Komisioni për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik i Kuvendit zhvilloi sot një seancë dëgjimore me anëtarët e Këshillit Drejtues të Radio Televizionit Shqiptar.
Të pranishëm në seancë ishin kryetari i Këshillit Drejtues të RTSH-së, Leka Bungo, zv/kryetari Gëzim Podgorica, anëtarët Genci Përmeti, Ilir Keko, Ardita Reçi, Milena Selimi, Ëngjëll Ndocaj, Edmond Tullumani dhe Albert Minga.
Në fokus të diskutimeve në komision ishin procedurat që janë ndjekur në përzgjedhjen e kandidaturave për Drejtor të Përgjithshëm të RTSH-së.
Në nisje të seancës, kryetarja e Komisionit për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik, Ina Zhupa tha se “RTSH është një aset publik, mbahet me paratë e taksapaguesve shqiptarë dhe nuk është pronë e anëtarëve të Këshillit Drejtues dhe as pronë e drejtorëve, as pronë e asnjë individi që përkohësisht ka një pozicion, është pronë e shqiptarëve”.
“Ky komision ju jep buxhetin si RTSH, që nuk janë pak, janë 23 milionë euro. Ky komision ju zgjedh ju në funksionet tuaja si anëtarë të Këshillit Drejtues dhe ky komision ndjek ligjshmërinë e veprimtarisë së RTSH dhe tuajën,” tha Zhupa.
Zhupa tha se “kriteret për zgjedhjen e Drejtorit të Përgjithshëm nuk janë as 100% dokumentacioni, kam parë çudira këtu, quani mosplotësim kriteresh se mungon një CV?! Nuk është kriter CV, ku e keni lexuar? Është dokument të cilit ju duhet t’i vini një afat për ta sjellë. Kualifikoni, skualifikoni në bazë të kritereve dhe më pas zgjidhni atë që doni ju sipas kritereve, jo në shkelje të ligjit, që bën më të mirën për RTSH. Këtë e kam qëndrim personal, jo të komisionit. Kjo ishte pika që derdh vazon, sepse vazon me paligjshmëri e keni mbushur. Të njëjtat shkelje keni bërë edhe kur keni zgjedhur Alfred Pezën, duke skualifikuar një kandidat që i kishte të gjitha kriteret”.
Ndërsa nënkryetarja e këtij komisioni, Evis Kushi theksoi se “fillimisht na kanë ardhur denoncime, por ne nuk duam t’ju paragjykojmë dhe gjithçka na ka ardhur edhe e dokumentuar dhe kemi lexuar në media, duam që t’ju kemi ju përballë të na informoni mbi çfarë po ndodh në lidhje me këtë proces dhe më pas të diskutojmë problematikat dhe zgjidhjet që do të japim”.
Kryetari i Këshillit Drejtues të RTSH-së, Leka Bungo tha se “lidhur me garën për zgjedhjen e Drejtorit të ri të Përgjithshëm të RTSH-së mbas dorëheqjes së ish-drejtorit Alfred Peza, është koshiente, sepse nga gjithë dokumentacionet që unë kam këtu dhe mund të vë në dispozicion, të gjithë anëtarët e Këshillit Drejtues, e dinë, e njohin mirë, e kanë lexuar, ua kam dërguar edhe me shkrim, se zgjedhja e një kandidature, si konkretisht Aurora Polo, që është kandidate që u fut në garë bashkë me një tjetër, nuk plotësojnë kriterin kryesor për zgjedhjen e drejtorit të ri”.
“Por, kjo paligjshmëri ka filluar muaj përpara me të njëjtën personazh që është Aurora Polo, e cila e propozuar nga Peza për zv.drejtoreshë të Përgjithshme, për arsye të kundërshtimit të të njëjtit ligj nuk duhej zgjedhur zv.drejtoreshë e Përgjithshme. E kam refuzuar, deklaruar, është e inçizuar, megjithatë me shumicë votash në Këshillin Drejtues ajo u zgjodh zv.drejtore e Përgjithshme,” tha Bungo.
Ligji, vijoi Bungo, i cili e pengonte zgjedhjen e saj, është i njëjti ligj që vijon ta pengojë në zgjedhjen e postit të Drejtoreshës së Përgjithshme.
“Është një nen në statut që thotë zv.drejtori, Drejtori i Përgjithshëm dhe drejtuesit e njësive administrative të RTSH duhet të kenë të njëjtin suport ligjor. Duhet të kenë mbi 10 vite punë dhe jo më pak se 5 vjet në median e shkruar dhe audiovizive. Në rregulloren e RTSH është edhe një pikë tjetër që thotë që ata që konkurrojnë paraqesin platforma për çështje të tilla duhet të kenë diploma të arsimuara të profilit të tyre, në rastin konkret është e shkelur edhe kjo,” nënvizoi Bungo.
Duke folur për procedurat që u ndoqën në mbledhjet e fundit, Bungo tha se “e kam pasur dhe kam këtë mendim që në Këshillin tonë Drejtues ka pasur shpesh herë ngërçe, dhe për mendimin tim kanë qenë shumë subjektive, të cilat kanë penguar hera-herës punën dhe nuk kanë ndikuar për mbarëvajtjen e punës në institucion. Ka një kontradiktë të vjetër qëkurse ne jemi zgjedhur nga Kuvendi si anëtarë të Këshillit Drejtues, nëpërmjet këtij këshilli dhe administratës ekzekutive të RTSH. Mbështetur në dokumentacionin që unë kam janë 18 vendime të Këshillit Drejtues që nuk janë realizuar nga Drejtoria e Përgjithshme megjithëse për ta vendimet e Këshillit Drejtues duhet të jenë të zbatueshme”, vijoi Bungo.
Duke folur për mbledhjen e një jave më parë të Këshillit Drejtues i Radio Televizionit Shqiptar zv.kryetari i këtij këshilli, Gëzim Podgorica tha se “ne nuk kemi menduar ndonjëherë që jemi të pavarur nga Kuvendi, jemi të përgjegjshëm, jemi njerëz institucionalë dhe eksperienca jonë nuk na lejon që të bëjmë gabime të kësaj natyre. Menjëherë kur sapo unë u kërkova anëtarëve të mblidheshim pas reagimit tuaj dhe të zonjës Kushi, të gjithë u përgjigjën pozitivisht dhe pro për ta ndërprerë procesin dhe për të vijuar me një diskutim të gjerë shterues, që të shkojmë aty ku duhet pa u vënë në ballafaqim jo korrekt me opinionin publik dhe me interesa të tjera”.
“Ky nuk është rasti i parë kur janë eliminuar kur janë plotësuar të gjitha kriteret. E tha edhe kryetari që ka një handikap ligjor, kur votohet, votohet edhe pro, edhe kundër, nuk votohet vetëm pro. Prandaj për sot, por duhet ta kemi edhe në perspektivë, ne duhet të shikojmë si duhet interpretuar kjo pikë, sepse mund të rikthehemi edhe një herë edhe ndodh ndonjë gjë dhe ju na konsideroni sikur kemi shkelur ligjin,” tha Podgorica.
Podgorica u shpreh se “ligji e thotë shumë qartë: “Me mbarimin e afatit të aplikimit Këshilli Drejtues bën vlerësimin e kandidaturave të paraqitura, të mbështetura në dokumentacionin e dorëzuar, vlerëson, verifikon dhe saktëson vërtetësinë e tyre dhe me votim të fshehtë vendos përfshirjen e tyre në konkurrim.” Pra ka mangësi ligji, pasi nëse e thotë që “votimi të bëhet në bllok”, të vijë dokumentacioni me mbështetje ligjore dhe vazhdon procesi”.
Duke iu drejtuar kryetares së Komisionit të Edukimit dhe Mjetet e Informimit Publik, Ina Zhupa, zv.kryetari i Këshillit Drejtues të RTSH-së, Podgorica tha se “kam qenë dhe jam që të përfshiheshin të gjithë në garë, por nuk ndodhi kështu dhe ndodhi gjithë kjo gjë. Sot jam prapë i këtij mendimi, duhet saktësuar ajo pjesa e ligjit, se nuk është se e kemi ne”.
Zhupa tha se “ka një hierarki: është Kushtetuta, ligji i Medias dhe pastaj statuti juaj. Parimisht ju duhet të zbatoni të drejtat kushtetuese ato që jep Kodi i Procedurave Administrative, ligji i Medias dhe pastaj statuti. Ju gjithmonë e bëni mbrapsht, nuk është statuti as mbi Kushtetutën dhe as mbi Kodin e Procedurave Administrative”.