Shkup, 17 qershor – Sa më shumë ndryshime që bënë Gjermania në drejtim të procedurave për marrjen e punëtorëve nga Ballkani Perëndimor aq më shpejt ky rajon do të shndërrohet në një zonë “lufte” pa luftë sepse do të mungojnë shumë qytetarë dhe të rinjtë do të progresojnë. Por, ka ndryshime drastike për sa i përket rregullave të qëndrimit në Gjermani, pasi Scholz filloi debatin për deportimet në Afganistan dhe Siri, paralajmërohet shtrëngimi i rregullave. A do të ketë dëbime? A duhet të deportohen kriminelët e rëndë dhe njerëzit e rrezikshëm në vende që konsiderohen të pasigurta, si Afganistani apo Siria? Një sulm fatal me thikë nga një 25-vjeçar afgan në Mannheim dhe vrasja e një polici në detyrë ka ndezur një debat të madh mbi këtë çështje. Por, mbetet të shihet nëse rregullat e reja do të prekin të gjithë të huajit në Gjermani apo vetëm ato nga vendet e Lindjes, shkruan Zhurnal.
Në Gjermani krijohet debat për rregulla më strikte për sa i përket qëndrimit në këtë shtet –
Pasi Scholz filloi debatin për deportimet në Afganistan dhe Siri, paralajmërohet shtrëngimi i rregullave. A do të ketë dëbime? A duhet të deportohen kriminelët e rëndë dhe njerëzit e rrezikshëm në vende që konsiderohen të pasigurta, si Afganistani apo Siria? Një sulm fatal me thikë nga një 25-vjeçar afgan në Mannheim dhe vrasja e një polici në detyrë ka ndezur një debat të madh mbi këtë çështje.
Dinamika në diskutim u soll nga deklarata e kancelarit federal gjerman Olaf Scholz. “Kriminelët e tillë duhet të deportohen – edhe nëse vijnë nga Siria dhe Afganistani. Kriminelët e rëndë dhe ata që përbëjnë një kërcënim terrorist nuk kanë çfarë të kërkojnë këtu”, tha politikani i SPD-së.
Kreu i opozitës, presidenti i CDU-së, Friedrich Merz, kërkoi masa konkrete. Kohët e fundit në tetorin e kaluar, kancelari po fliste për dëbime masive – shumë pak ka ndodhur që atëherë, tha ai. Fjalët e Scholzit janë “formulim i shëndoshë”, komentoi Merz gjatë një paraqitjeje në transmetuesin publik ZDF dhe kërkoi: “Tani veprimet duhet të pasojnë”.
Ministrja e Brendshme kërkon të shtrëngojë të drejtën e qëndrimit –
Ndonëse kancelari nuk shpjegoi detaje për zbatimin e kërkesës së tij, kolegia e tij partiake nga SPD, ministrja federale e Brendshme Nancy Faeser, shpjegon se prej kohësh janë konsideruar mundësi shtesë për dëbimin e këtyre personave: Pyetja është se si mund të arrijmë që ata që kanë kryer krime këtu dhe që konsiderohen më tej si kërcënim për sigurinë, të largohen nga vendi. Unë do të paraqes së shpejti një propozim për të shtrënguar ligjin e qëndrimit në Gjermani për persona të tillë.
Është planifikuar të futet në fuqi ligji kundër glorifikimit të terrorizmit si një arsye shtesë për dëbimin e personave të tillë. Pra personat që flasin mirë dhe mbështesin terrorizmin në të ardhmen do të dëboheshin më shpejtë. Por Faeser gjithashtu thekson se dëbimet, për shembull në Afganistan, në përgjithësi nuk janë lehtë të realizueshme për shkak të gjendjes së sigurisë atje. “Po zgjat kaq shumë, sepse ne nuk mund t’i largojmë ata drejt në vendet e originës dhe t’i lëmë atje këta njerëz”, tha ministrja e Brendshme.
Ministrja e Brendshme dëshiron të parandalojë keqkuptimet e mundshme në lidhje me dëbimet: “Nuk bëhet fjalë për dëbimin e personave që janë dënuar tani, ata duhet të kryejnë dënimin fillimisht”, thotë Faeser. Diskutimi rreth deportimeve – duke përfshirë edhe ato në Afganistan – po vazhdon. Megjithatë, një zbatim i shpejtë i dëbimeve të tilla nga Gjermania vështirë se mund të pritet, kështu raporton DW.
Nevojat e mëdha për fuqi punëtore në Gjermani po largojnë rininë nga vendet e Ballkanit-
Nga ana tjetër, përkundër debatit që zhvillohet për rregulla më strikte në drejtim të qëndrimit në Gjermani, bëhet fjalë për një shtet që është në kolaps për fuqi punëtore. Prandaj, edhe ka bërë lehtësime të mëdha për qytetarët e Ballkanit që janë të interesuar të jetojnë dhe punojnë në Gjermani.
Gjermania ka nevojë të madhe për fuqi punëtore. Autoritetet gjermane kanë bërë të ditur gjatë vitit 2022 se ky vend ka nevojë çdo vit për rreth 400.000 punëtorë të kualifikuar nga vende të tjera, në veçanti në ekonomi, shëndetësi dhe profesione të tjera. Ndërsa Ballkani Perëndimor shihet si një rezervuar i lakmueshëm i fuqisë punëtore. Por kjo njëkohësisht thellon problemet me emigrimin e të rinjve dhe mungesën e fuqisë punëtore në vendet e kësaj zone pra në vendet e Ballkanit Perëndimor.
Sa më shumë rritet nevoja për punëtorë në Gjermani aq më shumë rritet numri i të rinjve që lëshojnë vendet e tyre amë, tashmë çështja e shkuarjes në Gjermani ka mbet vetëm çështje teknike sepse pothuajse numri dërrmues i të rinjve ka ndarë mendjen dha ka marr një vendim të tillë.
Pasojat do të vërehen në një të ardhme jo të largët, pasi veçmë janë paraqitur nevojat e para për punëtorë në vendet e Ballkanit Perëndimor që nëse para 10 viteve ka qenë e vështirë për një vend pune tani në çdo cep të çdo qyteti shihen letrat e vendosura nëpër biznese duke kërkuar punëtorë. Sektorët që kanë vërejtur simptomat e para të këtij fenomeni janë gastronomia dhe investitorët e jashtëm që realisht nuk mund të zhvillojnë bizneset e tyre edhe përkundër investimeve që kanë bërë.
Dhe, tani kur shihen ndryshime që bëhen në drejtim të lehtësimit për punëtorët që dëshirojnë të punojnë në Gjermani, shihet lehtësisht edhe e ardhmja e rajonit që do të zbrazet për një kohë shumë të shkurtë, duke u shndërruar në një zonë ku mungon perspektiva, dhe si pasojë e dëshpërimit nga zgjatjet e integrimit evropian kolektiv si shtete, të rinjtë po ndajnë mendje të integrohen si individë, më shpejt dhe më mirë. /Zhurnal.mk

