Agjencia Zhurnal.mk
Maqedoni

Gjërat që duhet t’i dini për vaksinën AstraZeneca, që erdhi sot tek ne

Shkup, 28 mars – Në total, RMV do të furnizohet me sasi të madhe të dozave të vaksinës kundër koronavirusit të kompanisë britanike, AstraZeneca, që e ka zhvilluar në bashkëpunim me Universitetin e Oksordit.

Kontingjenti i parë me vaksina, arriti sot më 28 marsi dhe është në kuadër të vaksinave që RMV do të marrë falas nga programi COVAX, i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH).

Në fundin e vitit të kaluar, Mbretëria e Bashkuar u bë shteti i parë që miratoi për përdorim vaksinën e AstraZenecas, e cila jepet përmes dy dozave. Deri më tani, kjo vaksinë është miratuar për përdorim në mbi 70 shtete në mbarë botën, përfshirë edhe nga rregullatori evropian i barnave. Po ashtu, OBSH-ja ka rekomanduar përdorimin e kësaj vaksine.

Efikasiteti

Vaksina e AstraZenecas përmban virus të dobësuar, që përdoret për krijimin e vaksinave për grip të zakonshëm. Ky virus ka për qëllim që të japë udhëzime për krijimin e proteinave, që do të ndihmojë sistemin imunitar të luftojë dhe parandalojë infektimin nga coronavirusi.

Që prej se AstraZeneca njoftoi për zhvillimin e vaksinës së saj kundër koronavirusit, ka variuar edhe efikasiteti i saj kundër sëmundjes COVID-19. Por, sipas një studimi të fundit të kryer në Shtetet e Bashkuara, ku kanë marrë pjesë 32,449 vullnetarë, vaksina ishte 79 për qind efektive në parandalimin e simptomave të sëmundjes COVID-19. Ndërkaq, sipas këtij studimi, të kryer nga një panel i pavarur, kjo vaksinë ishte 100 për qind efektive ndaj sëmundjes së rëndë të COVID-19 dhe raste të hospitalizimit.

Kjo vaksinë administrohet te personat mbi 18 vjeç.

Dy dozat e vaksinës së AstraZenecas jepen ndërmjet katër dhe 12 javësh. Sipas disa studimeve, sa më e gjatë të jetë periudha ndërmjet dozës së parë dhe të dytë, aq më i lartë mund të jetë imuniteti që krijon vaksina.

Për shkak të çmimit të lirë, vaksina e AstraZenecas është bërë e qasshme për shumë shtete në botë. Çmimi për këtë vaksinë varion nga 3 deri në 15 dollarë.

Mpiksja e gjakut

Në fillim të marsit të këtij viti, disa shtete pezulluan përdorimin e vaksinës së AstraZenecas, për shkak të efekteve anësore të kësaj vaksine, përkatësisht disa persona kanë pasur mpiksje të gjakut, pas pranimit të vaksinës.

Por, më 18 mars, Agjencia Evropiane e Barnave tha se përdorimi i vaksinës së AstraZenecas është i sigurt, pavarësisht raportimeve për mpiksje gjaku.

Sipas rregullatorit evropian, përfitimet e kësaj vaksine tejkalojnë rreziqet.

Mbi 65 vjeç

Në studimet klinike të kryera për zhvillimin e vaksinës së AstraZenecas, kanë qenë të përfshirë shumë pak personat mbi 65 vjeç. Pavarësisht kësaj, Organizata Botërore e Shëndetësisë ka rekomanduar që kjo vaksinë t’u jepet kësaj grupmoshe, duke thënë se efikasiteti i vaksinës në këtë grupmoshë është i gjerë.

“Vlerësime më të sakta për efikasitetin për këtë grupmoshë pritet së shpejti, si nga provat që po zhvillohen, por edhe nga studimet mbi efikasitetin që po bëjnë shtetet që po e përdorin këtë vaksinë. Përgjigjet imunitare që janë shkaktuar nga vaksina te personat e moshuar, janë të dokumentuara mirë dhe janë të ngjashme si te grupmoshat e tjera. Kjo sugjeron që ka shumë gjasa që vaksina të jetë efektive edhe te personat e moshuar. Të dhënat e provave thonë se vaksina është e sigurt për këtë grupmoshë”, thuhet në vlerësimin e OBSH-së, të publikuar në shkurt të këtij viti.

Variantet më ngjitëse të COVID-19

Aktualisht janë dy variante të reja të koronavirusit, që besohet se janë më ngjitës: ai i zbuluar fillimisht në Mbretërinë e Bashkuar dhe ai në Afrikë të Jugut.

Sipas vlerësimeve të OBSH-së, vaksina e AstraZenecas, ka shfaqur më pak efikasitet ndaj këtyre varianteve. Për variantin e Mbretërisë së Bashkuar, OBSH-ja ka thënë se nga rezultatet paraprake, del se vaksina e AstraZenecas shoqërohet me ulje të prodhimit të antitrupave. Ndërkaq, për variantin e Afrikës së Jugut, kjo vaksinë është më pak efektive ndaj sëmundjes së moderuar dhe të butë si dhe ka pasur më pak prodhim të antitrupave.

Për dallim nga vaksinat e kompanive Pfizer/BioNTech dhe Moderna, që kërkojnë të ruhen në temperatura ultra të ulëta, vaksina e AstraZenecas mund të ruhet në frigoriferë normal në temperaturë prej 2 deri në 8 gradë Celsius.

Postime të ngjashme

Maqedoni, gjobiten 220 motoçiklistë dhe 89 shoferë për vozitje në gjendje të dehur

Dafina Vidishiqi

Moti gjatë ditës së nesërme në Maqedoni

Dafina Vidishiqi

Ja kur pritet heqja e orës policore në Maqedoni

Dafina Vidishiqi

Filloi rikonstruimi i rrugës 116 në Tetovë

Dafina Vidishiqi

Agjencia e Sigurisë Kombëtare do të marrë 3 milion euro me rishikimin e buxhetit

Dafina Vidishiqi

Asnjë i vdekur nga COVID-19 në Maqedoninë Veriore

Dafina Vidishiqi

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Akcepto Më tepër...