Gjimnazi Kumanovës po bëhet realitet pas shumë viteve!

nga I.A

Shkup, 27 maj – Shkolla e mesme Gjimnazi “Sami Frashëri” në Kumanovë po bëhet realitet, e kjo krejt pas një periudhe të gjatë kohore. Ndërtimi i kësaj shkolle kishte ngelur në duar të fatit, luhej sikurse me top faji hidhej herë komunës e herë Ministrisë së Arsimit. Por, tani kjo gjë ka marrë fund, sot është vendosur edhe gurthemeli i kësaj shkolle. Me çka nxënësit shqiptarë nuk do të ndjehen të diskriminuar por do të mësojnë në një objekt të ri me të gjitha kushtet e nevojshme. Edhe pse në lokacion jo aq të përshtatshëm për nxënësit sepse bëhet fjalë për periferi të qytetit, pra për dallim prej gjimnazit ku mësojnë nxënësit maqedonas që është pothuajse në qendër të qytetit. Por, sidoqoftë mirë që po ndërtohet e mirë që nxënësit shqiptarë po largohen nga objekti që veç shkollë nuk ishte, shkruan Zhurnal.

Pas shumë vitesh po ndërtohet gjimnazi shqiptarë në Kumanovë –

Ka filluar ndërtimi i objektit të ri shkollor të gjimnazit “Sami Frashëri” në Kumanovë, kumtoi sot kryetari i komunës së Kumanovës, Maksim Dimitrievski. Mjetet për ndërtim janë siguruar nga Qeveria, Ministria e Arsimit dhe Shkencës dhe Komuna e Kumanovës.

“Ka filluar ndërtimi i objektit të ri shkollor të gjimnazit ‘Sami Frashëri’ në Kumanovë, projekt ky i realizuar nga MASH-i në bashkëpunim me komunën e Kumanovës”, informon Dimitrievski.

Qeveria më 30 gusht të vitit të kaluar ka marrë vendim që të fillojnë aktivitetet për ndërtimin e objektit për nevojat e nxënësve të kësaj shkolle. Sipas vlerësimeve të asaj kohe projekti total ka kushtuar 120 milionë denarë dhe duhet të përfundojë brenda tre vitesh.

“Vendimi i qeverisë parasheh mjete në vlerë prej 48 milionë denarë në buxhetin e MASH-it për vitin 2023 dhe 70 milionë denarë shtesë në vitin 2024. Objekti do të ndërtohet në truallin në pronësi të Republikës së Maqedonisë së Veriut, me vendndodhje në ish kazermën e Kumanovës”, informoi në atë kohë Qeveria.

Sektori për urbanizëm nga komuna e Kumanovës në janar të këtij viti ka dhënë miratim për ndërtimin e shkollës së mesme “Sami Frashëri”, objekti shkollor do të vendoset në ish kazermën “Hristijan Todorovski Karposh” në lagjen Bedinje, ku veçmë është në funksion dhe shkolla e mesme “Pero Nakov” me mësim në gjuhën shqipe. Gjenerata të tëra nxënësish kanë ndjekur mësimin në kushte joadekuate në ish ndërtesën e administratës “ZIK”, në një nga bulevardet më të frekuentuara të qytetit.

Derisa “Gjimnazi “Goce Dellçev” mbi çati kishte termocentrale fotovoltaike, gjimnazi “Sami Frashëri” kishte ngelur pa çati –

Përderisa gjimnazi ku mësojnë maqedonasit ka vendosur edhe termocentrale fotovaltike mbi çati, gjimnazi ku mësojnë nxënësit shqiptarë ka mbetur ende pa adresë të saktë, nxënësit po vijojnë mësimin në objektin që vetëm shkollë nuk mund të quhet. Vitin që lamë pas derisa shkolla e mesme “Goce Dellçev” rinovohej duke marrë pamje të një shkolle evropiane, shqiptarët i gëzoheshin vendimit që shkolla e mesme “Sami Frashëri” do të bëhet me objekt të ri, pa çka se objekti i ri do t’i largojë nxënësit shqiptarë nga qendra e qytetit në drejtim të periferisë.

Ky objekt i kësaj shkolle ku mësojnë nxënësit shqiptarë është prapavija më e njohur gjatë fushatave parazgjedhore kur ka zgjedhje lokale, pra janë bërë më shumë se 17 vite që kur është premtuar gjetja e një zgjidhjeje të përshtatshme për gjimnazin “Sami Frashëri”,e tani për fat të mirë sot ka filluar ndërtimi i objektit të ri. Kjo shkollë aktualisht nuk ka as sallë sportive nxënësit aktivitetet sportive i realizojnë në bodrumin e kësaj shkolle që sipas tyre kundërmon erë e rëndë, dhe ka hapësira që janë të mykura.

Kujtojmë që, para rinovimit të gjimnazit “Goce Dellçev” Komuna e Kumanovës ishte kujdesur edhe për shkollat tjera, duke rinovuar shkollën fillore ne “Lubodrag”, shkollën fillore “Brakja Milladinovci”, shkolle fillore në “Umin Doll’, shkollën e mesme “Pero Nakov” në të gjitha këto shkolla mësojnë vetëm nxënësit maqedonas.

Ndërkaq, shkollat fillore në të cilat mësojnë shqiptarët janë të rinovuar pjesërisht, në përjashtim të shkollës së mesme ekonomike “Pero Nakov” paralelja në gjuhën shqipe që është me objekt në periferi të qytetit që është e rinovuar më shumë se të tjerat, por asesi në formën e njëjtë sikurse shkolla e mesme “Goce Dellçev”. Siduket, kjo është strategji e instaluar që kushte më të mira në shkollat shqiptare, por me kusht që ato shkolla të jenë sa më larg qendrës së qytetit. /Zhurnal.mk

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More