Shkup, 9 korrik – Kryeministri Zoran Zaev gjatë fjalimit të tij në konferencën “Ekonomist” në Athinë që mbahet nën temën “Nga distancimi social deri te solidarësia sociale”, theksoi rëndësinë e bashkëpunimit rajonal dhe ekonomik, kurse foli edhe për Marrëveshjen që u nënshkrua mes Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë për interkonektor për gaz natyror.
“Ky projekt është shumë i madh, në vlerë prej rreth 100 milionë eurove, 54 milionë euro janë në RMV-në. Ky është interkonektor për gaz natyror që hap mundësi të madhe jo vetëm për Maqedoninë e Veriut, por edhe për Serbinë, Kosovën, Ballkanin Perëndimor dhe vende të tjera dhe përfundimisht do të sjellë diversifikim të gazit natyror”, deklaroi Zaev.
Ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi bashkë me ministrin grek për ekologji dhe energjetikë, Kostas Skrekas, thanë se ky hap ka rëndësi të madhe për zhvillim të ekonomisë në të gjithë rajonin.
KRESHNIK BEKTESHI, MINISTËR I EKONOMISË
“Ky hap ka rëndësi jashtëzakonisht të madhe për ekonominë e vendit tonë, duke pasur parasysh se do të rritet konkurrenca e kompanive tona, do të ulen çmimet në pjesën e gazit natyror, kurse sigurisht se do të hapet edhe mundësi shtesë që këtë ta vazhdojmë edhe te fqinjët tanë veriorë, siç janë Republika e Kosovës dhe Republika e Serbisë”, tha Bekteshi.
“Nënshkruam marrëveshje ndërqeveritare për ndërtim të një gazsjellësi për gaz natyror, i cili do të fillojë nga Nea Mesimvrija dhe do të përfundojë në Gjevgjeli. Në këtë mënyrë arrijmë dy gjëra. E para – e avancojmë rolin gjeopolitik të Greqisë, duke pasur parasysh se edhe më shumë do ta përforcojmë rolin e saj si një udhëkryq energjetik, i cili përmes sistemit tonë nacional do të përçojë gaz në Maqedoninë e Veriut”, shtoi Skrekas.
Në margjinat e kësaj konference, Zaevi realizoi takime dhe biseda me diplomatë të rëndësishëm, mes të cilëve edhe me ambasadorin amerikan në Greqi, Xhefri Pajat, si dhe me drejtorin ekzekutiv të Komitetit Amerikan Hebraik, Dejvid Haris.