Gëzuar 7 Marsi! Puna në arsim duhet të prodhojë cilësi që hynë në veprim!

nga I.A

Shkup, 7 mars – Arsimi pa cilësi nuk ndërton vetëm shkatërron brezat e ardhshëm, mashtron dhe asgjë produktive nuk prodhon. 7 Marsi, njihet si festa e Mësuesit dhe festohet në të gjitha shkollat dhe Universitetet. Është një ditë për të kujtuar e vlerësuar mësuesit për përkushtimin e tyre në mësimdhënie dhe për përgatitjen e brezave të ardhshëm. Zanafilla e kësaj dite përkon me hapjen e mësonjtores së parë shqipe, e cila u hap në Mars të vitit 1887 në Korçë, pikërisht në një kohë kur shqiptarët mësonin shqip fshehurazi në shtëpitë e tyre, për shkak të sundimit Osman. Tani më 136 vite më vonë prej kur është hap shkolla e parë shqipe, në Maqedoninë e Veriut ende ka shqiptarë që mësimin e vijojnë në gjuhën maqedonase. Megjithatë, shqiptarët janë zhvilluar mjaftueshëm në fushën e arsimimit. Shumë çerdhe, shumë shkolla, e shumë Universitete kudo në trevat shqiptare, nxënës, student me bollëk. Por, në realitet si qëndron gjendja me cilësinë, sepse fundja shqiptarët nuk kanë pasur nevojë për objekte por për kuadro dhe gjenerata sa më cilësore me potencialin e të cilëve shpresohet që të ndryshojë gjendja kolektive sociale për të mirë. Por, në këtë ditë feste duhet të kujtojmë që cilësia në arsim po degradon, mirë që festohet por pesha e festës shtohet kur cilësia nuk mungon, shkruan Zhurnal.

Për 7 Mars duhet të kujtojmë se në çfarë niveli e kemi sistemin arsimor në Maqedoninë e Veriut –

Nga 81 shtete Maqedonia e Veriut radhitet e 61-ta në PISA. Në shkrim dhe lexim në vendin e 71 nga 81 shtetet gjithsej, matematikë e 61-ta, dhe në shkencë në vendin e 68-tetë. Në testimin paraprak të PISA-s, që është zbatuar në vitin 2018, nxënësit e shkollave të mesme të Maqedonisë ishin listuar në vendin e 67-të nga gjithsej 77 shtete pjesëmarrëse. Ky krahasim dhe këto të dhëna janë tmerruese për atë se në çfarë drejtimi po shkon cilësia në arsim.

Në vend të progresit pason me një regres të hatashëm pra nga vendi 67 bie në vendin 61. Dhe, kjo flet qartësisht për sa i përket asaj se a ka pasur reforma në sistemin edukativo-arsimor. Në fakt, këto të dhëna flasin qartësisht për ngecjen e cilësisë në arsim, shifra alarmante dhe shqetësuese që duhet të ndërmerren masa në të kundërtën më vonë pasojat do të jenë të pariparueshme.

“Me një diferencë minimale, rezultatet për Maqedoninë e Veriut ruajnë nivelin që ishte në vitin 2018. Nga gjithsej 81 vende që ishin pjesë e testimit, me 389 pikë të fituara , vendi ynë është në vendin e 61-të sipas rezultateve të matematikës. Me 359 pikët e arritura në matjen e shkrim-leximit gjuhësor, lexim me kuptim jemi renditur në vendin e 71-të, ndërsa në shkencat natyrore nxënësit tanë shënuan 380 pikë, që e rendit vendin tonë në vendin e 68-të në Evropë”, thonë nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës.

Nuk qëndrojnë më mirë as vendet tjera të rajonit të cilat gjithashtu radhiten nga fundi i listës së shteteve pjesëmarrëse. Shqipëria rradhitet e 66-ta në pjesën e shkrim-leximit, ndërsa në matematikë dhe shkencë në vendin 71. Kosova mban vendin e 76 në lexim, vendin e77 në shkencë, ndërsa vendin e 74 në matematikë. Ndërsa Serbia radhitet e 40-ta në lexim e shkencë, ndërsa në pjesën e matematikës mban vendin e 42-të.

Kujtojmë që, PISA është një nga testimet ndërkombëtare më kredibile dhe më të besueshme që mat shkrim-leximin, pra njohuritë e zbatueshme që i nevojiten nxënësit për të vazhduar arsimimin e tyre dhe për të pasur sukses në jetën e tij personale dhe profesionale. Detyrat në testet janë në lidhje me situata reale në të cilat mund të gjenden nxënësit dhe nëpërmjet përgjigjeve nuk matet riproduktiviteti por njohuria funksionale, e cila është e rëndësishme për lidhjen, kuptimin dhe zgjidhjen e problemeve.

Krahasuar me 5 vite më parë, shumica e qytetarëve besojnë se sot kemi arsim më të keq–

56.3% ndajnë këtë qëndrim kundrejt 25% që nuk shohin ndonjë ndryshim. Vetëm 9.6% e të anketuarve thonë se arsimi i sotëm është në një nivel më të lartë krahasuar me situatën e 5 viteve më parë. Pyetje e njëjtë ka qenë edhe në anketën e realizuar 4 vjet më parë, sipas të cilës 48.9% mendonin se arsimi ishte përkeqësuar në 5 vitet e fundit, kundrejt 28.8% që nuk mendonin kështu.

49% e të anketuarve thonë se cilësia e procesit arsimor në Maqedoninë e Veriut është më e keqe në krahasim me vendet e rajonit. Një e katërta janë të mendimit se është e ngjashme, ndërsa vetëm 5,7% mendojnë se Maqedonia e Veriut ka arsim më të mirë se vendet e rajonit. Dhe këtu krahasimi me anketën e IPIS 2019 tregon se perceptimet janë përkeqësuar. Në atë kohë, 40,1% mendonin se kishte arsim më të mirë në rajon, afër 30% nuk kanë vërejt dallime dhe 10,4% mendonin se në Maqedoninë e Veriut ka një proces më të mirë arsimor në krahasim me vendet e rajonit.

Sipas qytetarëve, arsyeja kryesore pse Maqedonia e Veriut është në vendet më të ulëta në matjet botërore për cilësinë e arsimit është planprogrami i dobët, mendim të cilin e ndajnë 19,2% e qytetarëve. 15.5% mendojnë se arsyeja kryesore është stafi joadekuat mësimdhënës, 12.7% e shohin problemin në tekstet shkollore jo cilësore dhe 11% në kushtet e këqija në shkolla. Kujtojmë që, anketa për Detektor nga Institutit për Hulumtime Politike në Shkup është realizuar nga 28 shkurt deri më 3 mars të këtij viti në mostër përfaqësuese prej 1107 të anketuarve.

Ndërkaq, nëse flasim për cilësinë në arsimin e lartë kujtojmë që nga publikimi i fundit vitin e kaluar në listën e Shangait asnjë nga Universitetet e Maqedonisë së Veriut nuk ishte ranguar në këtë listë. Lista e Shangait: Asnjë Universitet nga Maqedonia nuk bën pjesë në Top 1000. Më së miri të radhitura janë universitetet “Harvard”, “Stenford”, “Kembrixh” dhe “Berkli”. Nga rjaoni, nga vendi i 400 deri në vendin e 500 është ranguar universiteti në Beograd, si dhe universiteti në Ljubjanë. Në këtë listë gjithashtu gjendet dhe Universiteti në Zagreb. /Zhurnal.mk

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More