Ardhja e Ben Chilwell te Chelsea gjatë merkatos së verës, ka mbyllur ndjeshëm hapësirat për anësorin italo-brazilian Emerson Palmeiri, i cili mund të kërkojë largimin nga Londra që gjatë merkatos së janarit, pasi nuk dëshiron të humbë mundësinë e pjesëmarrjes në Euro 2020.
Për mbrojtësin ka shfaqur interes të vazhdueshëm Interi, por zikaltrit nuk kanë ndërmend të paguajnë 20 milionë eurot e kërkuara nga Chelsea dhe po negociojnë me londinezët për të marrë në huazim 6-mujor spanjollin Marcos Alonso, që gjithashtu nuk bën pjesë në planet e Lampard.
Megjithatë së fundi në garë për Emerson është futur Napoli i Gattusos, pasi tekniku italian nuk është aspak i bindur me performancën e emrave si Hysaj, Mario Rui dhe Ghoulam dhe sheh italo-brazilianin si idealin krahun e majtë.
Për më tepër në fund të sezonit pritet që nga Napoli të largohen si Hysaj, ashtu edhe Ghoulam, ndaj De Laurentiis është gati të investojë për t’ia besuar pikërisht italo-brazilianit korsinë e majtë të mbrojtjes.