Shkup, 18 janar – Sa më shumë ndryshime që bënë Gjermania në drejtim të procedurave për marrjen e punëtorëve nga Ballkani Perëndimor aq më shpejt ky rajon do të shndërrohet në një zonë “lufte” pa luftë sepse do të mungojnë shumë qytetarë dhe të rinjtë do të progresojnë jashtë vendlindjeve të tyre. Të gjithë punëtorët e huaj dhe azilantët në Gjermani do të përfitojnë nga ligji i ri që u mundëson atyre një sërë benefitesh për të qëndruar e punuar në këtë shtet. Ky lehtësim pozitiv për qytetarët atje ndikon ndegativisht për vendin këtu dhe rajonin në përgjithësi sepse vazhdimisht po shtohet nevoja për importimin e punëtorëve të huaj, shkruan Zhurnal.
Lehtësimi i rregullave në Gjermani, dyfishohen kuotat vjetore për punëtorët e kualifikuar –
Të gjithë punëtorët e huaj dhe azilantët në Gjermani do të përfitojnë nga ligji i ri që u mundëson atyre një sërë benefitesh për të qëndruar e punuar në këtë shtet.
Sipas Deutsche Welle, tashmë kushdo që shkon në Gjermani si profesionist i kualifikuar nga çdo vend jashtë Bashkimit europian, mund të tërheq dhe familjarët e tij. Por kjo me disa kushte që duhen respektuar. Kjo pasi rregullorja ekzistuese për punëtorët e kualifikuar me arsim të lartë, Karta Blu, është lehtësuar akoma dhe më shumë nga 18 tetori, edhe për profesionistët që vijnë nga fushat e farmacisë, arsimit apo dhe profesione të tjera.
Më parë përfitues nga këto lehtësia ishin vetëm profesionistët që vinin nga shkencat kompjuterike, matematika, degët e inxhinierisë apo mjekësia. Tashmë çdokush prej këtyre profesioneve nëse arrijnë të nënshkruajnë një kontratë me punëdhënësit, ata mund të shkojnë në Gjermani, pa u njohur diplomat pasi këtë proces mund ta bëjnë pas mbërritjes dhe nisjes së punës.
Ndërsa Rregullorja për punëtorët nga Ballkani Perëndimor, për punësimin e punëtorëve nga Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia do të ndryshojë në qershor. Ajo nuk do të ketë më afat të caktuar vlefshmërie. Nga qershori 2024, kuota vjetore do të dyfishohet në 50.000 punëtorë. Ndërkohë sa i takon procedurave të azilit ato do të vështirësohen akoma më shumë.
Nevojat e mëdha për fuqi punëtore në Gjermani po largojnë rininë nga vendet e Ballkanit-
Gjermania ka nevojë të madhe për fuqi punëtore. Autoritetet gjermane kanë bërë të ditur gjatë vitit 2022 se ky vend ka nevojë çdo vit për rreth 400.000 punëtorë të kualifikuar nga vende të tjera, në veçanti në ekonomi, shëndetësi dhe profesione të tjera. Ndërsa Ballkani Perëndimor shihet si një rezervuar i lakmueshëm i fuqisë punëtore. Por kjo njëkohësisht thellon problemet me emigrimin e të rinjve dhe mungesën e fuqisë punëtore në vendet e kësaj zone pra në vendet e Ballkanit Perëndimor.
Sa më shumë rritet nevoja për punëtorë në Gjermani aq më shumë rritet numri i të rinjve që lëshojnë vendet e tyre amë, tashmë çështja e shkuarjes në Gjermani ka mbet vetëm çështje teknike sepse pothuajse numri dërrmues i të rinjve ka ndarë mendjen dha ka marr një vendim të tillë.
Pasojat do të vërehen në një të ardhme jo të largët, pasi veçmë janë paraqitur nevojat e para për punëtorë në vendet e Ballkanit Perëndimor që nëse para 10 viteve ka qenë e vështirë për një vend pune tani në çdo cep të çdo qyteti shihen letrat e vendosura nëpër biznese duke kërkuar punëtorë. Sektorët që kanë vërejtur simptomat e para të këtij fenomeni janë gastronomia dhe investitorët e jashtëm që realisht nuk mund të zhvillojnë bizneset e tyre edhe përkundër investimeve që kanë bërë.
Dhe, tani kur shihen ndryshime që bëhen në drejtim të lehtësimit për punëtorët që dëshirojnë të punojnë në Gjermani, shihet lehtësisht edhe e ardhmja e rajonit që do të zbrazet për një kohë shumë të shkurtë, duke u shndërruar në një zonë ku mungon perspektiva, dhe si pasojë e dëshpërimit nga zgjatjet e integrimit evropian kolektiv si shtete, të rinjtë po ndajnë mendje të integrohen si individë, më shpejt dhe më mirë. /Zhurnal.mk