Shkup, 7 tetor – Zhurnal.mk – Ish ambasadori i Bashkimit Evropian në Maqedoni të Veriut, Ervan Fuere, në një deklaratë për MIA-n, thotë se kërcënimet për bllokim të procesit negociues me BE-në nga pala bullgare, duhet ta brengosë Bashkimin Evropian, informon Zhurnal.
Ai thotë se kjo çështje është shumë serioze sepse “tregon se disa vende anëtare e shfrytëzojnë anëtarësimin në BE për të imponuar agjendë nacionalistike”.
Sofja zyrtare ka kërkuar që marrdhëniet e mira ndërfqinjësore të trajtohen si çështje thelbësore dhe të jenë pjesë e klasterit të parë në negociatat e Maqedonisë së Veriut me Bashkimin Evropian.
“Kjo çështje është brengosëse sepse tregon se disa vende anëtare e shfrytëzojnë anëtarësimin e tyre në BE për të imponuar agjendën nacionalistike, kjo është diçka që BE nuk guxon të nënvlerësojë, as vendet anëtare as institucionet e BE-së, kjo është një problem serioz që e kemi parë edhe në të kaluarën me Slloveninë dhe Kroacinë dhe tregon se sa peshon historia në Ballkanin Perëndimor”, thotë Fuerre.
Ai shpreson se dallimet bilaterale mes Shkupit dhe Sofjes për çështjet identike nuk do të pengojnë procesin e integrimit të Maqedonisë së Veriut e cila me vite pret hapje të bisedimeve me BE-në.//Zhurnal.mk