Gara për Bashkinë e Himarës, zgjidhja e problemeve me pronat, oferta politike e PS dhe opozitës

nga D V

Himarjotët me 4 gusht do t’i drejtohen sërish kutive të votimet për të zgjedhur drejtuesin e bashkisë së tyre.

Vangjel Tavo, kandidati i PS, tregoi përse mendon se  Edi Rama zgjodhi dikë nga Gjirokastra, si ai vetë, për të rimarrë Himarën.

“Jam propozuar nga kryeministri Rama për të qenë kandidat i PS-së për të qenë kandidat për të përfaqësuar forcën politike në zgjedhjet e Bashkisë së Himarës. Unë shquhem si njeri që i zgjidh problemet dhe nuk krijoj kurrë probleme”, u shpreh Tavo në A2 CNN.

Opozita shkoi edhe më larg, deri në SHBA, për të gjetur kandidatin e saj, por për zgjedhësi, si njeriu i ngarkuar për të bërë zgjedhjen e duhur, kreu i PBDNJ-së, Vangjel Dule, preferon më shumë të komentojë zgjedhjen e rivalit.

“Zoti Tavo tha se, mua më caktoi kryeministri. Pra, ai është alterego e kryeministrit në Himarë. Zoti Gjikuria, në radhë të parë, është një nga familjet e shquara të trevës së Himarës. Ai ka qenë gjithmonë i aktivizuar. Çdo vit, në verë ai është në Himarë”, tha Dule në A2 CNN.

Zgjidhja e problemeve me pronat në Himarë janë kthyer prej vitesh në platformë politike nga të dy krahët e politikës.

“Nuk ka për t’u toleruar asnjë person që hiqet si investitor dhe vjen atje për të grabitur tokat e himarjotëve”, thotë Tavo.

“Zoti Gjikuria vjen me një sensibilitet për mbrojtjen e pronës si ajo e sanksionuar në Kushtetutën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës që është e shenjtë”, thotë Dule.

Edhe pse fushata nuk është hapur ende zyrtarisht, palët kanë nisur punën në terren. Madje, Dule hedh dyshime për manipulim të listës së zgjedhësve.

“Skandali më i madh ka ndodhur me listat e zgjedhësve, me shtesat që janë bërë në listat zgjedhore brenda muajve të fundit”, thotë Dule.

Tavo nuk ka asnjë kritikë për kundërshtarin e tij në garë, por nuk harron të ironizojë kreun e PBDNJ. “Herën tjetër do t’i kërkojë Ramës vizë!”

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More