

Gjithçka është në shijen perfekte: Mish pule nga furra!

Dafina Vidishiqi

Makarona të pjekura me djathë feta

Lea Muslija

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Akcepto Më tepër...