Fshirja e gjuhës maqedonase nga raporti i PE-së, Bilalli: Është raport jo-obligativ

nga Redaksia

Shkup, 5 korrik – Fshirja e gjuhës maqedonase dhe e identitetit maqedonas nga Raporti për Maqedoninë e Veriut në Parlamentin Evropian nuk duhet të ekzagjerohet, vlerëson profesori universitar, Mersel Bilalli.

Sipas tij, raporti i Parlamentit Evropian nuk ka karakter detyrues dhe duhet parë si një dokument që pasqyron mendimet e ndryshme politike brenda këtij institucioni.

“Mendoj se bëhet zhurmë e kotë sepse në qoftë se i analizojmë të gjitha raportet e shteteve tjera, nuk merren aspak me ato çështje identitare, sa i përket gjuhës, kulturës, traditave e kështu me radhë. Pra, realisht është fjala për një raport jo-obligativ dhe ky raport nuk është i Komisionit Europian. Ky është raport i Parlamentit Europian. Parlamenti ka amandmane, deputet, grupe të ndryshme të cilat janë të interesuara për çdo gjë. Sa i përket identitetit dhe gjuhës për mua është shumë e arsyeshme që nuk ekziston sepse nuk ka ekzistuar në asnjë raport tjetër të Parlamentit për ndonjë shtet”. – tha Profesori Universitar, Mersel Bilalli.

Sipas Bilallit pa ndryshime kushtetuese, s’ka negociata

Disa ditë më parë, eurokomisarja për Zgjerimin, Marta Kos, përcolli një mesazh të qartë për Shkupin: ndryshoni Kushtetutën në mënyrë që të mund të hapen negociatat për anëtarësim në BE.

Megjithatë, profesori universitar Mersel Bilalli thekson se Qeveria nuk ka asnjë disponim për të realizuar këto ndryshime.

Bilalli paralajmëron se nëse ndryshimet kushtetuese nuk realizohen deri në fund të këtij viti, mundësitë për të hapur negociatat me Bashkimin Evropian janë pothuajse zero.

Sipas tij, kjo do të sillte një vonesë të paktën pesëvjeçare nga afatet e planifikuara, duke i shtyrë shanset për anëtarësim përtej vitit 2035 dhe kjo vetëm nëse Maqedonia e Veriut arrin të përmbushë detyrimet e saj.

“Nga shumë informacione që kam unë, duke përfshi edhe ekspert të cilët punojnë në Bruksel janë të habitur me formën injorante me të cilën paraqitet Qeveria jonë. Gjen modalitet kur dëshiron që mos ti bën ndryshimet kushtetuese. Nëse nuk bëhen ndryshimet kushtetuese deri në fund të vitit, shanset janë baraz me zero. Madje, do të kemi vonesë edhe 5 vite shtesë nga ajo që parashihej, në vitin 2035, dhe atë vetëm nëse i kryejmë detyrat e kërkuara. Siç e shoh unë situatën, po krijohet një opinion gjithnjë e më i theksuar anti-BE, sidomos brenda etnikumit maqedonas”. – deklaroi Profesori Universitar, Mersel Bilalli.

Bilalli shton se zvarritja e mëtejshme e procesit euro-integrues do të ishte jashtëzakonisht e dëmshme jo vetëm për të ardhmen evropiane të vendit, por edhe për shtetin, popullin dhe paqen e brendshme e rajonale, duke rritur rrezikun e tensioneve dhe izolimit.

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More