Autoritetet policore kanë mundur të gjejnë motoçikletën, e cila dyshohet se u përdor në atentatin ndaj Drejtorit të Policisë Bashkiake të Malësisë së Madhe, Mentor Hasanaj, mesditën e kësaj të diele në Dobraç të Shkodrës. Burimet bëjnë të ditur se ajo është gjetur rreth 500 metra nga vendi i ngjarjes, gjatë orëve të pasdites.
Autori dyshohet se e ka braktisur mjetin dhe më pas është larguar në këmbë. Policia e Shkodrës po ushtron kontrolle në zonë pasi dyshohet se autori nuk është larguar nga perimetri ku është kryer atentati.
Korrespondentja e Tv Klan në Shkodër, Emi Kalaja thotë se deri më tani janë shoqëruar të paktën 3 persona, të cilët mendohet se mund të kenë dijeni për ngjarjen.
Ndërkohë, burime për Klan Plus thonë se autoritetet policore kanë një të dyshuar për ngjarjen, megjithatë policia është e rezervuar për shkak të hetimeve.